Lajme

Shitësit ia shohin hairin diasporës

Autori: Gazeta inFokus 15:35 | 04 August 2021

Fitore Gashi-Sharraxhiu po e nisë ditën me gëzim që kur në Kosovë kanë filluar të vijnë mërgimtarët.

Në hapësirën e saj të tregut mobil në sheshin “Bill Clinton”, ku shet veshje tradicionale është shtuar puna.

Ajo i gëzohet faktit se verës, kohën kur vijnë mërgimtarët, shtija është më e madhe sepse ata i respektojnë më shumë traditat.

“Me punën që bëjmë ne, sezona e verës dallon me sezona të tjera, sepse është koha kur vijnë gurbetqarët dhe se ata i respektojnë zakonet e traditat dhe kanë dëshirë që këto tradita t’i dinë edhe fëmijët e tyre dhe të mos harrojnë prejardhjen e tyre, por edhe fitimi është më i madh”, thotë ajo për Infokus.

Ajo tregon se në hapësirën e saj gjenden të gjitha llojet e veshjeve tradicionale, por ato nga krahina e Dukagjinit janë më të shiturat.

Ndërkaq blerësit shprehen të kënaqur për mundësin dhe çmimet e produkteve.

Një mërgimtare thotë se çmimet janë më të lira se në dyqane.

Për këtë shitësit janë kujdesur që të ofrojnë edhe zbritje gjatë këtij sezoni.

Çmimi i mjaltit nga 12 euro ka rënë në 10 euro.

“Mjalti i quajtur Mjalti i Livadheve, për shkak të ardhjes së mërgimtarëve ka rënë në zbritje, nga çmimi i saj 12 në 10 euro, pasi që ata po ndihmojnë në shitjen e produkteve tona, ne jemi munduar të bëjmë ulje të çmimeve”, thotë një shitës në tregun mobil në kryeqytet./Gazeta Infokus/.

 

Të tjera