Lajme

Shkoi në seancë si dëshmitar nga aty doli si i dënuar

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 14 January 2020

Liridon Leku, të martën, ka shkuar në Gjykatën e Drenasit, në cilësi të dëshmitarit, por nga aty ka dal si i dënuar.

Derisa, i akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Shpëtim Beqiri, në po të njëjtën ditë nga salla ka dal si i pafajshëm.

“Ndërrimi i këtyre roleve”, ka ndodhur pasi që prokurorja e rastit, Fikrije Sylejmani është tërhequr nga aktakuza ndaj Beqirit, dhe në të njëjtën seancë, e ka akuzuar Lekun, se ai është kryes i veprës penale.

-Advertisement-

Madje, ndryshimin e aktakuzës, prokurorja Sylejmani e ka bërë vetëm në formë gojore, gjatë seancës të së martës.

Një gjë e tillë, ka ndodhur pas dëshmisë që dëshmitari Leku ka dhënë në këtë seancë, e ku ka thënë se ai është qiramarrës i lokalit, për të cilin akuzohet Beqiri.

Pavarësisht se ligjet nuk e njohin një praktikë të tillë të mbajtjes së seancave, e aq më pak të ndryshimit të aktakuzës, pas një forme të tillë të deklarimit nga ana e dëshmitarit, një gjë të tillë, e ka lejuar edhe gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, i cili ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Beqiri, derisa dënues ndaj dëshmitarit Leku.

Para këtij zhvillimi, prokurorja Sylejmani, e ka arsyetuar një veprim të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari Leku, gjatë dhënies së dëshmisë, ka vërtetuar faktin se me të pandehurin kanë lidhur kontratë mbi qiranë, për shfrytëzimin e lokalit afarist, nga 2 shkurti 2019, e cila kontratë ende vazhdon, si dhe vërtetoj faktin se zyrtaret e autorizuar të KEDS-it, gjatë kontrollës në lokal kanë gjetur të vendosur një kabull përmes kapermanit (KPO ), ku është shpenzuar rryma elektrike, e cila nuk është regjistruar në njësorin elektrik”, ka thënë ajo.

Pas kësaj, prokurorja Sylejmani, ka kërkuar nga gjykatësi Baleci, që t’i jepet mundësia asaj që të bëjë ndryshimin sa i përket identitetit subjektiv të kryesit të kësaj vepre penale, nga Shpëtim Beqiri, prej të cilën është tërhequr nga ndjekja penale, dhe të vazhdojë me paraqitjen e aktakuzës ndaj tani të pandehurit Liridon Leku dhe atë gojarisht.

“Sepse më 7 mars 2019, në fshatin Çikatovë e Re, të Komunës së Drenasit, në lokalin afarist “Auto Larje – Larja e tepihëve”, pasi i pandehuri Liridon Leku, me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyre të kundërligjshme ka manipuluar njehsorin elektrik, ashtu që në lidhje direkte është lidhur me rrjetin elektrik jashtë pikës matëse, dhe kështu ka pamundësuar regjistrimin e energjisë elektrike të shpenzuar, me çka të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material prej 7.743.99 euro”, ka thënë prokurorja Sylejmani.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ejedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës Kosovës, ndërsa pjesa e tjetër e aktakuzës, sipas saj, mbetet e njëjtë.

Pas ndryshimit të aktakuzës, tani i pandehuri Leku, nuk ka propozuar ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor për përgatitjen e mbrojtjes së tij, por ka vazhduar shqyrtimi fillestar ndaj tij, duke e pranuar fajësinë për një vepër të tillë penale.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Fikrije Sylejmani, e cila më pas ka propozuar që kjo të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes së lartësisë së dënimit.

Pas përfundimit të shqyrtimit, gjykata ndaj tij, e ka dënuar me 200 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, si dhe taksën për Programin e Kompensimit të Viktimave të Krimit, në shumë prej 30 euro.

Ndryshe, në aktakuzën e parë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 6 nëntor 2019, kundër të pandehurit Shpëtim Beqiri, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve “nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 7 mars 2019, në Drenas, në shtëpinë e tij, me qellim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, ka manipuluar njehsorin elektrik, ashtu që me lidhje direkte është lidhur në rrjetin elektrik jashtë pikës matëse.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë ka pamundësuar regjistrimin e energjisë elektrike, me çka KEDS-it, i ka shkaktuar dëm material në lartësi prej 7.743.99 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera