Sport

Shqipëria bën historinë, mbyll kualifikimet për Botëror me 6 fitore

Autori: Gazeta inFokus 22:48 | 15 November 2021

Kombëtarja e Shqipërisë ka mbyllur kampanjën kualifikuese për Botërorin e vitit 2022 me fitore ndaj Andorrës.

Shqipëria bëri historinë gjatë kësaj kampanje duke mbledhur plotë 18 pikë, por që në fund ishin të pamjaftueshme për të kaluar grupin në njërin prej vendeve të para.

Golin për Shqipërinë e shënoi Endri Çekiçi nga penaltia në minutën e 71-të, pasi paraprakisht ishte ndaluar në mënyrë të palejuar Myrto Uzuni. Ky ishte goli i parë i Çekiçit në këto kualifikuese.

-Advertisement-

Shqipëria luajti këtë ndeshje me një formacion më modest, për shkak të mungesave nga lëndimet dhe suspendimet, ndaj një kundërshtari dukshëm më të dobët në kualitet. Gjithsesi, përkundër dominimit në posedim të topit dhe rasteve, Kombëtarja shqiptare shënoi vetëm një gol.

Kuq e Zinjtë e mbyllin këtë fushatë në vendin e tretë në Grupin I me 18 pikë, 6 fitore dhe 4 humbje, vetëm dy pikë larg Polonisë së vendit të dytë dhe një pikë përpara Hungarisë. Vendin e parë në këtë grup e mori Anglia me 26 pikë, e cila shkoi direkt në Botëror, ndërsa Polonia do të shkojë në play-off.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera