Lajme

Shqetësuese: Çdo javë u zhdukën nga 5 persona në Kosovë

Autori: Doresa Geci 13:17 | 11 January 2020

Pothuajse çdo javë të vitit 2019, 5 persona mesatarisht janë paraqitur si të zhdukur nga familjaret e tyre.

255 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre pa ndonjë informacion, shkruan Gazeta inFokus.

Kështu të paktën thonë të dhënat që Gazeta inFokus ka marrë nga Policia e Kosovës.

Një numër i tyre janë gjetur dhe kthyer të gjallë në shtëpi, e disa të tjerë kanë pasur një fund tragjik.

Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, numri kaq i madh i personave të zhdukur në Kosovë vjen për arsye dhe faktorë të ndryshëm.

“Arsyja pse ndodh kjo dukuri kryesisht ndërlidhet të familjet që në aspektin e kushteve ekonomike , sociale nuk qëndrojnë mirë në shoqëri” , ka deklaruar ai.

Mungesa e mirëqenies sociale dhe faktorë të tjerë, sipas Shalës po ndikojnë që kjo dukuri po rritet në Kosovë.

Shqetësuese këtë fenomen po e sheh edhe sociologu, Ferdi Kamberi.

Sipas tij numri i personave që braktisin familjen për arsye të ndryshme është në ngritjes që pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Çështja e braktisjes së familjes apo shtëpisë pas vitit 1999 e këtej ka shënuar një rritje enorme e cila si fenomen shoqëror paraqet një problem shqetësues që duhet analizuar, sidomos shkaqet dhe pasojat e braktisjes/ikjes së tillë. Ikja e personave nga shtëpia për shkaqe dhe rrethana të ndryshme ndodhë në çdo shoqëri dhe kulturë. Një problem i tillë ka prekur edhe shoqërinë kosovare”, deklaron Kamberi.

Edhe Kamberi pajtohet që faktorët ekonomike, socialë, kulturorë dhe politikë, po shtyjnë në braktisjen/largimin nga familja.

“Mungesa e përkrahjes nga familja në situata të ndryshme, nevoja për të qenë vetëm, depresioni, stresi post-traumatik, papunësia e lartë e cila ka prodhuar një varfëri të lartë dhe se Kosova konsiderohet si vendi më i varfër në Evropë, sëmundjet kronike, shmangia e përgjegjësive, janë disa nga faktorët”, thekson ai.

Mirëpo sipas tij, ikjet mund të jenë edhe si rezultat i migrimeve, ku personat në fjalë shfaqen më vonë në vendet tjera.

“Poashtu bashkimet martesore, të cilat më parë nuk janë aprovuar nga familja, problemi i divorcit, kidnapimi, abuzimi me droga, trafikimi me qenie njerëzore janë arsyet e ikjes/braktisjes së familjes”, shton Kamberi, për Gazetën inFokus.

Institucioni kryesorë i cili duhet të evitoj këtë problem sipas njohësit të sigurisë, Shala, është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Më ketë fenomen është mirë që të merret Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Krahas kësaj të angazhohen edhe psikologët dhe sociologët duke nxjerrë evidenca e çdo parregullsi që ky fenomen mos të ndodh në të ardhmen”, ka thënë ai për inFokus.

Sipas Kamberit zgjidhja e këtij problemi është familja e cila duhet të komunikojë më shumë me anëtarët e saj.
Poashtu bashkëpunim me institucionet e sigurese është i rëndësishëm.

Rolin e institucioneve të sigurisë, Shala e konsideron dytësor në këto raste.

“Institucionet e sigurisë, (Policia)janë më shumë në rolin dytësor në procesin e parandalimit. Ata mund t’i asistojnë në këtë fazë vetëm institucioneve primare siç janë : Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale , si dhe në departamentet përkatëse, shkollat dhe qendrat tjera sociale në kuadër të ministra”, thekson ai.

Bashkëpunim më Policinë ka kërkuar sociologu Kamberi.

Ai kërkon që rast të zhdukjes së personave, familja së bashku me komunitetin duhet të punojnë më ngushtë me organet e sigurisë, në mënyrë që çështjet e tilla të trajtohen me urgjencë në mënyrë qe mos të bëhet vonë./Gazeta inFokus.

Të tjera