Lajme

Shqipëria miraton çmimin e ri të energjisë elektrike

Autori: Gazeta inFokus 21:26 | 23 September 2022

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri në mbledhjen e sotme miratoi vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh dhe çmimin e ri që do paguajnë familjet që kalojnë këtë fashë do të jetë 42 lekë ose 0.36 euro kilovati pa TVSH.

Më herët, KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kWh/muaj, të jetë 34.3 lekë/kWh ose 0.29 euro, ndërsa për konsumatorët e tjerë do shitet aq sa tani 2.4 lekë ose 0.02 euro kilovati.

Pas kësaj kostoje FSHU kërkoi nga ERE vendosjen e çmimit të ri për konsumatorët familjarët.

-Advertisement-

“Vendimi është i domosdoshëm në kushtet e emergjencës së shpallur nga qeveria për furnizimin me energji elektrike. Çmimi mbulon kostot e blerjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet e huaja. Ky vendim përbën interes të lartë publik për të garantuar furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Kërkesa përmbush kushtet ligjore. Vlerësojmë se caktimi i çmimit 42 lekë ose 0.36 euro për kilovat do të mbulojë blerjen e energjisë dhe do të krijojë likuiditet për të importuar. Propozojmë vendosjen e çmimit 42 lekë ose 0.36 euro, për periudhën 1 tetor deri 31 dhjetor 2022”, tha relatori i vendimit.

Sekretari i bordit të ERE-s tha se, “nëse vendosim çmimin 42 lekë për kilovat ose 0.36 euro, fatura do të ndryshojë në këtë mënyrë, marrim si shembull konsumin familjar në vlerën 850 kilovatë në muaj:

800 kilovatë do të faturohen 9.5 lekë ose 0.08 euro për kilovat

50 kilovatë do të faturohen me 42 lekë ose 0.36 euro për kilovat

Shtohet 1940 lekë ose 16.66 TVSH dhe 100 lekë ose 0.86 euro tarifa e televizionit. Fatura do të shkojë 11.740 lekë”.

E pranishme në mbledhjen e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, reagoi për vendosjen e fashës 800 kWh dhe rritjen e çmimit nëse kalohet kjo fashë.

Tabaku tha se rritja e çmimeve nuk do të ketë ndikim pozitiv, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë, përkundrazi, do të rëndojë mbi qytetarët.

Ajo propozoi që çmimi i energjisë të mos rritet për familjarët dhe bizneset, pavarësisht konsumit, që pesha e shpenzimeve pas rritjes së kostos së energjisë t’i kalojë buxhetit të shtetit, si edhe taksimi me taksa shtesë kompanive që kanë dhënë energji elektrike me kosto shumë të larta në kohë krize.

“Në total FSHU llogarit që çmimi i shitjes për konsumatorët familjarë për sasinë mbi 800 kWh/muaj të jetë 42 lekë ose 0.36 euro /kWh. FSHU e paraqet kërkesën në ERE me arsyen se i janë rritur kostot e blerjes së energjisë elektrike nga KESH, dhe kërkon që këto të reflektohen në çmimin e shitjes për sasinë mbi 800 kWh/muaj për konsumatorët familjarë, ashtu sikurse është edhe vendimi i asamblesë së aksionerëve të KESH”, tha Tabaku, teksa shtoi se, llogaritjet kompania i bën bazuar në parashikime për sasinë që do të konsumohet mbi 800 kWh/muaj nga abonentët familjarë.

Ajo vuri në dukje se duke u nisur nga fakti që qeveria e paraqet këtë si mase për të reduktuar kërkesën për energjinë elektrike, do të ishte e nevojshme një analize kosto-përfitime për ndryshimin e politikës së çmimeve të shitjes së energjisë elektrike për 3 muajt e mbetur të vitit.

Sipas saj, përfitimet e pritura janë ulja në sasinë e konsumuar të energjisë elektrike nga familjarët, dhe kuptohet nëpërmjet rritjes së çmimit nga 9.5 lekë ose 0,082 /kWh në 42 lekë ose 0.36 euro /kWh mbulimin e kostove të blerjes nga importi të energjisë elektrike.

“Kostot nga rivendosja e fashës dihen, ato që kanë qenë arsyet për të cilat u hoq në vitin 2015. A është gati kompania të bëjë leximin e matësave korrekt çdo 30 ditë, kur vendimi po merret në një kohë kaq të shkurtër? Nëse jo, kjo do të shkaktojë probleme në leximin korrekt, e si rrjedhojë do rrisë ankesat e konsumatorëve për faturat dhe rritjen e mospagesave. Nga ana tjetër, ekzistenca e fashës do të nxisë konsumatorët të ndërhyjnë në matësa për t’i manipuluar që të tregojnë më pak se 800 kWh/muaj”, tha Tabaku.

Sipas saj, kjo do të ishte e pamundur nëse kompania do të kishte investuar në vendosjen e matësave inteligjentë, ose qoftë edhe në ruajtjen e bokseve kolektive të matësave në ndërtesat me shumë banorë.

Tabaku deklaroi se, “për sa kohe këto vazhdojnë të jenë problem këto anë teknike, atëherë kjo mund të jetë një tjetër kosto e kësaj politike çmimesh. Përpara se sa ERE të urdhëroje apo vendosë rritjen e çmimeve sipas oreksit të qeverisë duhet të mbrojë interesin publik, pra xhepin e qytetarëve”, teksa nënvizoi se, sipas të dhënave 27% e shpenzimeve të OSHEE shkojnë për blerje të energjisë nga tregu i lirë ndërkohë që 5% nga parqet fotovoltaike (energji e rinovueshme). Nëse do të kishim një politike proaktive ndaj diverisifikimit të energjisë (që ka munguar totalisht) sot do të ishim shumë herë më pak të varur nga rritja e çmimeve në bursë dhe mos rritja e çmimit te energjisë elektrike për konsumatorët familjare dhe për bizneset”.

Tabaku apeloi që të mos kalohet pesha e rritjes së energjisë elektrike te familjarët, sidomos për periudhën vjeshtë-dimër, kur parashikohet rritja e prodhimit hidrik në vendin tonë.

“Kalimi i peshës së rritjes së çmimeve tek buxheti i shtetit duke administruar më mirë kompanitë shtetërore si OSHE, OST, FSHU, KESH duke audituar plotësisht bilancet e tyre dhe praktikat e tyre. Taksimi me taksë ekstra të kompanive që kanë dhënë energji elektrike me çmime të larta në kohë krize është një mënyrë taksimi që e përdorin vendet e BE (Gjermania, Italia, por edhe vetë BE) sikundër dhe Mbretëria e Bashkuar, sidomos të kompanive hidrike që kanë përfituar nga rritja e çmimeve, edhe pse nuk prodhojnë energjinë elektrike përmes gazit”, deklaroi Tabaku. /ATSH/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera