Lajme

Shtatë vjet të dialogut politik e teknik me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 08:55 | 15 July 2018

Që nga viti 2011 delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në Bruksel kanë nënshkruar një varg marrëveshjes, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar, ose janë zbatuar pjesërisht. Së fundi Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një raport përmbledhës ku tregon se shumica e marrëveshjeve të ndërmjetësuara edhe nga BE, nuk kanë gjetur zbatim nga pala serbe.Ishte 8 marsi i vitit 2011 kur Kosova si shtet për herë të parë u ul në tryezë të bisedimeve me Serbinë në kuadër të dialogut teknik i cili po niste mes dy shteteve, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas disa marrëveshjeve të arritura e të cilat po ngecnin në zbatim, një vit pas, më 2012, ky dialog u ngrit në nivel politik.

Tashmë kur janë bërë 7 vjet të dialogut politik e teknik me Serbinë, pothuajse asnjë marrëveshje e arritur nuk po zbatohet në tërësi. Të arriturat dhe sfidat e këtij dialogu tashmë janë përmbledhur në një raport të hartuar nga Qeveria Haradinaj dhe kanë të bëjnë kryesisht me mosgatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të zbatuar pjesë të marrëveshjeve të arritura, raporton RTK.

Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, Qeveria konsideron se sfidë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje mbetet kundërshtimi i partive opozitare në Kosovë. Andaj konsiderohet se do të jetë sfiduese që të arrihet ekuilibrimi mes kërkesave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe interesave të komunitetit serb.

-Advertisement-

Te marrëveshja për integrimin e Policisë së Kosovës dhe shtrirjen edhe në veri, sfidë, sipas ekzekutivit, mbeten dokumentet e identifikimit, kontratat e punës, deklaratat profesionale, betimi në detyrë dhe sistemi i gradimit.

Ndërsa marrëveshja e drejtësisë ku parashihet shtrirja e drejtësisë edhe në veri të vendit, sfidë mbetet komunikimi i drejtpërdrejtë i institucioneve të Kosovës me ato në Serbi. Serbia i vulos dokumentet me mbishkrimin: “Republika e Serbisë – Kosova dhe Metohija – nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutës 1244”. Kjo vulë vendoset në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës në veri.

Te pjesa e mbrojtjes civile, megjithëse 483 serbë të veriut janë integruar, kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës. Ata nuk u raportojnë institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë, në raportin e Qeverisë konstatohet se marrëveshja e arritur për energjinë në Bruksel nuk ka shënuar asnjë përparim. Për pasojë mungesa e zbatimit të saj po e pengon KOSTT-in në përmbushjen e detyrimeve sipas Ligjit për Energji Elektrike dhe Licenca si dhe Përmbushjen e detyrimeve, sipas Direktivës së KE-së dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Për sa i përket çështjes së doganave, raporti thekson se doganat e Kosovës po e zbatojnë marrëveshjen e integruar të kufijve por nuk është arritur progres nga Qeveria e Serbisë për 2 vite në ndërtimin e 3 pikë-kalimeve të përhershme në Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

Tek liria e lëvizjes, sfidë mbetet regjistrimi i fakteve të gjendjes civile nga strukturat ilegale dhe mospranimi nga Serbia i dokumenteve të rregullta të lëshuara nga Kosova.

Marrëveshja për heqjen e barrikadave dhe lirimin e urës së Ibrit në Mitrovicë konsiderohet se është zbatuar pjesërisht. Sipas raportit, të gjitha obligimet e Qeverisë janë kryer, ndërkohë që procesi ka stagnuar nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Derisa marrëveshja për bashkëpunim rajonal e cila parasheh përfaqësimin e Kosovës me fusnotë ndonëse ka shënuar progres, ajo është përcjellë shpeshherë me angazhime negative dhe keqinterpretuese nga ana e Serbisë. Sipas raportit të Qeverisë, në disa raste, Serbia është angazhuar në mënyrë aktive për ta vënë Kosovën në pozitë të vështirë kur vjen puna te përdorimi i simboleve dhe i emrit të saj. Kurse marrëveshja për Diplomat që u konsiderua një hap i mirë për shqiptarët e Luginës, ka mbetur vetëm në letër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera