Lajme

Shqetësuese: Fëmijët kosovarë, 40% më pak të zhvilluar në aspektin fizik se sa vendet e rajonit

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 12 March 2024

Gjendja e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës janë arsyeja e mbledhjes së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Por, shqetësuese për anëtarët e komisionit sot, ishte edhe mos prezenca e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, e cila nuk ishte prezente për shkak të, siç u tha, të agjendës së ngjeshur.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit është ankuar se fondi i orëve të edukatës fizike është i pamjaftueshëm, infrastruktura duhet të përmirësohet, mungojnë pajisjet bazë dhe shumë probleme të tjera.

-Advertisement-

Dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi thotë se në një hulumtim që fakulteti ka bërë del se 40 për qind e performancës në aktiviteteve fizike, fëmijët kosovarë janë më pak të zhvilluar sesa në vendet e rajonit.

Ata kërkuan që të rritet numri i orëve në shkolla për lëndën e edukimit fizik.

“Arsyeja përse kemi kërkuar këtë takim është pikërisht nevoja që të ndryshojmë gjendjen kritike të cilën e kemi tek rinia jonë, fëmijët tanë në edukim fizik dhe sport. Ne jemi duke implementuar disa projekte të rëndësishme rreth edukimit fizik, përgatitjes fizike të fëmijëve, performancës së tyre, fitnesit dhe në parametrat që ne i kemi mat deri sot, kemi ardhur në përfundim që me vendet e rajonit jeni shumë larg dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme edukata fizike, fondi i orëve të edukatës fizike, mësimi i specialistëve nga klasa e parë në të pestën dhe po ashtu profesori i edukatës fizike të jetë prezent në orët tek fëmijët në parashkollorë. Në hulumtimin e fundit si fakultet që kemi bërë, del se 40 për qind të performancës të aktiviteteve fizike, fëmijët tanë janë më pak të zhvilluar sesa vendet e rajonit, kemi marrë mostra nga Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga Shqipëria, që është një situatë shumë kritike, sepse mendojmë që aktiviteti fizik sipas organizatës botërore të shëndetësisë, çdo fëmijë e ka patjetër që të ketë 60 minuta aktivitet fizik gjatë ditës. Fatkeqësisht, vendi ynë, i ka vetëm dy orë të edukatës fizike që është situatë që nuk mund ta krahasojmë me vendet e rajonit”, thotë Selimi.

Ndërsa, koordinatorja për promovimin e shëndetit në shkolla nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Leonora Shala, shton se çështja e orëve mësimore është sfiduese edhe për MAShTI-n, por shteti ka zgjedhur të jenë dy orë në atë kohë dhe është adresuar plan programi vetëm për dy orë të edukatës fizike. Ajo shton se pesë orë mund të realizohen përmes aktiviteteve ekstra korikulare.

“Në bazën e këtij programi, Ministria e Arsimit ka ndërhyrë në adresimin e çështjes të shëndetit për herë të parë në plan programin mësimor, duke adresuar të gjitha konceptet e shëndetit, duke filluar nga mirëqenia e plotë fizike, psikike, shëndetin mendor, vetëdijesimin, dukuritë negative, ushqimin e shëndetshëm dhe arsimin për zhvillim të qëndrueshëm dhe janë zgjedhur mësimdhënës të edukatës fizike për të adresuar këtë çështje gjatë orëve mësimore, duke realizuar edhe aktivitete të tjera sportive, kryesisht që i ndihmojnë edhe shëndetit të fëmijëve në shkolla. Është sfidë edhe për neve, çështja e orëve mësimore, por plan programi jonë për momentin, shteti ka zgjedhur me i pas dy orë në atë kohë dhe është adresuar plan programi vetëm për dy orë të edukatës fizike, ne dimë që ka shumë nevojë të jenë edhe pesë, por mund t’i realizojmë përmes aktiviteteve ekstra korikulare”, shton Shala.

Po ashtu, anëtarja e Komisionit për Arsim nga Lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Fejza, është shprehur e shqetësuar sepse efektiviteti i orëve mësimore është kaq i ulët dhe kjo e vë në pikëpyetje tërë përkushtimin që e kanë mësimdhënësit e edukatës fizike.

“Projekti sporti në shkolla, është një ndër fokuset e realizimit të këtij projekti e ka ngritjen e kapaciteteve për mësimdhënës në organizimin e aktiviteteve sportive, ky është një projekt i cili do të jetë gjashtë vite dhe në kuadër të këtyre gjashtë viteve synohen të realizohen disa objektiva, ndër të cilat është edhe zhvillimi i aktiviteti të rregullt sportiv dhe fizik, organizimi i garave sportive, fuqizimi i shkollave me pajisje sportive dhe përmirësimi i infrastrukturës sportive shkollore. Ky projekt ka filluar të zbatohet me 49 shkolla dhe 23 komuna të Republikës së Kosovës. Është shqetësuese ajo që sapo e dëgjuam si informacion, por që efektiviteti i orëve mësimore është kaq i ulët dhe kjo e vë në pikëpyetje tërë përkushtimin që e kanë mësimdhënësit e edukatës fizike. Në këtë drejtim konsideroj se kjo është një e dhënë shqetësuese dhe ne do t’i adresojmë në takimet që do t’i kemi me ministrinë e arsimit por edhe në institucionet e tjera “, shprehet ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera