Lajme

Shqiptari bën kërdi në Zvicër: Pasi u martua “për letra”, dëbohet për shkak të borxheve

Autori: Gazeta inFokus 09:00 | 14 October 2020

Një shtetas shqiptar i moshës 33-vjeçare duhet të largohet nga Zvicra, pas dhjetë vitesh qëndrimi në vend. Ky vendim del nga një gjykim i Gjykatës Federale, botuar të premten.

Duke u martuar me një grua zvicerane, shqiptari kishte marrë një leje qëndrimi në Zvicër, në vitin 2011, shkruan tagblatt.ch.

Në Gjykatën e Qarkut, në Weinfelden është bërë shkëputja e martesës së tyre, në korrik të vitit 2019, transmeton albinfo.ch. Në këto kushte, ai mund të qëndronte ende në Zvicër pasi martesa kishte zgjatur më shumë se tre vjet.

-Advertisement-

Mirëpo, nga këndvështrimi i gjykatësve federalë, njohja e padiskutueshme e mirë e gjuhës gjermane nga ana e tij, nuk mjafton për të folur për një integrim të suksesshëm në rastin e 33 vjeçarit.

Ndër të tjera, ai nuk kishte treguar sukses në këtë drejtim në aspektin profesional. Nga qershori i vitit 2015 deri në qershor të vitit 2016 i përmenduri ka marrë ndihma sociale në vlerë prej 26.800 frangash.

Ai gjithashtu është mbështetur nga zyra e mirëqenies sociale nga prilli deri në qershor të vitit 2018. Në janar 2019, në adresë të tij janë regjistruar 26 zbatime të borxhit (nga zyra e përmbarimit) në shumën prej 46.200 frangash, si dhe 14 certifikata humbjeje të pashlyera, me vlerë të 23.100 frangave.

Pas ndarjes nga gruaja e tij, Gjykata e Qarkut në Weinfelden e ka detyruar të divorcuarin të paguante kontribute (alimentacionin) për tre fëmijët.

Në vitin 2015, zyra e prokurorit publik e kishte shpallur atë atë fajtor për ndihmën e ofruar në vjedhjet e rënda dhe banditeske, pas së cilës Zyra e Migracionit e Kantonit Thurgau e kishte paralajmëruar atë.

Në vitet 2016 dhe 2017 ai është gjobitur për sulm fizik ndaj gruas së tij, përcjell albinfo.ch. Kanë pasuar më tutje kallëzimet penale për shkeljen e Aktit të Transportit të Pasagjerëve. Zyra e migracionit kishte urdhëruar largimin e tij nga Zvicra që në maj të vitit 2018.

Sipas vendimit aktual të Gjykatës Federale, ai ka probleme në respektimin e sistemit ligjor lokal, sado që pesha e shkeljeve të tij ka shkuar duke u zvogëluar me kalimin e kohës, përcjell albinfo.ch.

Në paraqitjen e tij në Gjykatën Federale, ai ka relativizuar gjegjësisht zvogëluar përgjegjësinë për aktet e tij të dhunës ndaj ish-gruas së tij, duke treguar se edhe ajo ishte bashkëfajtore.

Gjykata Supreme Federale nuk i beson pohimit të tij se në vendin e tij të lindjes është në rrezik për jetën. Edhe nëse ai kishte punuar si informator policie në Zvicër, për gjykatën nuk ishte e qartë përse ai do t`u nënshtrohej reprezaljeve në vendin e tij të lindjes më shumë sesa në Zvicër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera