Kulturë

Shkrimtari dhe gazetari Arbër Selmani në shkurt vjen me librin e dytë

Autori: Gazeta inFokus 16:30 | 13 January 2021

Selmani, i cili deri tash i ka të botuara dy libra, njërin me poezi për fëmijë (Pse hidhërohet gjyshi – 2005) dhe librin me shkrime gazetareske ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ – 2019, para pak ditësh është botuar edhe në ExLibris – gazetë kulturore e cila botohet nga Shtëpia Botuese Onufri.

Selmani sidomos kohëve të fundit njihet për poezinë ‘Kur vdiq baba’ e cila sikur është kthyer në një himn e elegji për njerëzit që i humbasim.

Poezia shpërndahet shumë nëpër rrjete sociale dhe do të jetë pjesë e një libri që Selmani e planifikon ta botojë këtë vit.

-Advertisement-

Poezia në fjalë, por edhe pozitë tjera të Selmanit, janë përkthyer në turqisht, sllovenisht, anglisht e serbokroatisht.

Gjatë muajve të fundit, Selmani ka gjetur botim edhe në gjuhën serbokroate, në platformën Hiperboreja dhe në platformën kulturore Portal Strane.

Selmani për Insajderin ka treguar se është në përgatitje të dy librave për këtë vit: libri i dytë në vëllimin ‘Kosova në 14 tregime kulturore, 2’ – libër që do të botohet gjatë muajit shkurt dhe do të ketë edhe një promovim të vogël, si dhe së shpejti vjen edhe libri me poezi dhe prozë të shkurtër.

Kur vdiq baba,

vdiq një pjesë e imja,
vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të,
vdiqën këmishat e tij
vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë
vdiq ditë e bekuar,
vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata
andrrat që si pata
vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.

Kur vdiq baba,
Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,
Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë nuk u tregua më,
Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje,
Se nuk quhet jetë
Kur cdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.

Kur vdiq baba,
Vdiqa copë copë në tepihun e banjos.
U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrë,
Për ta parë vdekjen time,
Për të harruar sa trupi po vdiste po të njëjtën ditë.

Kur vdiq baba,
Kush nuk u kfill më në shtëpinë time,
Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë,
vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë.
Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote,
Vdiqën gratë të cilave natyra iu dhe shkelma shpesh e më shpesh.
Vdiq me babën edhe lumturia ime,
Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë,
Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar,
Vdiq i dashuri im i harruar,
Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë,
Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.

Me babën ka vdekur edhe e bukura,
Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit,
Kur vdiq baba,
E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit
I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai
Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës,
Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë
Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot,
Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot sokaqeve.
Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.

Kur vdiq baba,
Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë,
Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend,
I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova
Kur vdiq baba,
Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,
Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,
Kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë.
Kur vdiq baba,
U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera