Shqyrtohen ankesat në Apel për rastin e vrasjes në “Bon Vivant”

Autori: Gazeta inFokus
13:46 | 29 May 2023
Në Gjykatën e Apelit, të hënën janë shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të palës së dëmtuar- familjes Uka si dhe të mbrojtësve të të dënuarve për vrasjen në “Bon Vivant”, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, avokatëve Naim Rudari dhe Haxhi Millaku, ku këta të fundit propozuan kthimin e çështjes në rigjykim, kurse Prokuroria kërkoi vendim meritor.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 13 janar 2023, kishte bërë shpalljen e aktgjykimit, duke i dënuar kështu me 25 vite burgim (së bashku), dy të akuzuarit për vrasjen e Rr.U në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesat e Prokurorisë, palës së dëmtuar dhe të avokatëve mbrojtës ndaj aktgjykimit të Themelores, u shqyrtuan nga kolegji i gjyqtarëve me kryetar kolegji, gjykatësin Beqir Kalludra, anëtare gjykatësen Tonka Berisha, si dhe me gjyqtarin referues Hashim Çollaku.
Sipas gjykatësi Çollaku, ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar Apelit që lidhur me këtë çështje penale, të nxjerrë një vendim meritor.
Po ashtu, sipas gjykatësit Çollaku, ankesë ka parashtruar edhe pala e dëmtuar, familja Uka, duke i propozuar Apelit që në fund secilit të akuzuar t’i shqiptojë dënimin maksimal.
Gjithashtu, përmes parashtesës Prokuroria Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe e palës së dëmtuar të aprovohet, kurse ankesat e mbrojtësve të të dënuarve të hudhen poshtë si të pabazuara.
Ndërkaq, mbrojtësi i të dënuarit Gërdovci, avokati Rudari, në seancën e së hënës tha se qëndron në tërësi pranë ankesës së paraqitur në Apel, duke shtuar se kjo çështje penale ka pasur mangësi qysh prej fazës së hetimeve.
Avokati Rudari sqaroi se si mbrojtje nuk iu është dhënë mundësi që të dëgjojnë dëshmitar gjatë shqyrtimeve gjyqësore në rigjykim, ndërsa theksoi po ashtu se gjykata ka tejkaluar edhe aktakuzën me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Në fund, avokati Rudari i propozoi kolegjit të Apelit që çështjen ta kthejë në rigjykim ose vetë Apeli të ndryshojë aktgjykimin ndaj klientit të tij Gërdovci. Ai po ashtu propozoi që masa e paraburgimit t’i ndërpritet të mbrojturit të tij.
Edhe avokati Haxhi Millaku, mbrojtës i Sherif Krasniqit, elaboroi shkurtimisht ankesën e tij para kolegjit të gjyqtarëve, duke sqaruar se në çështjen penale të gjykuar nga Themelorja, janë shkelur një numër i konsiderueshëm i parimeve dhe instituteve të drejtësisë.
Avokati Millaku tha se për këtë çështje, drejtësia është sorollatur dhe është tejzgjatur mjaft shumë, andaj në fund propozoi që çështja të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet aktgjykimi i Themelores.
Në fund, gjykatësi Çollaku njoftoi palët se brenda afatit të paraparë ligjor, do të pranojnë vendimin e Apelit lidhur më këtë çështje penale.
Në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të akuzuarve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, është ndryshuar. Sipas Prokurorisë, Masar Gërdovci është i akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U e jo Sherif Krasniqi.
Gjykata Supreme, rastin e ka kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.
Me aktgjykimin e vitit 2019, Masar Gërdovci, ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasje, ndërkaq Sherif Krasniqi, ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi që ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.
Kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, gjyqtari referues Abdullah Ahmeti dhe anëtari Kreshnik Radoniqi, më 18 tetor 2019, kishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve.
Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim duke konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit. Sipas Apelit, arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse.
Pas rigjykimit i cili kishte zgjatur dhjetë muaj, gjykata e shkallës së parë sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”.
Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ky aktgjykim ishte atakuar sërish në Gjykatën e Apelit, ka qenë prokuroria ajo që ka kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj të akuzuarve.
Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015.
Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.
Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rr.U, të merret me të pandehurit që t’i largojë nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.
Sipas aktakuzës, sapo Rr.U largohet dhe hyn në sallën e lokalit, të pandehurit ngriten nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rr.U, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve.
Në aktakuzë thuhet se, Rr.U, me t’u ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provojë nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç‘rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra, ndërron jetë në QKUK.

Të tjera
-
Çitaku: PDK dhe VV nuk mund të bashkëqeverisin, kemi shumë dallime
Në ”Click” të RTV21 nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku si dhe deputetja e zg...
-
“Mesazhet” e LDK-së, tri të vërteta që duhet t’i dini sipas Lushaku-Sadriut
Kryetarja e Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas bisedave të k...
-
Çitaku: Nuk e kemi sulmuar asnjëherë LDK-në
Në ”Click” të RTV21 nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se PDK-ja nu...
-
Trump e përmendi si ambasadorin e mundshëm të SHBA-së në OKB, Richard Grenell mohon se do të pranojë këtë pozitë
Richard Grenell, i dërguari i presidentit Donald Trump për misionet speciale,...
-
Lutfi Haziri për bisedat e anëtarëve të kryesisë: Ata që i kanë futur duart në skema, s’janë të LDK’së
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, është deklaruar për komunikimet e brendsh...
-
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy do ta vizitojë Kosovën
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, do të vizitojë Kos...
-
IPK-ja konfirmon se i dyshuari për aksidentimin e këmbësores në Qyshk, është një zyrtar policor
IPK-ja deklaron se është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me ...
-
Çitaku e konfirmon se PDK ka pasur takime me partitë opozitare
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka deklaruar se PDK-ja ka realizuar disa ...
-
U largua nga shtëpia pa i thënë askujt, zhduket studentja shqiptare në Romë
Prej një jave nuk ka asnjë lajm për Ilaria Sulën, 22-vjeçaren shqiptare, e ci...
-
Gërvalla pret Lammy: Partneriteti mes të dyja vendeve do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot n...
-
Publikohet lista 2025 e njerëzve më të pasur në botë, mes tyre një shqiptar
Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e miliarderëve për vitin 2025...
-
Rama, mesazh kandidatëve: Mos u shpërqendroni nga zona, fokusohuni në numrin 5 në listën e hapur
Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh kandidatëve të Partisë Socialiste...