Fokus

Shifra alarmante me COVID-19, Klinika Infektive në mungesë të stafit

Autori: Samire Jaha 15:53 | 18 July 2022

Kosova ka hyrë në muajin korrik me një numër të lartë të rasteve të reja me COVID-19, ku vetëm sot pati 615 raste të reja pozitive e numri në total i të infektuarve ka arritur në 5 mijë e 687 persona me COVID-19, shkruan Gazeta Infokus.

Derisa 61 pacientë janë duke marrë trajtim në QKUK si pasojë e Covid-19 në spitalet e përgjithshme në vend.

Prej tyre sipas raportit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, 20 pacientë janë të shtrirë në Klinikën Infektive.

-Advertisement-

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një prononcim për Gazetën Infokus, ka treguar se Klinika Infektive ka kapacitet vetëm të 125 shtretërve për hospitalizim të pacientëve.

“Ne kemi kapacitet për 125 pacientë, tani janë 20 raste, si dhe barna kemi mjaftueshëm”, ka deklaruar Vishaj për Infokus.

Drejtori i Klinikës Infektive ka treguar po ashtu edhe për problemet që i kanë me stafin e mesëm e sidomos mungesën e infermierëve, problem ky tashmë i përhapur në të gjitha Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Por kemi nevojë për staf infermierorë”, është përgjigjur shkurt Vishaj, për Infokus.

Ndryshe rastet me Covid-19, javën e fundit kanë shkuar në rritje drastike ku shifra më e lartë ishte 1,219 raste pozitive brenda një dite.

Kujtojmë që Ministria e Shëndetësisë si dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, vazhdimisht po bëjnë thirrje për të u vaksinuar si dhe për të mbajtur maskat brenda hapësirave të mbyllura.

Derisa pavarësisht takimeve që ka pasur Komiteti për Vlerësimin e Situatës me COVID-19 në vend dhe pavarësisht rritjes së numrit të rasteve pozitive, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka marrë ndonjë masë të re për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 apo përkeqësimit të gjendjes me pandeminë në vend./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera