Fokus

Shifër alarmante e sulmeve seksuale në Kosovë vetëm për 6 muajt e parë të vitit

Autori: H. Smajli 16:58 | 29 July 2022

Rastet e sulmeve seksuale në Kosovë janë në rritje, e në veçanti raste kur burra e gra po ngacmojnë edhe fëmijë të mitur. Sulme të tilla gjatë këtij viti janë kapur nga kamerat e qytetarëve e të gazetarëve.

Një rast i tillë ndodhi edhe të enjten, ku fillimisht në raportin e policisë u raportua se një burrë nga Prishtina kishte sulmuar seksualisht një vajzë 6 vjeçare. E më vonë gjatë ditës u publikua edhe video ku tregonte përballje e familjarëve të vogëlushes dhe qytetarëve që kishin qenë dëshmitarë të këtij rasti në momentin kur 50 vjeçari e kishte atakuar seksualisht vajzën e vogël.

Gazeta Infokus ka siguruar të dhëna nga Policia e Kosovës në lidhje me numrin e rasteve të cilësuara si sulme seksuale dhe në bazë të raportit në dy vitet e fundit, pati 106 sulme të tilla.

E tejet shqetësuese për sulmet seksuale mbetet shifra e vitit 2022, ku për vetëm 6 muaj, periudha janar – qershor në Kosovë pati 33 sulme seksuale.

Krahasuar me vitin 2021, ku për 12 muaj pati 73 raste të sulmeve seksuale, i bie se numri i këtyre rasteve po dyfishohet nga viti në vit.

Mirëpo fatkeqësisht të rralla nuk janë as rastet kur fëmijët keqpërdoren për pornografi. Edhe këto raste në bazë të të dhënave që Infokusi ka siguruar nga Policia e Kosovës, janë në rritje.

Derisa në vitin 2021, pati 8 raste në gjithë vitin, këtë vit për vetëm 6 muaj numri i fëmijëve të keqpërdorur për pornografi arriti në 6.

Ndërsa në dy vitet e fundit sipas policisë, u regjistruan dy raste kur fëmijëve nën moshën 16 vjeç iu është ofrua përmbajtje pornografike.

Rasti i djeshëm ku një 50 vjeçar dyshohet se kishte ngacmuar seksualisht një vajzë 6 vjeçare tronditi opinionin, derisa sot Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që i dyshuari të mbahet në paraburgim për një muaj.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurores së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit H.M masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhej në komunikatën e sotme të Gjykatës.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se duke marrë parasysh peshën e rëndë të verpës penale, mënyrës dhe rrethanave se si është kryer kjo vepër ekziston rreziku që i dyshuari të ikë me qëllim të shmangjes nga përgjegjësia penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ndikimit në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, u tha në komunikatë.

Një rast tjetër që tronditi Kosovën ishte edhe ai i një arsimtari nga Prizreni, i cili u zbulua nga një televizion i Shqipërisë, emisioni Piranjat, ku për një kohë të gjatë gazetarja kishte biseduar me arsimtarin Adriatik Fazliu, i cili nuk kishte hezituar gjatë që të niste bisedat erotike me gazetaren pavarësisht se ajo i kishte thënë se është e mitur.

Madje ai la edhe takim me gazetaren e infiltruar në Prizren, ku edhe u demaskua në mes të qytetit.

I njëjti po atë ditë ishte arrestuar nga policia e Kosovës dhe më vonë pati edhe raste të tjera kur nxënëset e tij rrëfyen për ngacmimet seksuale që arsimtari në fjalë u kishte bërë në shkollë./Gazeta Infokus/

 

Të tjera