Lajme

ShSKUK’ja pagoi rreth 12 mijë euro për kujdestaritë e natës pa asnjë dëshmi

Autori: Gazeta inFokus 15:52 | 19 June 2019

Kujdestaritë e natës në Shërbimin Spitalor të Kosovës po kompensohen edhe në mungesë të dëshmive. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se pagesa pa dëshmi e kujdestarive të natës është bërë në 36 raste gjatë vitit të kaluar. Pagesa e këtyre kujdestarive i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 12 mijë euro, raporton Express.

Zyra Kombëtare e Audtimit ka gjetur se në tridhjetë e gjashtë (36) raste kujdestaritë e natës në ShSKUK janë kompensuar në mungesë të dëshmive për mbajtjen e tyre (ditarëve të kujdestarive).

Përveç gjatë natës, Auditori ka gjetur se në 16 raste të tjera të punësuarit nuk janë evidentuar në sistemin e vijueshmërisë së punës gjatë orarit të rregullt.

-Advertisement-

Pagesa e kujdestarive në mungesë të dëshmive i ka kushtuar Shtetit rreth 12 mijë euro, derisa sipas ZKA’së fajin për këtë ia lë drejtorëve të klinikave dhe reparteve.

“Vlera e paguar në mungesë të dëshmive ishte 11,897€. Poashtu, në 16 raste të testuara kemi identifikuar se të punësuarit nuk ishin evidentuar në sistemin e vijueshmërisë së punës gjatë orarit të rregullt. Mangësitë e evidentuara kanë ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e drejtorëve të klinikave dhe reparteve”, thuhet në raportin për SHSKUK’në.

Auditori konsideron se mangësitë e evidentuara në kalkulimin e kujdestarive dhe menaxhimin e ditarëve të kujdestarive të natës, rritin rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta dhe potencialisht për shërbimet të cilat nuk janë ofruar.

Ata rekomandojnë kthimin e mjeteve në buxhetin e SHSKUK’së për pagesat e paguar për kujdestari të cilat nuk ishin dokumentuar me dëshmi për mbajtjen e tyre, dhe të sigurohet se i gjithë stafi do të evidentohet në sistemin e vijushmërisë.

“Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojnë që të gjitha njësitë e ShSKUK-së aplikojnë kontrolle monitoruese ndaj procesit të aprovimit, evidentimit dhe kompensimit të kujdestarive-ndërrimeve të natës në mënyrë që të sigurohet se raportet mujore që procedohen për pagesë janë të bazuara në ditarët e kujdestarive”, thuhet në raportin e Auditori.

Ndryshe, sipas Ligjit të Punës, për punën më të gjatë se orari jo i plotë i punës, përcakton që punëdhënësi është i obliguar të mbaj të dhëna të sakta për punën jashtë orarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera