Opinione

Shqiptarët dhe hebrenjtë e një bashkëpunimi strategjik

Autori: Gazeta inFokus 10:03 | 08 March 2021

Shkruan: Agron HOTI

Ashtu siç nuk kishte dhe nuk ka vëllazëri fetare mes SHBA-së, hebrenjve dhe shqiptarëve, e njëjta mungon edhe brenda për brenda vetë botës muslimane dhe asaj krishtere. Mjafton të analizohet Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe shumë sosh para tyre për të kuptuar se interesat në botë ishin dhe do të mbeten ekonomike e asesi fetare. A mos ishte lufta Kosovë-Serbi fetare? Edhe pse Serbia punonte dhe investonte shumë dhe me padurim e priste një pranim ndërkombëtar se në Kosovë po bëhej luftë fetare, për të qëruar pastaj sa më shpejtë hesapet me shqiptarët, duke i paraqitur ata si fundamentalistë islamikë, pra rrezikues të Evropës së krishterë.

Pikërisht pse Serbisë nuk i shitej dhe dështoi në një cilësim të tillë të aspiratave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, ajo nuk ndalej së rreshturi për të futur përçarje fetare dhe përçarje të të gjitha llojeve brenda shqiptarëve. Të njëjtën gjë e bën edhe sot duke mbjellë përçarje si brenda për brenda konfesioneve ashtu edhe mes konfesioneve. Jo rastësisht thuhej në zhargon popullor që bektashinjtë (një pjesë e shqiptarëve) së pari duhej bëheshin serbë nëse donin të bëheshin shqiptarë, ose katolikët (një pjesë e shqiptarëve) së pari duhej të bëheshin serbë nëse donin të bëheshin shqiptarë, ose muslimanët (një pjesë e shqiptarëve) së pari duhej të bëheshin serbë për t’u bërë shqiptarë të besimit katolik. Pra, me një fjalë, shqiptarët e besimeve të ndryshme, sipas serbëve, nuk paskëshin qenë shqiptarë, por vetëm muslimanë, bektashinj, katolikë e ortodoksë dhe se për t’u bërë shqiptarë ata duhej që së pari të bëheshin serbë. Deri këtu shkonte çmenduria serbe për përçarje ndërfetare mes shqiptarëve.

-Advertisement-

A nuk ishin vetë shtetet e krishtera, të cilat me luftërat e tyre për interesa ekonomike, gati sa nuk u vetëshkatërruan? Pastaj, nëse analizohet gjendja në Lindje të Mesme mes shteteve muslimane, shihet qartë se aty veç vëllazëri fetare s’ka, sado që tentohet të proklamohet një e tillë. Kjo sepse Arabia Saudite lufton Jemenin, Iraku lufton Iranin, Irani në armiqësi me Arabinë Saudite dhe Turqinë, Iraku lufton Kuvajtin, arabo-irano-turqit shtypin çdo lëvizje kurde për pavarësi, pothuajse të gjitha rrymat muslimane luftojnë kundër njëra tjetrës brenda Sirisë, Irakut, Afganistanit, Libisë, Pakistanit, Egjiptit, etj. Pastaj, rivaliteti i madh rajonal dhe në rritje mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Iranit vetëm sa rrit tensionet në Lindje të Mesme dhe aty përpos që nuk kishte pasur kurrë vëllazëri, as që pritet të ketë diç të tillë.

Pastaj, në rrafshin e jashtëm shumica e vendeve muslimane shumë më të mira i kishin dhe ende i kanë raportet me shtete të krishtera se sa mes vete, shih lidhjet e Iranit, Sirisë dhe së fundmi Turqisë me Rusinë dhe Palestinën me Serbi. Shihni raportet e shkëlqyeshme të Turqisë me Serbinë. Po të ishte për fe, atëherë Kosova trekonfesionale do të duhej njohur tashmë nga të gjitha vendet katolike, ortodokse dhe muslimane. Por, kjo nuk ka ndodhur, e as që pritet të ndodhë për motive fetare, sepse motivet e bashkëpunimit mes shteteve, rajoneve, aleancave e mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë drejtohen vetëm në bazë të interesave kontekstuale e asesi vëllazërive imagjinare, qofshin ato edhe fetare.
Edhe përkundër retorikës politike në dukje agresive mes Turqisë e Iranit, qëllimi final i të dyja vendeve është dominimi i Lindjes së Mesme si fuqi rajonale dhe natyrisht shtrirjen e interesave ekonomike. Kanë harruar si duket njerëzia në Kosovë, se Turqia dhe Irani, përkundër rivalitetit dhe retorikës aktuale, bashkë me Pakistanin qysh në vitin 1985 në Teheran kishin bashkëthemeluar Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik për të rritur shkëmbimet tregtare. Pra, raportet ekonomike mes Turqisë dhe Iranit si dhe mes Turqisë dhe Izraelit janë të shkëlqyeshme, ashtu siç janë të shkëlqyeshme raportet ekonomike mes Turqisë dhe BE-së, pavarësisht retorikave politike kontekstuale dhe aktuale.

Pastaj, nëse Palestina e konsideron veten të pushtuar nga Izraeli e në anën tjetër bashkëpunon ngushtë me Serbinën që disa herë tentoi shfarosjen e shqiptarëve, a nuk përbën kjo absurd të llojit të vet për një shtet që kërkon liri dhe paqe? Si mund ta mbështesin shqiptarët Palestinën, kur ambasadori i saj në Beograd shprehet hapur kundër pavarësisë së Kosovës? Çfarë ndihme pret Palestina nga Serbia, Siria, Irani dhe së fundi nga Turqia, kur të katër këto vende kanë raporte të shkëlqyeshme me Rusinë, e kjo e fundit ka raporte të jashtëzakonshme me Izraelin, të cilin Palestina e konsideron armikun numër një?

Për më tepër, Serbia ka raporte të shkëlqyeshme me Izraelin edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte bërë pjesë e industrisë vrastare naziste kundër hebrenjve. Prandaj, aq është i pashpresë ky bashkëpunim serbo-palestinez saqë kalon edhe në absurd. Çfarë ndihme pret Palestina nga Turqia, kur Turqia ka raporte të shkëlqyeshme me Serbinë, raporte ekonomike të shkëlqyeshme me Izraelin dhe së fundmi edhe me Rusinë? Pastaj, nëse Turqia e do forcimin e e shtetit të Kosovës dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar, atëherë ai forcim bëhet vetëm duke ardhur njohje sa më shumë për Kosovën, të cilat hapin rrugë për anëtarësim në OKB e NATO ku Turqia është vetë anëtare dhe anëtarësim në BE, të cilin Turqia edhe vetë e synon.

Refuzimi dhe ulja e numrit të njohjeve e rrënon shtetin e Kosovës dhe i mbyll derën për anëtarësime në OKB, NATO e BE. Pastaj, nëse Turqia na qenka mbrojtëse e vëllazërisë muslimane pse nuk po e bashkon Bosnjen e Hercegovinën, pse nuk po kërkon forcimin apo bashkimin e Sanxhakut musliman me Kosovë ose Bosnje e Hercegovinë, pse nuk po e ngrit zërin për Tatarët e Krimesë ose Ujgurët muslimanë të Kinës që po gjenocidohen nga kjo e fundit? Vëllazëria fetare, nëse do të kishte një të tillë, do të duhej të ishte e njëjtë për të gjithë e jo selektive. Prandaj, këtu duhet të kemi kujdes. Pra, aq komplekse janë konstelacionet politike ndërkombëtare, saqë një shqiptar do të duhej t’i kishte të gjitha parasysh para çdo orientimi politik mbi ‘nxehtësinë’ e zhvillimeve në Lindje të Mesme.

Duke qenë populli më i vjetër në Evropë shqiptarët kanë vetëm një orientim, integrimin e plotë në BE dhe NATO, pra thellimin e bashkëpunimit me aleancën transatlantike. Sigurisht që bashkëpunimin nuk duhet ta ndalim me asnjë regjim demokratik në botë, pavarësisht lokacionit gjeografik, por orientimin duhet ta kemi qartësisht dhe ekskluzivisht transatlantik. Të njëjtin orientim e kanë dhe hebrenjtë, pra kanë raporte të shkëlqyelshme me SHBA e BE dhe orientim tërësisht transatlantik. Si shqiptarët ashtu edhe hebrenjtë nuk e lidhin bashkëpunimin e tyre me vëllazërira imagjinare, të cilat lërë që kurrë nuk kanë ekzistuar, por as që do të ekzistojnë ndonjëherë.

Shqiptarët duhet të jenë pro-zgjidhjes paqësore të të gjitha zhvillimeve në Lindje të Mesme, të mos marrin anë, dhe të mirëmbajnë raporte me të gjitha ato vende që janë për bashkëpunim të sinqertë me ne. Shqiptarët nuk duhet përkrahur rryma ekstreme që e duan zhdukjen e Izraelit nga harta botërore. Sepse, nëse një shqiptar e përkrah një gjë të tillë, atëherë ai ose ajo i arsyeton tentim shfarosjet e shqiptarëve nga ana e Serbisë. Shqiptarët më së miri e dinë se çfarë do të thotë të jesh buzë shfarosjes. Dhe mbi këtë bazë duhet ikur nga ato rryma që i dëshirojnë më të keqen Izraelit dhe çdo populli në botë. Shqiptarët dhe hebrenjtë i përbashkon historia më shumë se paqësore e tyre dhe aspak ekspansioniste.

Prandaj, se ku e vendos ambasadën Izraeli apo ndonjë shtet tjetër, nuk është në punën e Kosovës të përzihet. Kosova ka një interes të madh në konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë së saj, sigurimin e sa më shumë njohjeve ndërkombëtare për t’i hapur rrugë kështu anëtarësimit në OKB, në NATO e BE. Me këto zhvillime Kosova do ta përmbyllte përfundimisht mozaikun e shtetndërtimit të saj, për të vazhduar kështu me shtetkonsolidimin e saj, i cili, si çdoku në botë, nuk përfundon kurrë. Bashkëpunimi i Kosovës me Izraelin është i rëndësisë jetike në aspektin diplomatik, ekonomik dhe ushtarak duke pasur parasysh ndikimin e Izraelit në botë dhe brenda për brenda vetë SHBA-së. Izraeli është ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të teknologjisë dhe Kosova mund të ketë avantazhe të mëdha bashkëpunimi. Kjo për faktin se që mbi 10 vite, afro 10 % GDP e Kosovës përbëhet nga sektori i IT-së dhe duke pasur parasysh që shekulli 21 është shekulli i dixhitalizimit ekstrem, atëherë bashkëpunimi i Kosovës me Izraelin vetëm sa do ta rriste sektorin e IT-së, si më prosperuesin tashmë në glob.

Shqiptarët (Kosovë e Shqipëri) duhet intensifikuar bashkëpunimin me Izraelin kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, edhe për faktin se Izraeli ka ndikim të madh në politikat e SHBA-së dhe BE-së dhe në këtë drejtim do të mund t’i ndihmonte shumë shqiptarët në rrugën e tyre drejt integrimit evropian dhe transatlantik, ashtu sikundër që do të mund t’u siguronte bashkëpunim ekonomik, qasje në mekanizma financiarë ndërkombëtarë si dhe rritje të investimeve të huaja në të gjitha hapësirat shqiptare. Aspekt tjetër ku shqiptarët do të mund të përfitonin është bashkëpunimi në fushën e sigurisë, ku Izraeli është ndër shtetet lidere në botë me dije, resurse dhe teknologji, e për të cilat shqiptarët, përfshirë Kosovën, kanë nevojë të jashtëzakonshme. (Fund)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera