Lajme

Shënohet 24 vjetori i themelimit të Doganës së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 08 September 2023

Sot në një ceremoni të organizuar në Doganën e Kosovës u shënua 24 vjetori i themelimit të doganës.

Nga ky institucion shprehen se ky ishte një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë dhe funksionalitetit të plotë të Kosovës dhe se 24 vjetori shënon një periudhë të rëndësishme në historinë e Kosovës, me zhvillime të mëdha ekonomike që kanë ndikuar në jetën e qytetarëve të saj.

Dogana e Kosovës ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e kufijve të saj, si dhe në sigurimin e të hyrave për buxhetin e shtetit.

-Advertisement-

“Në këto 24 vjet, Dogana e Kosovës ka zhvilluar një punë të vazhdueshme për të përmirësuar administratën doganore, për të ndihmuar në promovimin e tregtisë ndërkombëtare dhe për të forcuar bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe partnerët rajonalë. Një fokus i veçantë është vendosur në përmirësimin e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit dhe kontrabandës”.

Tutje theksohet se sot Kosova është pjesë e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare të tregtisë dhe është në rrugë drejt integrimit në strukturat evropiane.

“Dogana e Kosovës do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe në sigurimin e zbatimit të standardeve të tregtisë ndërkombëtare. Ky është një moment për të nderuar punën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e institucionit doganor dhe të Kosovës në përgjithësi”.

“Dogana e Kosovës është një shembull i suksesit të mundësuar përmes punës dhe përkushtimit të shumë njerëzve, dhe ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi dhe të profesionalizohemi për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në kumtesën për media të Doganës së Kosovës.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera