Lajme

”Shqiptarët në Maqedoni, duhet t’u largohen sentimentalizmave dhe euforive të momentit”

Autori: Gazeta inFokus 20:19 | 29 April 2017

Protestat e iniciativës ‘Për Maqedoni të përbashkët’, për dy muaj resht çdoherë e më shumë kanë qenë të vrullshme me çka rezultoi deri në eskalimin e situatës. E gjithë kjo filloi me votimin e kryekuvendarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë nga shumica e re parlamentare, ku protestuesit u futën në hapësirat e Kuvendit dhe u përleshën fizikisht me deputetët. Nga protestuesit e dhunshëm pësuan lëndime deputetët Radmilla Sheqerinska, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe Maksim Dimitrievski si dhe shumë zyrtarë tjerë.

Në Kuvend nuk u sulmuan edhe shumë deputetë tjerë të LSDM-së dhe të BDI-së edhe pse ishin të ngujuar në hapësirat e Kuvendit. Pesë deputetët e Lëvizjes Besa, fatmirësisht nuk u sulmuan sepse e kishin lëshuar Kuvendin para se të fillojë incidenti nga ana e dhunuesve.

Kritika të ashpra nga opinioni vazhdon të ketë ndaj deputetëve të cilët nuk ishin në Kuvend, me të vetmin qëllim që të solidarizohen me kolegët e tyre të sulmuar. Kush u shndërrua në tradhëtarë dhe deputetë hero? A duhet shqiptarët të fokusohen në kërkesat e tyre politike dhe të mos shfrytëzojnë që debati për hero dhe tradhëtar të çorientojë kauzën? Telegrafi Maqedoni hap debatin për këto çështje me ish-nënkryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Besim Dogani, studiuesin e filozofisë Sead Zimeri, Xhenis Sulimani-gazetari i cili pa për së afërmi pamjet e dhunshme dhe opinionistin politik Albert Musliu.

-Advertisement-

Besim Dogani, ish-nënkryetar i Parlamentit të Maqedonisë thotë se shqiptarët e Maqedonisë fatkeqësisht kanë aq shumë telashe gati se në të gjitha s

ferat e jetesës, saqë është një luks i panevojshëm për ta të merren me fajësime apo lëvdata.

”Është më se e nevojshme të krijohet kultura e llogaridhënies tek politikanët shqiptar, ministra, deputetë, kryetarë komunash, por dhe kultura e llogari-kërkimit tek votuesit të cilët ua kanë besuar forcën e përfaqësimit përmes votës së tyre. Nuk besoj që për momentin ekziston një person i cili do të mund të bënte një cilësim kaq të prerë për deputetët shqiptarë si tradhtarë apo heronj, sepse mungojnë njohuritë rreth ngjarjeve.

Është tejet e pa shije dhe e shëmtuar ajo që ndodh brenda rrjeteve sociale, fyerjet, shpalljet e tradhtarëve dhe heronjve, meritorëve dhe të dështuarve. Kjo vetëm se e bymen ndasinë në mesin e popullatës dhe beteja e këtillë e tifozëve partiak, dëmton proceset, ngushton mundësitë për bashkëpunim mes partive shqiptare, thellon hendeqet mes fqinjëve të gërshetuar në zënka të pakuptimta për partitë e tyre të preferuara. Komunikimi i tillë mbyll dyer e nuk hap shtigje”, deklarohet Dogani për Telegrafi Maqedoni.

Të gjithë deputetët shqiptarë duhej të ishin bashkë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në mbrojtje jo të individit por në mbrojtje të institucionit “Kryetar i parë shqiptar i Kuvendit të Maqedonisë”. Pa marrë parasysh pasojat për shëndetin e tyre, pa marrë parasysh nëse do tu mbetej ndonjë mbresë në trup, me të dëgjuar për sulmin ndaj deputetit Sela apo kushdo të ishte tjetër, të gjithë deputetët tjerë duhej të gjejnë mënyrë për të hyrë në Kuvend dhe të jenë në krah të tij, shton Dogani më tej.

Studiuesi i filozofisë, Sead Zimeri, për Telegrafi Maqedoni thotë se nuk është në interes të politikës së mirëfilltë dhe demokratike, në fakt është kundër frymës demokratike heroizimi i figuarve politike.

”Këto prirjet tona për të krijuar heronjë me çdo rast që një politikan përplaset me turma kriminelësh të tillë më duket e tepërt, me gjithë respektin për politikanët që nuk e lëshuan parlamentin. Kemi nevojë për një qasje kritike ndaj politikanëve të cilët janë zgjedhur për të kryer një punë të veçantë aty. Ne e bëmë hero Ali Ahmetin dhe ai e harxhoi atë kapital popullor duke i legjitimuar politikat e OBRM-së. Prandaj kjo tendencë më duket e panevojshme dhe shkurtpamëse. Moralizimet si rregull vetëm sa e dëmtojnë politikën. Në fund të fundit politikanët janë zgjedhur për të bërë politikë e jo për t’u konfrontuar fizikisht me banda kriminele”, vlerëson Zimeri.

Ai më tej thekson se, ta gjykosh një politikan për mënyrën sesi veproi në rrezik është ta gjykosh atë njeri si qenie psikologjike e jo si qenie politike. Ai është politikan dhe jo polic apo ushtar. Me nje fjalë ata nuk janë as tradhtarë dhe as heronjë. Ne duhet t’u largohemi sentimentalizmave dhe euforive të momentit.

Gazetari Xhenis Sulimani, që kishte rastin të jetë afër protestave të dhunshme brenda në Kuvendin e Maqedonisë thotë se duhet të veprohet me gjakftohtësi dhe tu lihet hapësirë institucioneve për zbardhjen e rastit.

‘Terrori ka vetëm një adresë-huliganët. Në këtë akt shumica e deputetëve kanë qenë viktima. Tendencat partiake për të përfituar nga kjo ngjarje janë të cekëta dhe jashtë mendjes së shëndoshë. Tani koha është të mendojmë me gjakftohtësi të ua lëmë detyrën institucioneve të rendit dhe të zbardhin rastin dhe t’i futin prapa grillave ata që ushtruan terrorin në Kuvend’. Çdokush që është kundër huliganizmit, që tani e 10 vite e kemi pasur të institucionalizuar, është hero. Qoftë gazetar, deputet apo qytetar i thjeshtë’, shprehet Sulimani.

Fjala tradhëtar dhe patriot janë fjalë të mëdha. Por nuk duhet edhe të harrojmë atë çfarë ndodhi në Kuvendin e Maqedonisë, thotë opinionisti Albert Musliu.

‘Nuk është në rregull kur përgjithësohen gjërat. Nuk mund të thuhen fjalë të rënda pa bazë, pa u kuptuar nëse dikush prej deputetëve qëndron prapa këtyre skenareve. Gjykimet morale nuk kanë bazë ligjore, por është gjykimi i shoqërisë. Personat publik duhet të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e këtyre fjalëve. Ne të gjithë si qytetarë, pavarësisht orientimeve politike, jemi të shqetësuar për atë që ndodhi në Kuvend, në të cilën e pësoi edhe Ziadin Sela’, deklarohet Musliu.

Pavarësisht skenareve, shton Musliu, këto janë gjykime morale dhe nuk ka përgjegjësi juridike për të gjitha këto veprime se kush iku e kush mbeti në Parlament, por nga ana tjetër nuk mund ta minimizojmë faktin se Ziadin Sela nuk ka qenë në gjendje kritike të situatës.

Pavarësisht të gjitha debateve, heroizmi dhe tradhëtia nuk duhet të jenë kondita të një lidhje emocionale. Sipas Adam Rutland dhe Wilhelm Heitmeyer, ekziston rreziku që patriotizmi dhe tradhëtia të përdoren si pretekst për të përfaqësuar mendimet e dikujt në opinion dhe si shkas të ketë destruktivitet. Duhet të ketë qëndrim pozitiv ndaj demokracisë dhe vlerat e saj të mos cënohen, të cilat nxiten kryesisht nga një default patriotike. Shqiptarët duhet të kenë kujdes sidomos në këtë situatë të ndjeshme, që retorika e tyre të mos përshkallëzojë gjendjen. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera