Opinione

Shqiptarët dhe hebrenjtë e një bashkëpunimi strategjik

Autori: Gazeta inFokus 10:05 | 07 March 2021

Shkruan: Agron HOTI

Nëse SHBA ndali holokaustin kundër hebrenjve dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve, pse u dashka që Kosova të del kundër atyre që shpëtuan popullin shqiptar dhe pse jo popullin hebre? Nëse shqiptarët, me aq sa kanë mundur, kanë mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pse u dashka sot të dalin kundër politikave të shtetit izraelit sa i përket Jerusalemit? Imagjinoni sikur Kosova të kundërshtonte njohjen nga Izraeli të ofruar midis Shtëpisë së Bardhë! Kjo para se gjithash do të binte ndesh me projeksionet e Kosovës për të siguruar sa më shumë njohje dhe konsolidim ndërkombëtar.

Pastaj, imagjinoni se ç’pasojash të pariparueshme, nëse jo edhe fatale, do të përjetonim sikur Kosova t’i kthente shpinën SHBA-së dhe Izraelit pas tërë këtij investimi amerikan për njohje edhe nga Izraeli! Imagjinoni se sa fatale për Kosovën do të ishte pastaj braktisja nga SHBA! Mbi dymijë vite histori pushtimi e terrori e karakterizojnë historinë e rëndë të popullin shqiptar, e kjo u ndërpre vetëm në shekullin 20 e 21 falë këmbënguljes dhe vendosmërisë dhe fuqisë së SHBA-së.

-Advertisement-

Si ka mundësi të kritikohet Kosova nga BE për hapje ambasadeje në Jerusalem, kur Kosova është 100 % e orientuar kah Perëndimi, gjersa vetë BE përpos që nuk bën asnjë vetëkritikë bashkëpunon ngushtë në aspektin ekonomik me regjime autoritare siç është Rusia, Irani e Kina, etj. Vetëm me Rusinë shkëmbimet tregtare të BE-së janë mbi 200 miliardë EUR, kurse me Kinën afërsisht 400 miliardë EUR në vit. Kaq i ‘vogël’ është interesi i BE-së në Kinë e Rusi, ku gëlon korrupsioni dhe ku demokracia me të drejtat e njeriut dhe minoriteteve lënë shumë për të dëshiruar. Imagjioni, SHBA e klasifikon gjenocid dhunën e Kinës ndaj ujgurëve, kurse BE nuk bëzanë, ndërkohë që Kosovës vetëm 13 shtetvjeçare i kërkon standarde që plot vende anëtare të BE-së as për së afërmi nuk i plotësojnë. Dhe nëse, pavarësisht trajtimit nga BE, Kosova dhe shqiptarët janë qartësisht të orientuar kah perëndimi, a mund të thuhet kjo edhe për vetë BE-në, kur bashkëpunimin ekonomik me regjime autoritare antiperëndimore vetëm sa është duke e rritur.
Fundja, nëse BE dëshiron ta rrisë presionin ndaj dikujt, atëherë atë duhet ta bëjë ndaj Izraelit, sepse është Izraeli ai që po zhvendos kryeqytetin nga Tel Avivi në Jerusalem e jo Kosova. Për çfarë morali na flet BE, kur për regjimet autoritare dhe superkorruptive në Kinë e Rusi thotë se s’do të duhej të ishin pengesë për bashkëpunim ekonomik, duke e heshtur faktin se pa një bashkëpunim të ngushtë politik është i pamundur bashkëpunimi ekonomik. Ndërkohë që, është e njëjta BE, e cila që sa vite thotë se nuk po mund të investojmë në Kosovë shkaku i korrupsionit, krimit të organizuar e kapjes së shtetit, duke harruar se Kosova, përpos që është vendi më i ri në Evropë, i ndërtuar i tëri me ndihmën e SHBA-së dhe vetë BE-së, është vendi më bashkëpunues në botë me BE? Kush ka nevojë për investime të huaja në Evropë më shumë se sa Kosova, e cila është vendi më i ri në Evropë dhe që kishte kaluar nëpër një luftë gjenocidale që synonte shfarosjen totale të saj? Prandaj, një vendi të varfër e të gjenociduar, siç është Kosova, duhet dhënë një shans e jo t’i kërkohen standarde, të cilat as vetë BE nuk i plotëson.

Nëse në Kosovë ka një numër të vogël të elementit islamik që mendon se Kosova sikurse Turqia, Vendet Arabe, Irani e Rusia nuk duhet vendosur ambasadën në Jerusalem, atëherë a ta kthejmë për një moment historinë së prapthi duke e interpretuar historinë sipas versionit islamik, duke thënë se kurrë s’ka pasur Izrael, se kurrë s’ka pasur gjuhë dhe fe hebreje, se perandoria osmane i kishte shpëtuar shqiptarët asesi pushtuar, se Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit, Ismal Qemali, Adem Demaçi e Adem Jashari e kishin gabim kauzën shqiptare, se shqiptarët e kishin gabim tërë kauzën kundër jugosllavo-serbëve, se shqiptarët është dashur nga osmanët të kthehen në turq dhe nga turqit më pastaj një pjesë në jugosllavo-grekë dhe me kaq të përfundonte historia shqiptare. A do të ishte ky rrëfimi islamik për popullin shqiptar?! Pyetja për elementin islamik: pse nuk pati kurrë shtet shqiptar sa ishim nën pushtime romake, bizantine, osmane e jugosllavo greke? A nuk patëm dëshirë apo mundësi? Apo mos ndoshta s’paskemi pasur nevojë për shtet nën pushtimet perandorake 2 mijë vjeçare? A mos ndoshta pushtesit na paskan pushtuar nga dashuria që paskan pasur ndaj popullit shqiptar? Një shqiptar që mohon pushtimet greke, romake, bizantine, osmane e jugosllavo greke, atëherë ai veç shqiptar s’mund të jetë, sepse logjika e thotë kështu. E sikur kjo që u tha më lartë të ndodhte, atëherë nuk do të kishte fare më shqiptarë, nuk do të kishte as Shqipëri e as Kosovë, as luftë të Kosovës, s’do të kishte nevojë as për aleancë me SHBA, NATO e BE, thjeshtë Kosova e Shqipëria do të mund të ishin të populluara vetëm me jugosllavo-grekë dhe ndonjë turk, pra do të ishim tamam ashtu siç historikisht i konvenonte Serbo-rusisë, pra zgjerim sllav në Ballkan minus shqiptarët.

Imagjinoni sikur SHBA të largonte bazat ushtarake nga Kosova, Turqia dhe Vendet Arabe dhe të ndërpriste mbështetjen ndaj Kosovës, shtetit turk dhe Vendeve Arabe! Në një skenar të tillë, Serbia e mbështetur nga Rusia e Kina brenda pak orëve do ta ripushtonte Kosovën dhe ndoshta tërë hapësirat shqiptare. Kurse, Rusia brenda pak orëve do të pushtonte Turqinë Evropiane, apo më saktë Stambollin, ish-qendrën e ortodoksisë, për të dalur në Mesdheun e ngrohtë të shumë-ëndërruar. Ndërkohë që, Irani i koordinuar me Rusinë dhe Kinën do të fuste nën ombrellën e tij pothuaj të gjitha vendet arabe një nga një. Paqja në botë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë relative. Dhe këtë paqe e mirëmbajnë vetëm fuqitë dhe superfuqitë. E shqiptarët dhe hebrenjtë janë me fat që SHBA është superfuqia e vetme në glob që kontrollon tokën, ujin dhe hapësirën. Njerëzimi deri me sot nuk ka pasur as për së afërmi kësi lloj Superfuqie si SHBA.

Fundja a nuk e kishte Rusia synim parësor historik e kombëtar daljen në ujëra të nxehta të hemisferës jugore? Kjo sepse, Rusia – edhe pse është shteti më i madh në glob – nuk ka qasje në ujëra të nxehta në jug dhe kjo është ndër brengat kryesore të saj. Prandaj, Turqia, Izraeli, Vendet Arabe, Evropa, përfshirë shqiptarët, janë të varura ekskluzivisht nga ombrella e sigurisë së SHBA-së. Nuk është e rastësishme që Turqia është në aleancë ushtarake vetëm me NATO e jo me Lindje të Mesme dhe në aleancë të fuqishme ekonomike me BE e jo me Lindje të Mesme, edhe pse bashkëpunon edhe me vende tjera në lindje. Shqiptarët, si populli më i vjetër në Evropë, duhet ta kultivojnë dhe mirëmbajnë orientimin e tyre pro-perëndimor, sepse vetëm duke shkuar në këtë drejtim, do të kenë perspektivë zhvillimore, këtë fakt historia e ka dëshmuar më së miri. Çdo orientim tjetër, e rrezikon seriozisht vetë ekzistencën e popullit shqiptar. Sigurisht që ne mund të bashkëpunojmë me Turqinë, Vende Arabe e të tjerë, por këtë bashkëpunim nuk duhet ta lidhim me fe dhe me liderë të caktuar, kjo për faktin se liderët shkojnë e vijnë, ndërsa bashkëpunimi mbetet.

Pse e kemi jetike të jemi proamerikanë? Kjo sepse, ashtu siç edhe sot fqinjët tanë jugosllavo-grekë janë të pakënaqur me ekzistencën e shtetit shqiptar dhe kosovar, po aq të pakënaqur janë Vendet Arabe e Irani me ekzistencën e shtetit izraelit. Ashtu siç kishte plane jugosllavo-greke për shfarosjen dhe zhdukjen e popullit shqiptar, të njëjtat plane kishin dhe kanë irano-arabët ndaj popullit hebre. Nëse në rastin e shqiptarëve Evropa mbylli njërin sy para planeve jugosllavo-greke për shfarosjen dhe zhdukjen e shqiptarëve nga harta e botës, hebrenjtë, krahas falangave të perandorive irano-arabe, ishin viktimë edhe e vetë Evropës në kohën e inkuizicionit dhe holokaustit dhe jo vetëm. Për dallim prej retorikës aktuale të Turqisë karshi Izraelit, duhet theksuar që në shekullin 15 Perandoria Osmane i kishte pranuar hebrenjtë e dëbuar nga Evropa, kryesisht nga Spanja. Por, nuk duhet harruar që Perandoria Osmane ishte pushtuese e tokave të Lindjes së Mesme, përfshirë dhe ato hebreje.

Nëse hebrenjtë lindën dhe u rritën në Jerusalem dhe toka tjera përreth, të cilat nuk i konteston historia botërore, pse u dashka që kjo të përbëjë problem për Evropën dhe vendet irano-arabe? Fundja, Jerusalemi dhe judaizmi ekzistonin shumë para lindjes së krishterimit dhe islamit. E për ironi të fatit, judaizimi dhe krishterimi lindën pikërisht në Jerusalem, pra në vendin e hebrenjve. E tash, a mos janë fajtorë hebrenjtë pse këto dy fe lindën në tokë të tyre? Ashtu siç hebrenjtë dhe judaizmi ishin në Jerusalem shumë para krishterimit dhe islamit, e njëjta histori është edhe me shqiptarët si populli më i vjetër në Evropë, autoktoniteti i të cilit daton shumë para se të vinte krishterimi dhe islami në Evropë. Me një fjalë, vuajtjet dhe terrori i popullit hebre dhe shqiptar, përfunduan vetëm kur SHBA doli në skenë si Superfuqi.

E nëse shikojmë aspektin fetar, SHBA e krishtere ka mbështetur fuqishëm krijimin e dy shteteve, Shqipërisë e Kosovës, të dyjat trekonfesionale (muslimanë, katolikë e ortodoksë) dhe Izraelit judaist. Pra, nuk mund të flitet për ndonjë vëllazëri fetare si faktor që të ketë shtyrë SHBA-të ta mbështesnin popullin shqiptar dhe hebre. Kur romakët dhe bizanti na bënë të krishterë, harta e botës nuk njihte shqiptarë, kur osmanët në bënë muslimanë harta e botës po ashtu nuk njihte shqiptarë. Pikërisht kur ranë këto perandori pushtuese, shqiptarët të rrezikuar dhe të sulmuar nga të katër anët nga jugosllavo-grekët që synonin zhdukjen përfundimtare, shqiptarët e bënë shtetin e tyre në Shqipëri e Kosovë. Sot harta e botës njeh Kosovë e Shqipëri. Ashtu siç edhe sot ka një imazh jo të mirë të shqiptarëve në Evropë si rezultat i propagandës mbi 150 vjeçare serbo-ruse që tentonte të na paraqiste si njerëz të dorës së dytë dhe fundamentalistë islamikë, antisemitizmi (urrejtja ndaj popullit hebre) vazhdon të jetë temë gjithandej Evropës dhe jo vetëm, ku më shumë fshehur e ku më hapur. (Vazhdon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera