Lajme

Shpërthimet në Erbil, reagojnë zyrtarët kurdë: Ishte sulm terrorist

Autori: Gazeta inFokus 09:03 | 13 March 2022

Kanë ardhur edhe reagimet e para, pasi një duzinë raketash balistike të lëshuara nga jashtë Irakut goditën kryeqytetin rajonal kurd të vendit, Erbil.

Masrour Barzani, kryeministri i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut verior (KRG) dënoi sulmin.

“Erbili nuk do të përkulet para frikacakëve. Dënoj fuqishëm sulmin terrorist”, shkruan Barzani.

-Advertisement-

Po ashtu, guvernatori i Erbil-it, Omed Khoshnaw, deklaroi se disa raketa ranë në zonë, duke thënë se ishte e paqartë nëse objektivi ishte konsullata amerikane apo aeroporti në qytet.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë së Kurdistan-it deklaroi se nuk ka pasur të lënduar apo të vdekur nga sulmi i së shtunës mbrëma.

Forcat amerikane të stacionuara në kompleksin e aeroportit ndërkombëtar të Erbilit në të kaluarën janë sulmuar nga raketat dhe dronët për të cilat zyrtarët amerikanë fajësojnë grupet e armatosura të lidhura me Iranin, por asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur për disa muaj.

Herën e fundit që raketat balistike u drejtuan ndaj forcave amerikane ishte në janar 2020 – një hakmarrje iraniane për vrasjen nga SHBA-të në fillim të atij muaji të komandantit të saj ushtarak, Qassem Soleimani, në aeroportin e Bagdadit.

Asnjë personel amerikan nuk u vra në sulmin e vitit 2020, por shumë pësuan lëndime në kokë.

Dyshimet e para

Lajmi u konfirmua nga vetë zyrtarët kurdë, të cilët shtuan se nuk ka viktima. Nuk kishte asnjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë apo detaje të mëtejshme.

Një korrespondent i televizionit shtetëror iranian tha se, raketat kishin për qëllim “bazat sekrete izraelite”, por nuk dha informacione të mëtejshme.

Por, kjo u hodh poshtë nga guvernatori, Omed Khoshnaw, i cili mohoi praninë e bazave izraelite në Erbil, duke i quajtur të pabaza të gjitha pretendimet se sulmi me raketa kishte në shënjestër pozicionet izraelite.

Burime për Albanian Post nga gazetarë të mediave lokale, kanë bërë me dije se janë parë disa drita në qiell fillimisht dhe njerëzit kanë filluar t’i filmojnë ato, pa ditur situatën.

Më pas, është kuptuar se është bërë fjalë për raketa, të cilat kanë goditur disa pika në Erbil.

Sipas burimeve të Albanian Post, disa prej sulmeve mund të jenë nisur prej bazës së Kermanshah, në Kurdistanin iranian dhe janë drejtuar për nga konsullata amerikane dhe aeroporti.

Pjesa tjetër, mendohet se janë nisur nga një bazë tjetër e afërt me Tabrizin, ku gjendet Azerbajxhani iranian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera