Lajme

Shpend Ahmeti jep dorëheqje nga VV javën e ardhshme, nëse marrëveshja nuk arrihet të hënën

Autori: Gazeta inFokus 17:50 | 13 January 2018

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje do të takohet me Grupin Parlamentar të partisë të hënën për të kërkuar zgjidhje rreth përçarjes së partisë, ose për t’u ndarë përfundimisht.

Express ka mësuar se ky takim do të jetë vendimtari për pozicionimin e Shpend Ahmetit. Ai pas këtij takimi do të vendosë nëse do të qëndrojë në VV ose do t’i bashkëngjitet shokëve të tij, Visarit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut e të dorëhequrve tjerë.

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që të mbajë një mbledhje pjesë e të cilës do të jenë Grupi Parlamentar, në mënyrë që përfundimisht të gjendet një zgjidhje për shpëtimin e partisë ose ndarjen e plotë të saj.

-Advertisement-

Qëndrimet e pothuajse të gjithëve dihen. Kjo mbledhje pritet që më në fund edhe Shpend Ahmetin ta nxjerrë me një qëndrim.

Nga një burim i afërt me Shpend Ahmetin, mësohet se kryetari i Prishtinës ka ndarë mendjen lidhur me fatin e tij në parti. Sipas këtij burimi, nëse Shpend Ahmeti nuk merret vesh me Albinin dhe nëse nuk tejkalohen ndarjet, ai do të jap dorëheqje nga VV.

Kjo mbledhje nuk duket se po pritet nga të gjitha anët me entuziasëm për të tejkaluar krizën e thelluar në parti.

Dardan Molliqaj me anë të një postimin në Facebook, është shprehur i kënaqur me vendimin e Kryesisë së Partisë, që t’i jepet një shancë përmirësimit të gjendjes.

“Lajm shumë i mirë për Lëvizjen, aktivistët e saj si dhe për të gjithë simpatizuesit tanë vendimi i djeshëm i Kryesisë së Lëvizjes për takim të përbashkët me Grupin Parlamentar për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë, takim ky në të cilin padyshim se do të marrë pjesë”, kishte shkruar Molliqaj pas mbledhjes së fundit që e mbajti kryesia e partisë të enjtën.

Ndryshe nga ai, Albin Kurti duket se nuk ka dashur mundësi për rregullimin e raporteve. Ai ka abstenuar kur është kërkuar që të votohet për mbajtjen ose jo të një mbledhjeje tjetër, së bashku me Grupin Parlamentar.

Molliqaj, të enjten shkroi se ndjehet i zhgënjyer që anëtarët e Kryesisë, Albin Kurti dhe Xhelal Svecla, të cilët janë edhe deputetë, nuk votuan pro kësaj iniciative, por abstenuan.

Nga kjo, duket se Albini, si kandidat i vetëm për kryetar të partisë, nuk ka vullnet që të bëhen përpjekje për përmirësimin e Vetëvendosjes së përcarë. Dhe, nëse kjo frymë ekziston e nëse nuk tejkalohen ndarjet, atëherë me shumë gjasë Ahmeti gjatë javës së ardhshme do të jetë dorëheqja e radhës, ndoshta edhe e fundit e Vetëvnedosjes sepse kanë ikur pothuajse të gjithë që i takonin krahut të Dardan Molliqajt.

Molliqaj ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë mbledhje. Nëse kanë qëndrim të njëjtë, edhe të dorëhequrit e tjerë do të veprojnë njëjtë.

Ndërsa krahu i Albin Kurtit, marrë parasysh abstenimin e ‘liderit’ të tyre nuk dihet nëse do të jenë të pranishëm ose jo. Është Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se është pro kësaj iniciative.

“Une kam perkrahur takimin e perbashket dhe i kam arsyet per kete! Nese edhe 1% ka shansa per unifikim, duhet te punojme ne kete drejtim e kemi borxh para qytetareve dhe ja kemi borxh Republikes se Kosoves!”, ka shkruar Haxhiu në FB./Express

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera