Shpresojmë që normalizimi Kosovë-Serbi të çojë te njohja e ndërsjellë, thotë Richard Verma
Autori: Gazeta inFokus 21:19 | 10 January 2025
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, tha se shpreson që procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Verma, në një intervistë për KTV-në përsëriti mbështetjen për dialogun e Brukselit, që tha se është e rëndësishme që palët të përmbushin zotimet që kanë marrë vite më parë.
“Mendoj se të gjithë ne shpresojmë për një shkallë normalizimi që do të çonte te njohja e ndërsjellë. Por, për të arritur deri në atë pikë duhet të ndërmerren disa hapa dhe kjo gjë besoj dhe mendoj se procesi i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, do të çojë deri në atë pikë, nëse zbatohet siç duhet”, tha ai.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011. Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë, kjo marrëveshje, sipas BE-së, nuk ka nisur të zbatohet nga palët.
I pyetur për garancitë që komuniteti ndërkombëtar mund t’i japë Kosovës në rast se zbaton pjesën e vet të marrëveshjes, Verma tha se ky pakt është i obligueshëm, pavarësisht se Serbia ka shprehur rezerva për të.
Beogradi ka refuzuar që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por BE-ja ka thënë se ajo është obliguese për palët.
“Ne besojmë se kushtet e marrëveshjes janë ligjërisht të obligueshme dhe të dyja vendet janë zotuar për parimet e kësaj marrëveshjeje. Kështu që ajo që mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale, si dhe për njerëzit, të cilët prosperojnë që të dyja vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha zyrtari i lartë amerikan.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti u përball me kritika nga Uashingtoni për shkak të disa veprimeve në veri të Kosovës, që SHBA-ja dhe BE-ja i cilësuan si veprime të njëanshme.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që përfundoi mandatin e tij disa ditë më parë, kishte deklaruar më herët se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.
Verma tha se kur Uashingtoni dhe Prishtina kanë sfida e mosmarrëveshje, “flasim hapur për to”.
“Dhe e përmenda se ndonjëherë veprimet e njëanshme, për shembull, si mbyllja e disa institucioneve, mund të dërgojë po ashtu sinjalin e gabuar se ku përshtaten serbët e Kosovës në shoqëri dhe mendoj se kjo ka qenë sfiduese për përparimin e vazhdueshëm në diskutimin e lehtësuar mes dy shteteve. Ne e kemi një zotim të rëndësishëm e të qëndrueshëm ndaj popullit të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë”, tha ai, duke shtuar se takimet që realizojë gjatë ditës me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani ishin takime “shumë të mira”.
Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Vizita e Vermas po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. /Radio Evropa e Lirë
Të tjera
-
Vranësira e reshje bore – Parashikimi i motit për fundjavë
Moti gjatë kësaj fundjave në Kosovë pritet të jetë i vranët e me reshje bore....
-
“Në rastin e Banjskës spitali i Mitrovicës s’kishte as penjë” – Deputetja Rrezarta Krasniqi me kritika të forta për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar m...
-
Virusi i ri kinez mbërrin Shqipëri? – Mjekët thonë se ende nuk ka raste të konfirmuara
Virusi më i ri kinez, apo i njohur me emrin “Metapneumovirusi” mund të jetë d...
-
Kërkohet hetim ndërkombëtar për vrạsjet në qytetin e Cetinjes
Asambleja Komunale e Cetinës kërkoi të premten që personat përgjegjës për sig...
-
Hetimi për sụlmin në Ibër-Lepenc, Verma: FBI po punon me agresivitet për të gjetur sụlmuesit, që ata të japin llogari
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verm...
-
Kosova, pjesëmarrëse në takimin e 15-të në selinë e NATO-s për mbrojtjen e Ukrainës
Në Selinë e NATO-s, nën drejtimin e ShBA-së, u mbajt takimi i 15-të i radhës/...
-
Java e ardhshme me temperatura tipike dimërore, IHMK: Kujdes në komunikacion
Gjatë fundjavës pritet të marrë mot i vranët dhe me reshje bore. Nga Insti...
-
Ferat Shala në Komoran: Ky vit është një vit i fitores të Partisë Demokratike
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shal...
-
Daut Haradinaj në Gjilan: Numri 137 është numri që e nisi dhe do ta përfundojë autostradën
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), D...
-
27-vjeçi ra në lumë në fund të vitit të kaluar, FSK-ja s’e gjeti as sonte
Policia e Kosovës dhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zhvilluar n...
-
Haradinaj për gratë kosovare: Bartëset e vërteta të ndryshimit dhe zhvillimit
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj ka mbajtur takim me gra...
-
PDK hapë zyrtarisht fushatën nesër në sallën “1 Tetori” në Prishtinë
Partia Demokratike e Kosovës hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet e Përgjit...