Lajme

Sherifi: Para dialogut me Serbinë, Limaj do të kërkojë dialog për taksën

Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 22 September 2019

Nisma Socialdemokrate pretendon se koalicioni që ajo udhëheq do të fitojë zgjedhjet dhe se Fatmir Limaj do të jetë kryeministër i ardhshëm.

Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, në një intervistë për EkonomiaOnline thotë se nga ajo çfarë kanë parë në terren gjatë fushatës parazgjedhore, kanë krijuar bindjen se koalicioni i prirë nga Nisma po gjen përkrahje dhe mbështetje të madhe.

Thotë se në garë kanë hyrë për të fituar zgjedhjet.

-Advertisement-

“Kur e kemi pas 10+ ka qenë para një viti, si moto të angazhimit të Nismës në dikasteret e saja qeveritare, në parlament, punën e zv/kryeministrit Limaj, dhe ne kemi besuar që do të arrijmë nga 6 mandate sa i kemi pasur në 10+. Tani mendojmë se kanë ndryshuar raportet. Në këto zgjedhje nuk kemi dalur vetëm sa për të marrë pjesë në garë, por kemi hyrë me kandidat për kryeministër. Pra, kur një parti politike dhe një koalicion hyn në garë me kandidat për kryeministër ai synon edhe të fitojë zgjedhjet. Pra tanimë unë nuk e di a do të jetë 10+, apo 20+, por ne kemi hyrë në garë për t’i fituar zgjedhjet”, thotë ai.

E nëse i fitojnë zgjedhjet dhe Limaj bëhet kryeministër, Sherifi thotë se kanë planë se si do t’i qasen dialogut me Serbinë.

Thotë se do të riaktivizojë platformën për dialogun, e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Dialogut i jemi përgjigjur që në këtë legjislaturë. Limaj ka qenë njëherë i emëruar nga qeveria si udhëheqës i delegacionit shtetëror, pastaj së bashku me Shpend Ahmetin janë zgjedhur nga Kuvendi si bashkëkryesues dhe gjithashtu Parlamenti i Kosovës ka miratuar një platformë për dialog me Serbinë. Pra, Limaj nuk do të bëjë asgjë tjetër pos platformës së miratuar nga Kuvendi, në rast se do të zgjidhet kryeministër do ta riaktualizojë dhe bisedimet do t’i zhvillojë mbi bazën e kësaj platforme”, thotë ai.

Por para se ta vazhdojë dialogun për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Nisma Socialdemokrate ka në plan që të fillojë një dialog me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për taksën.

Sherifi thotë se taksa nuk duhet hequr pa kushte, por shton se Limaj ka një plan për këtë problem, i cili ka bllokuar dialogun me Serbinë.

“Të gjithë e dimë se kushti i Serbisë për të heqë taksën ka bllokuar dialogun dhe jo përmbajtja e platformës, apo përmbajtja  e delegacionit. Tani ne të gjithë e dimë që meqë taksa është bërë pengesë për të ecë përpara në dialog, gjithsesi që qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë këtë çështje. Limaj do ta ketë këtë qëndrim, para se të fillojë dialogu për marrëveshjen me Serbinë, duhet të fillojë një dialog me ndërmjetësim të partnerëve ndërkombëtarë për taksën”.

“Pra, dialog për taksën, para se të fillojë dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ne nuk mendojmë se taksa duhet të hiqet me automatizëm, por mendojmë se gjatë dialogut Limaj do të shtojë një numër të madh të kushteve që duhet të plotësojë Serbia për t’u suspenduar taksa në funksion të vazhdimit të dialogut për një periudhë 30 apo 40 ditore. Mirëpo, para kësaj Serbia duhet të plotësojë një numër të madh të kushteve”, thotë ai.

Sherifi thotë sesi parti nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike parlamentare dhe se do të bashkëpunojnë me secilën parti.

Këtë thotë e bënë obligative aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ia jep të drejtën absolute partisë fituese të zgjedhjeve.

Kritikon partitë që po përdorin diskurs përjashtues para zgjedhjeve, e që sipas tij të njëjtat do të detyrohen të bashkëpunojnë me secilën do parti që i fiton zgjedhjet.

“Nisma ka një pozicion shumë parimor. Na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në fuqi dhe e precizon që kushdo që i fiton e ka të të garantuar që askush nuk mund të bëjë qeveri pa të. Pra, meqë askush nuk mund të zgjedhë as kryetarin e Kuvendit, as të konstituojë kryesinë e Kuvendit dhe as të fillojë procesi i zgjedhjes së qeverisë, atëherë ne vetëm mund të bëjmë lojë fjalësh para zgjedhjeve sepse pas zgjedhjeve askush nuk do të mund të mbajë pozicione kundër njërit apo kundër tjetrit”, thotë ai.

Megjithatë, sekretari i Nismës Socialdemokrate thotë se një marrëveshje me partinë fituese për bashkëqeverisje do të jetë e mundshme vetëm nëse merren parasysh kërkesat e tyre që ndërlidhen me platformën politike.

“Nëse i fitojmë zgjedhjet si koalicion do të bisedojmë me të gjitha partitë politike që janë në parlament dhe do të vendosim të bëjmë qeverinë me ato parti që mund të harmonizojmë programin. Nëse kushdo që del e para dhe ka një ofertë për Nismën ne do të jemi të gatshëm që ta shqyrtojmë atë ofertë dhe do të mundë të bëhemi pjesë e qeverisë vetëm në rast se në program qeveritar do të mund të zënë vend do çështje shumë të rëndësishme kauzale për Nismën Socialdemokrate që ka të bëjë me të drejtat e punëtorëve, me pagën minimale, me reformën sociale, me sigurimet shëndetësore dhe disa pika për të cilat ne konsiderojmë që në periudhën e ardhshme 3 deri 4 vjeçare duhet gjithsesi të gjejnë vend në programin qeveritar. Në parim qëndron programi i Nismës, e jo emri i partisë”, thotë ai.

Nisma Socialdemokrate këtë mandat ishte në koalicion me PDK-në, AAK-në dhe AKR-në, ndërsa udhëhoqi me dy ministri, atë të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të Arsimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera