Shqiptarët i çojnë 74 për qind të parave për ndërtim
Autori: Gazeta inFokus 09:41 | 11 May 2018
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga fillimi i tranzicionit, që u shoqërua me një zhvendosje masive të popullsisë në qytet dhe ndërtime pa fre, kjo mani po vazhdon akoma, me ritmet më të larta në Europë. Të dhënat e përditësuara të INSTAT për vitin 2016, tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me 1996-n, që është viti i pari që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël. Në 1996-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7%.
INSTAT publikon treguesin e formimit bruto të kapitalit fiks[1], i cili jep të dhëna për investimet e brendshme materiale dhe jo materiale në ekonominë e vendit. Ky tregues është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet në vend që të konsumohet.
Për vitin 2016, ai përbëhet 74.3% nga ndërtimi, 18.3% nga pajisjet, 4.7% për transportin, për bujqësinë 2.28% (kryesisht në pemtari dhe vreshtari), ndërsa për programe kompjuterike dhe sistem të dhënadh (database), ku po orientohet sot e gjithë bota, shkojnë vetëm 0.13% të totalit të investimeve. Ndonëse jemi njëvend me burime të pasura natyrore, për kërkime minerare shkojnë vetëm 0.02% e shpenzimeve, teksa në pjesën më të madhe eksportojmë burime natyrore të papërpunuara, me vlerë të shtuar të ulët. Madje në 1996-n, pesha e shpenzimeve për kërkime minerare ishte më e lartë, 0.41%.
Në krahasim me një vit më parë, ka një rënie fare të vogël të peshës së ndërtimit me 1.11 pikë përqindje, që ka ardhur nga tkurrja e peshës së investimeve për banesa (-4.9 pikë përqindje), që është kompensuar me rritjen e peshës së ndërtimeve inxhinerike (+3.4%). Për sektorët e tjerë ndryshimi ka qenë i papërfillshëm.
Nisur nga vrulli i ri i ndërtimeve vitin e fundit, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme pritet të jetë e lartë të paktën dhe në afatin e mesëm. Sipas të dhënave të INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë. Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.
Ekspertët pohojnë se në afatin e shkurtër, investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).
Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë. Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.
Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.
Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së./monitor/
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...