Lajme

Shqipëria nuk përjashton mundësinë e sigurimit të vaksinave kineze dhe ruse

Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 02 March 2021

Në një kohë kur masat shtrënguese nuk po japin efektet e pritshme dhe situata e përhapjes së koronavirusit vijon të jetë shqetësuese, procesi i vaksinimit mbetet mekanizmi më i sigurt për të luftuar pandeminë.

Kryeministri Edi Rama tha sot se ëndrra dhe ambicia e tij është që “ne të kemi një fushatë intensive vaksinimi për ta lehtësuar maksimalisht sezonin turistik dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri shumë të ulët në raport me virusin, si rezultat i një fushate intensive që do këpusë shumë hallka të zinxhirit të infektimit”.

Rama megjithatë pranoi se gjithçka do të varet nga sasitë e vaksinave që vendi do të mund të garantojë.

-Advertisement-

“Faktikisht është një bast shumë i madh për sa kohë duhen siguruar sasitë e vaksinave dhe nuk është aspak gjëja më e lehtë që mund të bëhet sot, është gjëja më e vështirë”, tha ai.

E duket se pikërisht vështirësia për të siguruar vaksinat që deri më tani janë miratuar nga autoritetet e specializuara amerikane dhe evropiane, mund të çojë Shqipërinë që të hedhë sytë dhe nga prodhimet kineze apo ruse, ndonëse deri pak më parë kjo mundësi ishte përjashtuar.

Dje në Bruksel, ku ndodhej për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, çështja e vaksinave, siç pohoi dhe vetë kryeministri, kishte qenë një temë e diskutuar gjatë.

Në konferencën e shtypit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Rama la të kuptohej qartë se po sheh dhe për mundësi të tjera vaksinash.

“Edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”, deklaroi Rama.

Ndërsa sot, i pyetur rreth kësaj deklarate dhe faktit nëse kishin nisur kontakte konkrete për vaksina kineze apo ruse, kryeministri nuk e mohoi duke zgjedhur të mos jepte shpjegime të mëtejshme.

“Do më lejoni të mos bëj asnjë koment”, u përgjigj Rama.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka siguruar pak më shumë se 15 mijë vaksina. Mbi 32 mijë doza të Pfizer-it kanë mbërritur në vend, ndërsa pritet një furnizim periodik me disa dhjetëra mijëra doza të tjera po të vaksinës Pfizer dhe në muajt në vazhdim.

Sot mekanizimi COVAX njoftoi se deri në maj, Shqipëria do të marrë mbi 140 mijë doza të Astrazeneca-s. Sipas autoriteteve, një sasi prej më shumë se 14 mijë dozash të kësaj vaksine pritet të mbërrijë brenda 15 marsit. \ Voa

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera