Shikohet video-incizimi në momentin pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit
Autori: Gazeta inFokus 20:29 | 15 December 2023
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shikuar video-incizimi në momentin pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ku shihet i shtrirë në tokë para selisë së partisë së SDP-së.
Në pamje shihet intervenimi i Policisë dhe arritja e autoambulancë.
Sipas prokurorit Burim Çerkini, kamerat nuk kanë incizuar para vrasjes, kurse në momentin që kamerat kanë filluar të punojnë, Ivanoviq veçse shihet i shtrirë në tokë.
Sipas Prokurorisë, ora në video-incizim shihet 9:27 minuta, mirëpo prokurori theksoi se sipas ekspertëve të DVR, koha reale është 8:17 minuta. Do të thotë 1 orë e 10 minuta prapa.
Prokurori Çerkini tha se nga 4 deri më 16 janar nuk ka video-incizime.
Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari i propozuar nga i akuzuari Rade Basara, Nenad Simiq, i cili kishte punuar në pozitën e shefit të Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut dhe tregoi për skemën e organizimit të kësaj njësie.
Sipas tij, derisa kishte qenë shef i kësaj njësie, as i akuzuari Basara e askush tjetër nuk ka refuzuar asnjë urdhër të tij të drejtpërdrejtë dhe shtoi se në rast se kjo do të ndodhte, do të pasonin sanksionet e ashpra.
“Ajo do të ishte refuzim i urdhrit, që është e papranueshme për Policinë”, tha dëshmitari Simiq.
Në ditën kritike, kur kishte ndodhur vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq, dëshmitari tha se sa i kujtohet i akuzuari Basara nuk ka qenë në vendin e punës, pra kishte shfrytëzuar pushimin vjetor.
Ai ka thënë se për zbardhjen e këtij rasti, ishte formuar një grup punues, e këtij grupi pastaj iu kishte bashkëngjitur i akuzuari Basara, pasi që ai ishte kthyer në punë nga pushimi vjetor.
Ky grup punues, sipas dëshmitarit Simiq ishte krijuar disa ditë pas vrasjes së Ivanoviq, në krye me togerin Samir Maksuti.
Sipas tij, Basara së bashku me dy punëtorët tjerë të këtij grupi, kanë qenë të obliguar për përpunimin e video-incizimeve të cilët pas përpunimit ia kanë dorëzuar kolegëve IT nga Prishtina.
Të vetmen provë materiale që ai kishte parë, ishte video-incizimi tek zyrat e partisë së Ivanoviqit.
“Në incizim janë parë edhe dy policë. Në një moment, njëri nga policët është ulur dhe marrë diçka nga toka, e ka shikuar atë çfarë ka marrë dhe e ka kthyer prapë aty ku e ka marrë në tokë”, tha ai.
Ai tha se i akuzuari Basara nuk ka qenë nën menaxhimin e tij dhe shtoi se stacioni policor i hetuesisë nuk ka lidhje me njësinë hetuese regjionale.
Për kohën sa kishte qenë në këtë pozitë, Simiq tha se asnjë herë nga zinxhiri komandues nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi të shprehur në raport me të akuzuarin Basara.
Ndërsa, i theksoi se ka pasur asnjë vërejtje nga askush se rastet po hetohen me selektim ose që po dëmtohen hetimet apo po fshehen prova.
“Këto janë fjalë shumë serioze, unë në fillim të vitit 2017 kam ardhur në njësi dhe ju them me përgjegjësi të plotë penale se nuk kam njohuri për raste të tilla”, tha Simiq.
Sipas tij, i akuzuari Spasojeviq nuk ka punuar dhe nuk ka qenë i angazhuar nga ana e njësisë regjionale në këtë rast.
Tutje, ai tha se kishte dalë në vendin e ngjarjes pasi që ishte organizuar puna dhe ka mohuar që në vendin e ngjarjes ta ketë parë të akuzuarin Spasojeviq.
Simiq ka treguar edhe për rrugën zyrtare se si merret në shfrytëzim një veturë zyrtare.
“Polici hetues i cili do të kishte nevojë për shfrytëzimin e veturës zyrtare, do ta lajmëronte eprorin, për arsyen dhe lokacionin dhe ku duhet të shkojë në detyrë zyrtare si dhe me çfarë veture. Kur t’i aprovohet kjo, plotësohet “trip tiketa- (tiketa e udhëtimit)” ku është evidentuar”, tha ai.
Sipas rregullave, Simiq tha se një veturë zyrtare nuk mund të dalë pa autorizim nga stacioni policor.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi“
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...