Ekonomi

Shkurtimet e dhimbshme të buxhetit nga Qeveria Haradinaj

Autori: Gazeta inFokus 12:01 | 05 October 2017

Qeveria e Kosovës nuk i ka më 2 miliardë euro për ti shpenzuar deri në fund të vitit. Buxheti i hartuar nga Isa Mustafa do të zbritet në 1.8 miliardë euro me vendim të kryeministrit të ri, Ramush Haradinaj.

Kështu, shumë projekte të planifikuara për vitin 2017 nuk do të mund të realizohen pas rishikimit të buxhetit në të cilin parashihen shkurtime të mëdha në shpenzime.

Gazeta Fjala, posedon draft ligjin e buxhetit të rishikuar ku parashihet zvogëlim prej 214 milionë euro për investime kapitale e 17 milionë euro për paga dhe mëditje.

-Advertisement-

Ndërsa do të rriten shpenzimet për mallra dhe shërbime ku hyjnë drekat e darkat zyrtare e subvencione e transfere ku përfshihen veteranët e luftës.

Për këta të fundit nuk do të ketë më kufizim për të ardhurat, siç ka qenë e paraparë deri më tani me nenin 24 në ligjin e buxhetit, i cili është propozuar të hiqet.

Ky nen parashihte që totali i shpenzimeve në skemën e pensioneve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të tejkalojë shumën prej 38 milionë euro për vitin fiskal 2017.

Ekzekutivi në atë kohë e pati arsyetuar kufizimin me ligj për pagesat e veteranëve si kërkesë e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë për të ruajtur stabilitetin buxhetor për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të veteranëve.

Në bazë të propozimit të ministrisë së Financave, 20 milionë euro më pak do të ketë për projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, shkruan Gazeta Fjala.

Nga 200 milionë euro sa ishin paraparë në fillim, me rishikimin e buxhetit për këtë projekt do të shkojnë 180 milionë euro për të cilat nuk jepen detaje se nga do të sigurohen.

Në përgjithësi, projektet infrastrukturore shihen të jenë më të prekura nga shkurtimet, pasi Ministrisë së Infrastrukturës do ti zvogëlohet buxheti për 44 milionë euro nga 297 milionë euro sa ishte miratuar në fillim të vitit.

Pjesa më e madhe do të hiqet nga projektet kapitale të cilat do ti barten Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky institucion do të rris buxhetin nga 376 milionë në 399 milionë euro.

buxhetiiiiiiiiiiiiiiHaradinaj rritë buxhetin për vete

Më pak para deri në fund të vitit do të ketë ne dispozicion edhe kryekuvendari, Kadri Veseli me deputetët.

Me ndryshimet që pritet të bëhen gjatë rishikimit Kuvendit të Kosovës do ti zbres buxheti në 9.5 milionë euro nga 9.8 milionë euro.

Por, jo të gjithë do të kenë zvogëlime buxhetore.

I pari i vendit, Presidenti Hashim Thaçi do të ketë edhe 100 mijë euro më shumë për kabinetin e tij nga 2 milionë euro sa ishin paraparë.

Gjithashtu, edhe për kryeministrin e ri, Ramush Haradinaj, është paraparë rritje prej 1 milionë euro, në 15 milionë nga 14 milionë euro sa kishte kryeministri para tij.

Ndërkaq, për dy ministritë e reja të themeluara në këtë mandat qeverisës, Ministrinë e zhvillimit Rajonal dhe atë të Inovacionit është paraparë vetëm nga 35 mijë euro buxhet./Gazeta Fjala/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera