Shërbyesit civilë në UP nuk po i marrin pagat me rritje
Autori: Gazeta inFokus 08:26 | 26 March 2019
Në janar të vitit 2011, Qeveria e Republikës së Kosovës, kishte marrë vendim për rritjen e pagave prej 30% për të gjithë shërbyesit civilë.
Por, kanë kaluar 8 vjet, që shërbyesit civilë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” nuk e marrin pagën me këtë rritje. Ata patën mbajtur edhe greva, kanë bërë padi në Gjykatë, ndërsa tani çështja e tyre është në Gjykatën e Apelit.
Punëtorët e administratës së Universitetit të Prishtinës, ende nuk e kanë të qartë se pse vetëm ata nuk e marrin pagën me rritje me vendim të Qeverisë së vitit 2011. Ata patën kërkuar sqarime nga udhëheqësit e Universitetit dhe siç thuhet, universiteti e mori atë vendim me arsyen se këta punëtorë janë staf jo akademik.
Në sqarimin e Ministrisë së Administratës Publike, që e ka siguruar Radio Kosova, punëtorët e administratës në Universitet, janë shërbyes civilë, por edhe pas kësaj, nuk u ndërmor asgjë. Shaban Dulahu, zyrtar i lartë për studime të doktoratës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, tha për Radio Kosovën se pas kësaj, kanë filluar grevat e punëtorëve të administratës, e më pas shërbyesit civilë të këtij fakulteti kanë bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Kur e kanë marrë opinionin, se ne jemi shërbyes civilë, nuk është dashur të ketë më asnjë dilemë, është dashur të veprohet konform opinionit ligjor, respektivisht vendimit të Qeverisë, i cili deri sot nuk është zbatuar. Morëm njëherë një aktgjykim nga Gjykata Themelore, që është aprovuar kërkesë-padia jonë, me të cilin obligohet Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, që të veprojë të detyrojë punëdhënësin të na paguajë këtë rritje prej 30 për qind.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës edhe pas aktgjykimit në vitin 2016, e refuzoi kërkesën e punëtorëve të administratës, duke deklaruar se nuk janë respektuar afatet ligjore për ankesë dhe u është dhënë këshillë juridike që ata t’i drejtohen përsëri gjykatës. Radio Kosova ka kërkuar një përgjigje nga Këshilli Mbikëqyrës, por këshilli nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Më pas, është bërë përsëri ankesa në Gjykatën Themelore në Departamentin për administratë dhe aktgjykimi ka dalë para dy muajsh. Radio Kosova ka siguruar edhe këtë vendim, ku thuhet se refuzohet si e pabazuar padia e punëtorëve të administratës, me arsyetimin se nuk është bërë ankesa brenda afateve ligjore. Dulahu tha se ky aktgjykim nuk qëndron, pasi, siç tha ai, kjo është një e drejtë e fituar me vendimin e Qeverisë.
“Sipas mendimit tim, ka qenë e drejtë e fituar e cila asnjëherë nuk humbet. Ne atë të drejtë nuk e kemi fituar nga Universiteti, por e kemi fituar nga Qeveria e Kosovës. Ne nuk kemi kërkuar asnjë shtesë që është jashtë pagës bazë, por vetëm 30 për qind të pagës bazë, e cila nuk na është dhënë asnjëherë.”
Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Universiteti i Prishtinës për këtë çështje dhe përgjigja është kthyer përmes e-mailit, nga sekretari Esat Kelmendi. Ai thotë se “Është e vërtetë që në vitin 2011, punëtorët e administratës së Universitetit të Prishtinës, nuk janë përfshirë në rritje të pagave. Arsyet e sakta nuk i di, sepse nga nëntori i vitit 2010 deri në nëntor të 2012 nuk kam qenë në pozitën e sekretarit të përgjithshëm.
Me datë 24.3.2014, ju kam drejtuar Ministrisë së Administratës Publike, për të dhënë opinion ligjor lidhur me statusin e nëpunësve administrativë të UP-së, ndërsa me datë 25.3.2014, kam pranuar opinionin, me të cilin konfirmohet që nëpunësit administrativë të UP-së janë shërbyes civilë. Universiteti i Prishtinë, respektivisht, Këshilli
Drejtues i UP-së, përmes Rregullores për të ardhura personale, diferencën e pagës bazë në mes të punëtorëve të administratës së UP-së dhe nëpunësve civilë në institucione të tjera të Kosovës, e ka plotësuar duke dhënë shtesë stimulative, të cilat nuk kanë qenë në vlerën e shtesës stimulative që kanë marrë nëpunësit civilë në institucione të tjera (30 €) por ka pasur pozicion, që shtesa është dhënë deri në 50% të pagës bazë. Punëtorët e administratës kanë kërkuar nga Këshilli
Drejtues që të bëhet kompensimi i diferencës në pagë bazë, mirëpo Këshilli Drejtues e ka refuzuar si të pabazë këtë kërkesë, për faktin se diferenca ishte plotësuar me shtesë stimulative.
“Shtesë stimulative” është quajtur sepse nuk kishte mundësi tjetër të realizimit të diferencës së pagesës, ndërsa këto mjete janë ndarë nga të hyrat vetanake të krijuara nga pagesat administrative të studentëve. Po ashtu Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e tillë.”
Pas të gjitha këtyre, zyrtari i lartë për studime të doktoratës në Fakultetin Juridik, Shaban Dulahu, tha se tani kanë bërë padi në Gjykatën e Apelit, ku shpreson se do të merret një vendim në favor të shërbyesve civilë të Universitetit të Prishtinës.
Të tjera
-
Mësohet identiteti i 25-vjeçarit nga Kosova që vd*q tragjikisht në Itali
Një ditë më parë mediat kanë raportuar për vdekjen e një 25-vjeçari shqiptar ...
-
Lajçak shkruan për “çështjen e dinarit”: U ngushtua hendeku mes palëve, pres propozime në takimin tjetër
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë përmbledhjen rutinë të një jave pun...
-
“Baba i kriptovalutave”, kjo është pasuria gjysmë milionëshe e liderit të PDK-së, Memli Krasniqi
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi këtë vit ka arritur t...
-
Qeveria mban mbledhje elektronike, merr dy vendime
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të ...
-
Joseph: Osmani e mundi Vuçiqin në Këshill të Sigurimit
Profesori i Universitetit `Johns Hopkins` në SHBA, Edward Joseph, për mbledhj...
-
Këshilli i Etikës merr vendimin për profesorin Xhevat Krasniqi
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë ve...
-
Ramiz Qeriqi thotë se gjatë kohës së luftës i ka raportuar Fatmir Limajt dhe jo Rexhep Selimit
Dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës kur ka shërbyer në Krojm...
-
PE voton për liberalizimin e vizave për kosovarët që mbajnë pasaporta serbe
Parlamenti Evropian ka votuar të martën në favor të liberalizimit të vizave p...
-
LDK për raportin e DASH për Kosovën: I dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit
Lidhja Demokratike e Kosovës duke reaguar ndaj raportit të fundit të Departam...
-
Stano: Për masat ndaj Kosovës vendos Këshilli… në bazë të raportit të Borrellit
Bashkimi Evropian tha se Këshilli i Ministrave do të diskutojë për masat ndaj...
-
Kamberi takohet me Von Cramon, diskutojnë problemet e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar me eur...
-
Emmerson: Prokuroria po e shfrytëzon dëshmitarin Ramiz Qeriqi si “kalë troje”
Ka filluar dëshmia e dëshmitarit 55-të në Hagë. Dëshmitari është Ramiz Qer...