Sport

‘Shpërthen’ Klodian Duro pas humbjes nga Drita, ka disa fjalë për gjyqtarët dhe gjilanasit

Autori: Gazeta inFokus 16:01 | 07 March 2021

Feronikeli është mposhtur në shtëpi nga Drita me rezultat minimal 1-0, në duelin e vlefshëm për xhiron e 23-të në elitën e futbollit kosovar, shkruan Gazeta inFokus.

Në takimin e zhvilluar në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas, golin e vetëm për kampionët aktual e shënoi Festim Alidema.

Alidema realizoi një supergol në minutën e 90+4’ për ti dhuruar tri pikë të arta skuadrës së tij.

-Advertisement-

Pas përfundimit të ndeshjes ka folur trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, i cili ka thënë se të gjithë e kanë parë atë që ndodhi sot, duke aluduar në ndarjen e drejtësisë.

“Është ditë e diel, mot me diel dhe të gjithë e pamë atë se çfarë ndodhi. Rregullat janë të qarta, kur futbollisti ka dorën e hapur dhe prek topin me dorë është penalti. Gjyqtari na tha që ua fala një rast një minutën e 40-të dhe jemi barazim. Këtu nuk ka barazim të rasteve, sepse po të shënonim loja do të ishte më ndryshe”, filloi deklaratën Duro.

Tutje tekniku shqiptar kritikoi edhe lojën e skuadrës mysafire.

“Drita kishte udhëtuar me taktikë të veçantë. Çdo ndërprerje futbollistët e kësaj skuadre shtriheshin dhe gjyqtari akordonte penalti. Kjo nuk është aspak në rregull sepse mbi të gjitha nuk i kontribon lojës së futbollit dhe lojës së fair-playt të cilën e promovojmë”, shtoi më pas Duro.

Për fund Duro theksoi se është i kënaqur me lojtarët e tij, teksa shtoi se dhe barazimi sot nuk do ta kënaqte.

“Feronikeli luan futboll të bukur dhe këtë e shohin të gjithë. Ne krijojmë raste dhe luajmë për të fituar. Normalisht që nuk do të isha i kënaqur as me barazimin. Unë dëshiroj t’i përgëzoj çunat për ndeshjen e treguar sot”, përfundoi Duro.

Pas kësaj humbje, Feronikeli mbetet i gjashti me 27 pikë të grumbulluara./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera