Fokus

Shkollat që po i bëjnë fëmijët “sakat”

Autori: Doresa Geci 13:16 | 13 April 2019

B.D dhe L.F janë nxënës të klasës së tretë në shkollën “Azem Bejta” në komunën e Skenderajt.

Krahas mësimeve që marrin në lëndën e gjuhës shqipe, ata janë të detyruar që të dëgjojnë edhe mësimet e historisë për Gjergj Kastriotin, të cilët në bazë të planë-programit mësimor janë të dedikuar vetëm për  nxënësit e klasës së pestë.

Gazeta inFokus ka siguruar të dhëna nga Ministria e Arsimit se në këtë formë mësojnë edhe 115 shkolla tjera në tërë Kosovën.

-Advertisement-

Kjo mënyrë e mbajtjes së mësimit, vlerësohet negative dhe aspak e dobishme për nxënësit, si nga ekspertët e arsimit ashtu edhe nga vetë zyrtarët e Ministrisë. Megjithatë këta të fundit arsyetojnë mbajtjen e orëve të kombinuara me numrin e vogël të nxënësve nëpër shkolla.

Por, njohës të fushës thonë se arsyeja ekzistimit të paraleleve të kombinuara është për të ruajtur vendet e punës së mësimdhënësve, e jo për interesin e fëmijëve.

Mësimi në paralele të kombinuara është krejtësisht joefektiv

Që efekti i kësaj mënyre të mbajtjes së mësimit është negativ e thotë edhe Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës , Dukagjin Popovci.

Sipas tij nxënësit të cilët mësojnë në këto klasa jo vetëm që nuk mundë të bashkëveprojnë por ata vetëm sa e pengojnë njëri-tjetrin.

“Mësimi në paralele të kombinuara është krejtësisht joefektiv, sepse brenda një dhome, në kohë të njëjtë realizohet disa plani-programe mësimore me nxënës të grupmoshave të ndryshme. Aty nuk ka bashkëveprim në mes të fëmijëve, por ka pengim të njëri-tjetrit”, ka thënë ai për gazetën inFokus.

Edhe sipas Udhëheqëses se Divizionit për Arsim në MASHT Ryve Prekorogja, të mësuarit në klasë të kombinuar nuk është produktivë.

“Nuk mund të thuhet që mund të jetë edhe aq produktive, megjithatë mësimdhënësit e japin maksimumin kur dihet se nuk ka konkurrencë ”, ka thënë ajo.

Por sipas Prekorogjes arsyet e mbajtjes së mësimit në paralele të kombinuara është numri i vogël i nxënësve në vendet rurale.

Kjo formë e të mësuarit, sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari jo vetëm që nuk është produktive por edhe mësimdhënësit kanë shumë të vështirë që ta organizojnë orën.

“Mësimdhënësit kanë dyfish punë edhe në aspektin pedagogjik si dhe administrativ duhet të punojnë dhe kane vështir që orën mësimore t’a ndajnë me precizitet të lartë gjysmë e orës që duhet te kushtohet bie fjala klasës dyte dhe gjysme ore klasës se katërt”, thotë ai.

Sipas tij, institucionet vendore duhet që të jap këtyre mësimdhënësve një shtesë në pagë për punën që bëjnë.

“Zakonisht mësimdhënësit që japin mësime në klasë të kombinuar janë përgatitur, por karshi  kolegeve te tyre të cilët punojnë me të një klasë e kane goxha me të vështirë, dhe këta po them e meritojnë një përkrahje të veçantë nga institucionet dhe mandej mbase do të duhej që të ardhmen ta kenë një shtese ne page sepse puna e tyre përkushtimi dhe angazhimi është shume me madhe për ta arritur rezultate te duhura”, është shprehur Jashari.

 Cila është zgjidhja?

Ekspertët e arsimit kanë ofruar zgjidhje se si kjo formë e te mësuarit mund të largohet nga këto shkolla.

Sipas Dukagjin Popovcit  aty ku ka mundësi transporti, këto shkolla të vogla duhet të mbyllen, ndërsa fëmijët të transportohen me shpenzime të shtetit, në shkollën më të afërt ku mund të zhvillohen në kushte normale.

“Për të siguruar pëlqimin e komunitetit, nuk duhet larguar nga puna personelin e atyre shkollave, por duhet transferuar në shkollën ku shkojnë fëmijët, që paraqet një shpenzim shtesë, por të domosdoshëm në situatën e tanishme”, thotë ai.

Popovci thotë se arsyeja ekzistimit të paraleleve të kombinuara është për të ruajtur vendet e punës, e jo për interesin e fëmijëve.

Sipas tij duke pas parasysh që nataliteti është duke shënuar rënie si dhe shpërngulja nga fshati në qytet po rritet atëherë gjasat për rritjen e këtyre shkollave me paralele të kombinuar janë shumë i lartë.

“Ka gjasa që numri i shkollave të vogla me paralele të kombinuara të shtohet, pasi në shumë fshatra, për shkak të numrit të vogël të fëmijëve, nuk mund të organizohen klasa të rregullta. Prandaj, edhe shteti duhet të veprojë në interesin e fëmijëve”, ka deklaruar Popovci./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera