Fokus

Shkëlqimi dhe rënia e Albin Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 23:06 | 25 March 2020

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, me 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Por qeverisja e tij nuk zgjati më shumë se 50 ditë.

Të mërkurën, me 25 mars deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për shkarkimin e qeverisë Kurti, me iniciativë të partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për fatin e ekzekutivit, të cilit 66 deputetë i patën dhënë besimin vendosën 82 deputet në seancën e fundit.

-Advertisement-

Kështu edhe i dhanë fund bashkëqeverisjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat as në kohën e partneritetit nuk mundën ti evitojnë dallimet mes njëri tjetrit dhe deklarimet akuzuese.

Megjithatë rruga politike e Kurtit drejt udhëheqjes së ekzekutivit të Kosovës është tejet e gjatë dhe me shumë zhvillime.

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai iu bashkua kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

Sipas të dhënave të Lëvizjes Vetëvendosje, kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999.Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë politik e bashkë themeluan një iniciativë qytetare të quajtur Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ishte kryetar i LVV-së deri në mars të vitit 2015. Kurti garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për kryetar të saj në janar të vitit 2018 dhe fitoi.

Albin Kurti ka qenë deputet i LVV-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend. Albin Kurti gjithashtu ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.

Albin Kurti flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë.

Rruga e Lëvizjes Vetëvendosje drejt pushtetit

Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Nga protestat në rrugë, te protestat në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më  12 Qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishe fituar 16 ulëse. Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA  gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament. Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera