Opinione

Shqiptarët dhe hebrenjtë e një bashkëpunimi strategjik

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 06 March 2021

Shkruan: Agron HOTI

Ashtu siç ka shumë shqiptarë, që për shkak të rrethanave të rënda historike qenë detyruar të emigronin jashtë hapësirave shqiptare e që sot janë me miliona nëpër botë, njëjtë kishte ndodhur edhe me mërgatën hebreje, e cila është e shpërndarë anekënd botës, me përqendrimin më të madh në SHBA. Ashtu siç mërgata shqiptare historikisht është përpjekur të ndikonte politikën amerikane karshi avansimit të çështjes shqiptare, njëjtë kishte vepruar edhe ajo hebreje për kauzën e saj. Tragjedia e përbashkët që e ka përcjellë vazhdimisht popullin shqiptar dhe hebre është “përndjekja dhe ekzili” nga pushtuesit e shumtë. Këtë e vërteton fakti se sot më i madh është numri i shqiptarëve dhe hebrenjve jashtë shteteve se sa brenda shteteve të tyre.

E mërgata hebreje përbën sot lobin më të fortë në SHBA dhe mbi këtë bazë raportet mes SHBA-së dhe Izraelit janë speciale, ashtu siç janë speciale edhe raportet mes BE-së dhe Izraelit. Shteti shqiptar filloi të bëhet pak para Luftës së Parë Botërore dhe të kompletohet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore (edhe pse i cunguar në territore). Edhe shteti izraelit jetësohet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, si Shqipëria ashtu edhe Izraeli bëhen shtete shumë vonë dhe kjo vetëm falë fuqisë në rritje të SHBA-së dhe dominimit të botës nga perëndimi.

-Advertisement-

Prandaj, ashtu siç populli shqiptar e ka ekzistenciale bashkëpunimin pa kushte me SHBA-në, edhe populli hebre nuk ka ombrellë më të besueshme në glob se sa SHBA-në. Pikërisht pse shqiptarët dhe hebrenjtë e shohin SHBA-në si garantuesin kryesor të ekzistencës së tyre, u arrit që marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Izraeli të nënshkruhet ku tjetër përpos në Shtëpi të Bardhë në shtator 2020. Kjo flet shumë për një emërues të përbashkët sigurie për shqiptarët dhe hebrenjtë.

Nuk duhet harruar asnjëherë se krijimi i shteteve në botë nuk ndodh vetëm pse një popull ka vullnet për një gjë të tillë. Sepse po të ishte ashtu, numri i shteteve në botë do të ishte shumë më i madh se sa që është sot. Krijimi i shteteve varet kryesisht, nëse jo tërësisht, nga konstelacionet, kombinimet, interesat, orientimet politike, aktualitetet e projeksionet globale, raportet mes shteteve të ndryshme e shumë e shumë faktorë të tjerë përcaktues brenda një konteksti të caktuar ndërkombëtar. Po të varej krijimi i shteteve nga vullneti i popujve, atëherë populli kurd – si populli më i madh në botë pa shtet i ndarë mes Turqisë, Vendeve Arabe dhe Iranit – qysh moti do ta shpallte dhe bënte shtetin e pavarur të tij.

Megjithatë, përkundër vullnetit të popullit kurd për të pasur shtetin e tij, janë pikërisht Turqia, Vendet Arabe dhe Irani ato që pengojnë me çdo mjet formimin e shtetit kurd. Pse miliona kurdë nuk paskan të drejtë ta kenë shtetin e tyre e popujt tjerë shumë më të vegjël se ta po? Ku është vëllazëria muslimane, nëse ka një të tillë, që nuk lejon kurdët të jetojnë të lirë, sikurse vëllezërit tjerë muslimanë?! Nëse dikush thirret në vëllazëri fetare, atëherë a nuk u dashka që të gjithë vëllezërit të kenë të drejta të barabarta?

Ashtu siç fqinjët jugosllavo-grekë historikisht kanë terrorizuar dhe penguar formimin e shtetit shqiptar dhe kosovar, edhe më të ashpër ishin dhe ende janë Turqia, Vendet Arabe e Irani karshi synimeve të popullatës kurde. Pra, në njërën anë Vendet Arabe, Turqia dhe Irani kritikojnë Izraelin për dhunë ndaj popullatës palestineze, në anën tjetër dhuna e tyre ndaj popullatës kurde është shumë më e madhe. Fundja, po të ishte në vullnetin tonë, a nuk do të formohej shteti shqiptar (me të gjitha trojet shqiptare) krahas formimit të shteteve të fuqishme në Evropë? Por, përkundër vullnetit tonë dhe për shkak të rrethanat që nuk lejuan ndryshe, shteti shqiptar dhe kosovar u formuan ndër më të fundit në botë.

Nëse ne, shqiptarët, si populli më i vjetër në Evropë, paskëshim pasur nevojë në formimin e shtetit shqiptar, pse atëherë Izraeli, si ndër popujt më të vjetër në Azi, nuk paskësh pasur nevojë për formimin e shtetit të tij?! Nëse fqinjët e popullit shqiptar dhe hebre paskëshin pasur të drejtë të kenë shtetet e tyre, a duhet që ne – shqiptarë e hebrenj – të ndihemi fajtorë pse ekzistojmë dhe kemi shtetet përkatëse?!

Nëse SHBA qysh në vitin 1995 nën Administratën e Klintonit përmes Kongresit dhe Senatit kishte nxjerrë ligjin për njohjen e Jerusalemit si Kryeqytet të Izraelit, ç’përgjegjësi ka Kosova në këtë mes? Kosova atëbotë, përpos që nuk ishte fare shtet, po përballej me terror të paparë serb dhe po luftonte për ekzistencë. Nëse Izraeli, Vendet Arabe, Irani e Turqia kishin dhe kanë probleme mes vete, a mos deshëm ne t’i zgjidhim ato?!

Nëse hipotetikisht Turqia nesër do të shpallte Stambollin (ish-Konstandinopojën) si kryeqytet të saj, pra zemrën e ortodoksizmit të Bizantit, a do të mund t’i thoshnim ne jo, kur Rusia dhe tërë ortodoksia do të mund të ishin kundër një zhvendosjeje të tillë?! Kur Gjermania u pushtua nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore, u nda më pas në dy shtete dhe dy kryeqytete, askush nuk e kontestoi këtë, sepse shtetet hapën ambasadat e tyre në Bon për Gjermaninë Perëndimore, përkatësisht në Berlinin Lindor për Gjermaninë Lindore. Kur u bë bashkimi i Gjermanive kryeqytet u bë Berlini i bashkuar dhe prapë askush nuk e kontestoi këtë.

Nëse Izraeli kishte vendosur që kryeqyteti i tij të jetë Jerusalemi e jo më Tel Avivi duke marrë mbështetje për këtë edhe nga SHBA, atëherë, duke qenë se Kosova dhe tërë populli shqiptar e kanë jetike bashkëpunimin me SHBA dhe duke qenë se hebrenjtë e kanë Jerusalemin qendër të tyre qysh prej parahistorisë, pra shumë kohë para se Jerusalemi të pushtohej nga Asiria, Babilonia, Persia, Greqia dhe Romakët, pse Kosova do të duhej kundërshtuar një zhvendosje të tillë?! Për çfarë morali na flet BE kur kritikon Kosovën për hapje të ambasadës në Jerusalem në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, kur dihet se ishin pikërisht evropianët ata që gjatë inkuizicionit dhe holokaustit po tentonin shfarosjen dhe zhdukjen nga harta e botës të popullit hebre?

Për çfarë morali na flet BE, kur as edhe një problem të vetëm në Ish-Jugosllavi nuk ishte në gjendje ta rregullonte me mekanizma të saj pa ndërhyrje dhe mbështetje të fuqishme të SHBA-së? Për çfarë morali na flet BE, kur që nga viti 1999 e deri me sot nuk ka arritur ta bashkojë veriun e Kosovës me pjesën tjetër të saj? Sot janë dy qytete në Evropë, të ndarë në vija etnike, këto janë Mitrovica në Kosovë dhe Nikozia në Qipro. Nëse Berlini tashmë i bashkuar ishte shembulli më i dhimbshëm i një qyteti të ndarë në zemër të Evropës, çfarë ka për të na thënë BE për Mitrovicën dhe Nikozinë, të cilat edhe sot vazhdojnë të mbeten të ndara? E pyetja që duhet shtruar është kjo: a do të mund të bashkohej Berlini po të mos ekzistonte fuqia e SHBA-së?

Nëse BE na ishte aq e fortë, pse asnjëherë nuk arriti ta ndalonte ndarjen në vija etnike të qytetit të Mitrovicës dhe Nikozisë? Nëse janë nxjerrë mësime të mjaftueshme nga ndarja e Berlinit dhe Nikozisë, pse atëherë u lejua ndarja edhe e Mitrovicës, kur pasojat diheshin? Nëse BE është kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse Kosovën e konsideron problem evropian, pse atëherë nuk po e bashkon qytetin e Mitrovicës? Vetë ndarja e qytetit shpie te shkëmbimi i territoreve, përndryshe s’do të kishte asnjë logjikë ndarja e një qyteti. Nëse Berlini u bashkua, pse nuk po bashkohet Mitrovica dhe Nikozia?

Pastaj, për çfarë morali na flet BE, kur Serbisë (hapur pro-ruse e kineze) që bëri gjenocid në të gjitha hapësirat jugosllave, i ka hapur perspektivën evropiane, ndërkohë që Kosovën (hapur perëndimore) e gjenociduar pikërisht nga Serbia, nuk e njeh para se gjithash as si shtet, i ka mbyllur perspektivën evropiane dhe e ka izoluar pikërisht në shekullin 21 kur bota është duke bërë përpjekje titanike për t’u hapur sa më shumë? Nëse BE është neutrale ndaj statusit të Kosovës, pa e qartësuar kurrë atë neutralitet, pse atëherë përzihet në çështje bilaterale mes Kosovës dhe Izraelit?! (Vazhdon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera