Shqiptari i Luginës që jeton në Kosovë “në të zezën”
Autori: Gazeta inFokus 12:29 | 09 January 2022
Sedat Ajvazi me prejardhje nga Lugina e Preshevës jeton në Kosovë që muaji qershor i vitit 1999.
Për më shumë se 22 vjet ai thotë se e ka pasur të pamundur që të fitonte nënshtetësinë apo të pajisjes më ndonjë dokument të Kosovës.
Sedati nuk ka as dokumente valide të Serbisë, pasi autoritet serbe atje i kanë pasivizuar adresën.
“Aktualisht unë jam në Kosovë person në të zezën. Nuk mund të më verifikoj as Policia e Kosovës e as Policia e Serbisë. Dokumentet e Serbisë i kam pa afat, do të thotë ato sistemi nuk i pranon për shkak të pasivizimit atje. Të Kosovës nuk kam kurrfarë dokumenti edhe pse jetoj në Kosovë që nga qershori 1999”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sedati thotë se shumë herë ka mbledhur dokumentacione, me shpresë se një ditë institucionet e Kosovës do ta pajisin me leje qëndrimi apo me dokumentacione të përkohshme.
Kërkesën e parë thotë se e kishte bërë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në vitin 2001, por kërkesa i ishte refuzuar për shkak se nuk kishte mundur ta dëshmonte se ka jetuar në Kosovë para viteve ‘98-99.
“Tri herë kam qenë në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës te Zyra për të Huajt dhe kërkesa më është refuzuar për shkak të mungesës së kontratës së punës sepse unë nuk munda të lidh kontratë pune me dokumentacione, sa ishin valide ato të Serbisë. Neve na kërkohet të kemi sigurim shëndetësor që as qytetarët e Kosovës nuk e kanë. Na kërkohet kontrata e punës me minimum të pagës 500 euro”, thotë Sedati.
Problemet me të cilat është përballur Sedati për më shumë se 22 vjet po tentohen që të zgjidhen përmes një iniciative të Qeverisë së Kosovës, e cila më 29 dhjetor të vitit të kaluar miratoi koncept-dokumentin për shtetësinë.
Në këtë koncept-dokument, siç ka bërë të ditur këshilltari i Presidentes së Kosovës, Artan Murati, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.
Iniciativa për t’i pajisur me shtetësi shqiptarët e Luginës
Në koncept-dokumentin për shtetësinë në mënyrë specifike përmenden qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – dhe problemet me të cilat ata përballen në përpjekjet e tyre për t’u pajisur me shtetësi të Kosovës.
“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku pesë vjet nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë koncept-dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, thuhet në koncept-dokumentin për shtetësinë i datës 29 dhjetor 2021.
Megjithatë, për të fituar shtetësi çdo qytetar i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet t’i përmbushë një serë kriteresh, siç është dëshmia e qëndrimit në Kosovë prej së paku pesë vjetësh, posedimi i lejes së vlefshme të qëndrimit, pranimi i rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës, posedimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për të jetuar në Kosovë, përmbushja e detyrimeve financiare ndaj shtetit si dhe shumë kritere të tjera.
Rrugëtimi i gjatë i Antigonës deri te shtetësia e Kosovës
Antigona Shaipi me prejardhje nga Presheva ka kaluar nëpër një proces të gjatë derisa ka arritur që të fitojë shtetësinë e Kosovës.
Që nga fëmijëria ajo ka jetuar në qytetin e Gjilanit në Kosovë.
“Procedura për të fituar shtetësinë e Kosovës ishte një procedurë shumë e gjatë, e cila kryesisht zgjat pesë vjet në bazë të plotësimit të kritereve, por unë pasi kisha përfunduar gjithë arsimimin në Kosovë që nga shkolla fillore e deri tek universiteti, procedura u shkurtua nga pesë në dy vjet”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Antigona tregon se fillimisht është pajisur me leje qëndrimi njëvjeçar dhe, pastaj është pajisur me shtetësinë kosovare, kur edhe ka nxjerrë letërnjoftimin.
Por, procedura për familjarët e saj ishte më e gjatë dhe më e mundimshme, thotë ajo.
“Procedura ishte më të vërtet e gjatë dhe shumë e kushtueshme, pasi që dihet që shumica e dokumenteve kanë afat të vlefshëm vetëm gjashtë muaj dhe kjo procedurë përsëritej çdo vit”, tregon Antigona.
MPB: Po krijohen lehtësira për qytetarët e Luginës së Preshevës
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thotë se Ligji i ri për shtetësinë do të zgjidhë shumë problematika, në mesin e tyre edhe çështjen e pajisjes me shtetësi të qytetarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët jetojnë në Kosovë.
“Për qytetarët e komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të cilët janë shpërngulur në Kosovë nga viti 1999, do të parashihen masa lehtësuese për të fituar të drejtën e shtetësisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Me punën e institucioneve të Kosovës, sa i takon pajisjes me shtetësi të qytetarëve të Luginës së Preshevës, nuk është i kënaqur Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Qytetare Vatra.
Ai thotë se edhe qeveritë e kaluara të Kosovës kishin nisur procedura për lehtësime sa i takon pajisjes me shtetësi kosovare të qytetarëve të Luginës së Preshevës, porse sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rezultat.
“Ne frikësohemi se edhe kjo është një iniciativë e njëjtë si të kaluarat, pasi këta të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës nuk janë konsultuar fare, as me ne që merremi me këtë punë, as me Këshillin Nacional në Bujanoc, Preshevë e as me liderët e as me organizatat atje, do të thotë me askënd fare, e besa as me qytetarët që kanë telashe”, thekson Kadriu.
Kadriu thotë se qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë të vështirë të pajisen me shtetësi të Kosovës pasi në shumicën e rasteve, qytetarët të kësaj pjese që jetojnë në Kosovë, u janë pasivizuar dokumentet nga Qeveria serbe.
Kjo sipas Kadriut u ka pamundësuar atyre që të nxjerrin ndonjë dokument valid të Serbisë e përmes së cilit, ata do ta kishin të mund që të aplikonin për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.
Mustafi: Në Kosovë na premtuan vazhdimisht
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të merret seriozisht me fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që kanë mbetur pa shtetësi.
Ai u tërheq vërejtjen institucioneve të Kosovës për faktin se sipas tij, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc organet shtetërore të Serbisë, kanë pasivizuar të paktën 6,000 adresa të shqiptarëve të kësaj ane, që jetojnë në Kosovë.
“Ne kemi kërkuar që sipas praktikave rajonale që kanë hungarezët, kroatët e kështu me radhë, të gjithë qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës të pajisjen me dokumentacione të Kosovës. Edhe në të kaluarën ka pasur tendenca për ta rregulluar infrastrukturën ligjore të Kosovës në mënyrë që të adresohet kjo çështje, porse zgjidhjet që janë ofruar nuk kanë prodhuar rezultate”, shprehet Mustafi.
Mustafi thotë se përmes ndryshimeve ligjore duhet të hiqet çdo pengesë në procesin e pajisjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës me dokumente si dhe me shtetësi të Kosovës.
Sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike nga Lugina e Preshevës, në Kosovë jetojnë rreth 20,000 qytetarë që kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.
Sipas Lëvizjes Qytetare Vatra, shumë prej tyre e kanë pasur të vështirë apo të pamundur që të pajisen me dokumente të Kosovës, pasi u ka munguar një dokument valid i Serbisë, nuk kanë pasur një vend punë në Kosovë, por edhe për shkak se nuk kanë plotësuar kritere të tjera të përcaktuar në Ligjin për shtetësinë.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...