Fokus

Shqipëria ia refuzon Behgjet Pacollit konsullin e dyshuar për shpërlarje parash (Dokument)

Autori: Gazeta inFokus 14:57 | 03 May 2019

Republika e Shqipërisë nuk ia ka pranuar Zëvendës-Kryeministrit  të parë dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm, të Kosovës, Behgjet Pacollit, ta bëjë konsull nderi biznesmenin Julian Morina.

Në një dokument që ka siguruar Gazeta inFokus Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për mosmiratimin e vendimit për konsull nderi të Morinës, i cili është partner në biznes me dy shtetasit indianë Nitin dhe Chetan Sandesara të akuzuar për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë i shpreh komplimentet e saj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe ka nderin që të përcjellë njoftimin mbi vendimin e Ministrisë për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë mbi mosmiratimin e kandidaturës për Konsull Nderi të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë të z.Juljan Morina”, thuhet në dokument.

Por kush është Juljan Morina që refuzoi biznesmenin kosovar, Pacollin.

Biznesmeni i ndërtimit, Juljan Morina së fundmi  është bërë partner në biznes me dy shtetasit indianë Nitin dhe Chetan Sandesara të akuzuar nga autoritetet e vendit të tyre për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve.

Këta të fundit janë duke e uzurpuar Shqipërinë me ndërtimet e tyre.

Përveç Tiranës janë duke ndërtuar dhe në bregdetin e Dhërmiut.

Kompleksi Drymades Dream,  është njëri nga komplekset i cili po ndërtohet nga biznesmeni Julian Morina dhe kompania “Laxmi real astate” në pronësi të dy vëllezërve Sandesara.

Vëllezërit indianë dyshohet se kanë përvetësuar dhe më pas pastruar mbi 725 milionë dollarë të marrë përmes kredive nga bankat shtetërore të Indisë. Një pjesë e këtyre parave duket se kanë ardhur në Shqipëri për tu investuar në sektorin e ndërtimit, jo vetëm në ndërtimin e pallateve në tiranë, por edhe resortet luksoze në bregdetin jugor e Shqipërisë./Gazeta inFokus/

 

Të tjera