Lifestyle

Shprehuni me lule!

Autori: Gazeta inFokus 22:34 | 23 July 2017

Lulja është dhurata ideale, të cilën mund t’ia dhuroni kujtdo dhe në çfarëdo rasti. Megjithatë, edhe këtu ekzistojnë disa rregulla të caktuara.

Që nga koha e hershme njeriu me anë të lules, në fakt me bukurinë e saj, e ka festuar jetën e tij, por njëkohësisht me anë të lules e pranon edhe fatin e jetës duke vendosur buqete mbi varret e më të dashurve.

Lulja me anë të ngjyrave të saj, të cilat natyra në mënyrë të pagabueshme i kombinon, me anë të aromave të këndshme dhe pamjen joshëse, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen, nuhatjen dhe ka qenë frymëzimi më i madh i njeriut.

-Advertisement-

Sot rrallëkush e kupton simbolikën e lules, ndoshta kjo ndodh për shkak se shumë rrallë komunikohet me këtë dhuratë të natyrës. Dikur zonjat kanë qarë mbi buqetat e krizantemave të bardha ose janë gëzuar me trëndafilat e bardhë, transmeton Telegrafi.

Qëllimi i dhënies së trëndafilave të kuq është i njohur edhe nga gjeneratat e tanishme, mirëpo duket se biseda të cilën ata e bëjnë thellohet në harresë dhe kështu trëndafili i kuq shndërrohet në një stereotip, pas të cilit rrallë rreh zemra e një femre.

Shumica e femrave edhe tani, ndjehen mirë kur pranojnë lule nga dikush. Mirëpo, fatkeqësisht, janë vetëm 8 Marsi, Shën Valentini ose përvjetori i martesës, kur meshkujt u dhurojnë lule të dashurave të tyre. Ndërsa përveç se në këto data, meshkujt në asnjë periudhë tjetër të vitit nuk u dhurojnë lule partnereve të tyre.

Duhet ditur se lule nuk dhurojnë vetëm meshkujt dhe lulet nuk dhurohen vetëm për arsye sentimentale. Lule do t’i dhuroni dikujt edhe për ditëlindje, martesë, varrim, si edhe në të gjitha rastet kur dëshironi ta tregoni përkushtimin tuaj, kujdesin, simpatinë ose falënderimin ndaj personit tjetër.

Kudo që të shkoni, nëse mbani një buqetë të bukur me lule, do të mirëpriteni sepse me lule nuk mund të gaboni, ndërsa me ndonjë dhuratë tjetër mundësitë janë të mëdha që të bëni zgjedhjen e gabuar.

Lule në çdo rast

Në princip ekziston lule për çdo eveniment. Megjithatë, duke ditur se jeta tani është dinamike dhe njerëzit nuk kanë kohë t’i mësojnë emrat e luleve dhe simbolikën e secilës prej tyre, mjafton që t’i dini disa rregulla të bontonit për lulet.

Në fillim, para se të vendosni për blerjen e ndonjë luleje ose para se të filloni rregullimin e luleve, mendoni mirë për zgjedhjen që bëni, sepse lulja që do ta zgjidhni tregon atë që ju ndjeni për evenimentin e caktuar.

Kështu, nëse shkoni në dasmë, vendosni për zambak të bardhë ose trëndafil të bardhë, sepse simbolizojnë pastërtinë dhe pafajësinë, ndërsa mund t’i kombinoni me disa karafila, po ashtu me ngjyrë të bardhë. Në asnjë mënyrë mos merrni vetëm karafila, sepse do të mendojnë se keni dashur të kurseni. Nëse nuk e njihni mirë çiftin që martohet, blini shpatore, sepse kanë pak karakter sentimental dhe shprehin dëshirën për t’u miqësuar.

Në aranzhmanin e luleve të dedikuara për ndonjë martesë, domosdoshmërish futni bredhkan, e cila simbolizon trashëgiminë dhe jetën e ëmbël. Për të njëjtin eveniment, por për kombinime ekzotike dhe ekskluzive mund të zgjidhni bambu, që simbolizon përkushtimin dhe përjetësinë e lidhjes martesore. Madje mund të dhuroni edhe gjembaç, i cili simbolizon mbrojtjen e jashtme edhe të zemrës.

Për dallim nga martesa, është shumë më vështirë të zgjedhësh lule për varrim. Nuk do të gaboni nëse merrni karafila, zambakë, krizantema ose gladiola, mundësisht me ngjyrë të bardhë. Nganjëherë dërgohen edhe trëndafila të kuqërremtë, nëse i ndjeri ka vdekur i ri. Nëse nuk keni mundësi të shkoni në varrim, dërgoni ndonjë lule me porosi të shkruar, e cila me çdo kusht duhet të jetë e shkruar me dorë.

Nëse jeni të sigurt për rëndësinë e ndonjë luleje, atëherë edhe vetë mund ta bëni rregullimin. Nëse gjatë ndreqjes së luleve, në to futni edhe Margarita, atëherë dikujt do t’i uroni jetë të gjatë, dhurimi i orkidesë u ofron përkrahje dhe gëzim atyre të cilët kanë lindur fëmijë, ndërsa nëse kanë lindur binjakë, atëherë dhuroni valerianë.

Personit që e dashuroni, i dhuroni trëndafil të kuq që simbolizon dashurinë e përhershme me pasion. Trëndafilat e kuq dhurohen edhe si shenjë falënderimi për kryerjen e ndonjë shërbimi, ose kur dikush e ka kryer mirë punën.

Trëndafili i bardhë tregon sinqeritetin, mistifikimin, spiritualitetin dhe paqen.

Trëndafili i verdhë, personit të cilit i dhurohet i ofron mbështetje dhe gëzim, ndërsa në dashuri simbolizon xhelozinë.

Kombinimi i trëndafilave të kuq dhe të bardhë, jep mesazhin e harmonisë në dashuri. Trëndafilat e kuq të zbehtë do të thonë miqësi, përkushtim, afërsi dhe admirim.

Trëndafilat e kaltër, zakonisht nuk pëlqehen, pasi që janë të ngjyrosur artificialisht dhe simbolizojnë të pamundurën, ndërsa trëndafili i kuq i errët tregon ekscentriken, dëshirën për ndarje dhe lë një përshtypje të sëmurë, sidomos nëse është tufë lulesh.

Trëndafili pa gjemba ka kuptimin e dashurisë në shikim të parë.

Nëse i dhuroni trëndafil të kuq mashkullit, atëherë ia keni dhuruar besnikërinë tuaj.

Vjollcat janë shenjë e devotshmërisë, zymbylat simbolizojnë besnikërinë dhe panënshtrimin, ndërsa tulipanët janë simbol i krenarisë dhe famës.

Lulebore dhuroni dikujt me të cilin keni pasur një zënkë dhe dëshironi të pajtoheni. Për të dashurit lulebora ka kuptimin: “Të kam ëndërruar” ose “A mund të të besoj?”.

Është interesante se lulja e cila mund të ketë vlerë më të madhe edhe se trëndafili i kuq për një femër, është lulja dielldashëse (valeriana), sepse simbolizon faktin që mashkulli është i gatshëm të rrotullohet gjithmonë dhe vetëm në drejtim të asaj që dashuron.

Dhuratë pa gabim

Lulet e freskëta në formë tufe të rregulluara në vaze, shportë ose si kërcell, mund t’i dhuroni në të gjitha evenimentet, pos në rastet kur jeni duke shkuar në ndonjë takim zyrtar, ku asnjëherë nuk dërgohet lule. Në disa vende, lulet dhurohen të mbështjella me celofan apo rrjetë, që mund të duket shumë bukur, nëse luleshitësi ka shije dhe përvojë, përndryshe nuk do t’ju pëlqejë buqeta me lule.

Dhurimi i luleve është i ndryshëm në vende të ndryshme. Megjithatë, vetëm një lule, pavarësisht llojit, jepet për arsye sentimentale, tre deri pesë lule mjaftojnë për përvjetorin e martesës ose për ditëlindje, ndërsa më shumë (por duke mos e tepruar, deri në 12 lule) merrni në evenimentet e rëndësishme. Por edhe këtu duhet të keni kujdes, sepse buqeta shumë e madhe mund të duket si shkurre dhe mund të jetë shenjë e mungesës së shijes.

Gjithmonë vlerësojeni mirë sasinë e luleve që të mos dukeni qesharak. Po ashtu, thuhet se nuk është mirë t’u dhurohen femrave orkide sepse e përkujtojnë femrën për organin e saj seksual, ndërsa asnjëherë nuk dhurohet vetëm një orkide (përveç në rastet kur është paketuar shumë bukur). Për darkë me partneren është mirë të rregullohen vetëm dy lule, të cilat do të krijojnë një atmosferë të këndshme dhe romantike.

Mos dërgoni në spital lule me aromë të fuqishme,transmeton Telegrafi. Në këto raste merrni një shportë me pemë, sepse vitaminat dhe ngjyrat e çela do t’i ndihmojnë të sëmurit të rikuperohet shpejtë dhe do t’ia kthejë optimizmin.

Edhe femrat mund t’u dhurojnë lule meshkujve, në mënyrë të njëjtë. Zgjedhja më e mirë për t’i dhuruar lule mashkullit, janë lulet me ngjyra të fuqishme, të kuqe, të verdhë ose të portokalltë.

Nëse i dhuroni një tufë lule të dashurit, atëherë kujdes që buqeta të jetë sa më e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për mashkull…

Nëse nuk jeni në gjendje që t’i dërgoni lulet personalisht, atëherë shkruani një pusullë. Asnjëherë mos dërgoni lule anonim. Nëse këtë e keni bërë atëherë është koha që të prezantoheni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera