Sport

Shqipëria U21 mposht pastër Slloveninë U21

Autori: Gazeta inFokus 21:08 | 11 October 2021

Shqipëria U-21 ka marrë një tjetër fitore të suksesshme këtë të hënë teksa ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Sllovenisë U21, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur në “Elbasan Arena”, teksa kërkuan që në pjesën e parë të takimit të gjenin golin e avantazhit. Që në minutën e 5-të të takimit, kuqezinjtë nisin një aksion me Mario Mitaj, i cili i dhuron një top mjaft të bukur Karricës, që e dërgon mjaft mirë te Dobra. Ky i fundit godet, por nuk gjen rrjetën. Skuadra e Bushit tenton edhe në disa raste të tjera, por sllovenët ishin më superiorë në pjesën e parë.

Në 45 minutëshin e dytë të takimit, kuqezinjtë tregojnë “fytyrën” e tyre të vërtetë. Që në fillimin e kësaj pjesë, Ernest Muçi krijon dy aksione në portën kundërshtare, por nuk finalizon. Në minutën e 52-të, kuqezinjtë kalojnë në avantazh me Karricën, i cili merr mjaft bukur një top nga talenti Mario Mitaj, duke kaluar në epërsi ekipin e Shpresave, të cilët nuk kënaqen me vetëm një gol. 6 minuta më vonë është Armando Dobra ai i cili dyfishon shifrat.

Një asist i shkëlqyer i Ndreçkës, i cili dhuron një top për Dobrën, i cili godet bukur me kokë dhe dërgon topin në rrjetën kundërshtare. 2-0 për Shqipërinë, që në minutat e mbetura të takimit, krijon edhe disa raste të tjera si dhe kontrollon mirë lojën, duke ruajtur avantazhin e dyfishtë. Në minutat shtesë të takimit, gjyqtari akordon një penallti në favor të sllovenëve, por që grushtohet nga portieri shqiptar Angelo Tafas.

Të tjera