Shëndetësi

Shenjat e fshehta që tregojnë se vuani nga zemra

Autori: Gazeta inFokus 12:23 | 12 April 2019

I sëmuri kardiak duhet ta njohë mirë sëmundjen e tij apo predispozicionin për sëmundje të ndryshme në familje. nëse një person i shëndetshëm ka në gjen apo në familje të trashëguar sëmundjen e diabetit, hipertensionit, yndyrat e larta, ulcerën etj., duhet t’i njohë mirë ato në mënyrë që t’i parandalojë.

Me rritjen e edukatës shëndetësore dhe të mjeteve të shumta të informacionit që janë në dispozicion i sëmuri duhet të bëhet doktor i vetvetes, shkruan në gazetën “Panorama” kardiologu Llesh Rroku.

Ai duhet të dijë mirë dhe të marrë informacion të saktë e të plotë për sëmundjen e tij, si për ecurinë e saj, këshillat apo edhe përdorimit të medikamenteve që ka në terapinë ditore. Por kjo liri nuk duhet të jetë e pakufizuar. Jo çdo gjë mund të bëhet pa vënë më parë mjekun në dijeni. Kujdes duhet treguar veçanërisht në manovrimin e dozave të ilaçeve apo të shenjave të reja klinike që shfaqen. Gjithmonë i sëmuri duhet të jetë shumë i kujdesshëm, shumë vigjilent në vlerësimin e gjërave të reja për shëndetin e tij. Këto duhet të konsultohen me mjekun kurues.

-Advertisement-

Shenjat që nuk duhen injoruar

Të sëmurët duhet të vlerësojnë mirë sidomos dhimbjen e gjoksit që shfaqet për herë të parë apo intensitetin e tyre. Po ashtu duhet gjithmonë që të konsultohen me mjekun për medikamentet që marrin vetë shtesë. Dhimbjet e gjoksit duhet të njihen mirë nga popullata e shëndoshë, por edhe nga të sëmurët. Dhimbjet e gjoksit janë të karaktereve të ndryshme, mund të jenë të zemrës dhe jashtë saj.

I sëmuri duhet të jetë në gjendje që të shpjegojë me detaje dhimbjet që ndjen në gjoks. Kontakti i të sëmurit me mjekun në momentin e parë është shumë i rëndësishëm. Mjeku duhet të jetë shumë durues dhe të marrë me imtësi anamnezën, duke pyetur të sëmurin me detaje. Por edhe i sëmuri duhet të vlerësojë çdo gjë, duke ia bërë prezent të gjitha shqetësimet mjekut të tij. Mjeku duhet të jetë “një hetues” i vëmendshëm, duke njohur mirë simptomat e sëmundjes sidomos dhimbjen e gjoksit.

Duhet të jemi të kujdesshëm sidomos te sindroma akute koronare, ku përfitimet janë maksimale nëse ndërhyhet në orët e para të sëmundjes. Në çdo rast, çdo minutë është shumë e vlefshme si për të sëmurin, për mjekun për shoqërinë. Pra, gjoksit sa më herët dhe më shpejt t’i vlerësohet dhimbja, aq më shpejt do të ketë përmirësim dhe riaftësim për t’iu kthyer aktiviteteve të përditshme. Të sëmurët, por edhe personat e shëndoshë, duhet të bashkëpunojnë me mjekun e familjes dhe specialistin. Popullata e shëndoshë duhet të punojë vazhdimisht për rritjen e edukatës mjekësore. Duke u rritur edukata shëndetësore në përgjithësi, veçanërisht te të sëmurët kardiakë, do të lehtësohet shumë puna e mjekut dhe institucioneve përkatëse, sidomos atyre spitalore.

Si kanë ndryshuar simptomat

Qëllimi kryesor është vlerësimi i çdo lloj dhimbjeje. I sëmuri që është kardiak duhet të verë në pah çdo gjë të re që konstaton në lidhje me sëmundjen e tij, duke jia bërë prezent mjekut të tij kurues. Por e rëndësishme është dhimbja e gjoksit, pasi mund të jetë fillimi i një infarkti dhe sa më herët që të kapet kjo, aq më mirë është për të sëmurin, mjekun dhe shoqërinë. Nga përvoja ime mjekësore gjatë kësaj periudhe, gjykoj që karakteri i dhimbjes duhet vlerësuar mirë. Dhimbjet janë bërë shumë tinëzare, nuk janë ato dhimbjet karakteristike që ne kemi mësuar nga literatura.

I sëmuri mund të vijë thjesht me dhimbje bërryli edhe kjo mund të jetë shenjë e një sëmundje iskemike, sëmundje zemre. Ose mund të ankohet për dhimbje nofulle apo dhimbje dhëmballe,por që në fakt kjo mund të jetë shenjë e një angina pectorus ose fillimi i një sëmundje iskemike. Natyra e dhimbjes ka ndryshuar, ndaj edhe i sëmuri duhet të jetë shumë vigjilent që të kuptojë çdo gjë të re për t’ia servirur më pas mjekut të tij. Dhimbjet mund ta kenë burimin nga zemra, por edhe jashtë saj, ndaj është mjeku ai që bën vlerësimin. Dhimbja në sëmundjet e zemrës nuk ndryshon në varësi të lëvizjes së pozicionit. Dhimbjet e gjoksit mund të jenë të karakterit të ndryshëm, mund të zgjasin pak minuta deri në gjysmë ore dhe mund të shpërndahen në zona të tjera të trupit, përkatësisht në shpatull, këmbë. Ose mund të jenë në formë atipike, por në fakt janë dhimbje të sëmundjes së zemrës.

Predispozita moshore

Ajo që vlen të theksohet është që sot sëmundja iskemike po haset edhe te moshat e reja. Kjo vjen nga faktorët e rrezikut, konkretisht mënyra e ushqyerjes, predispozicioni i të sëmurit, diabeti, hipertensioni etj.. Nëse i sëmuri ka trashëguar diabetin, tensionin apo yndyrat e larta duhet të vlerë sojë në maksimum çdo shenjë në mënyrë që t’i paraprijë çdo komplikacioni të mundshëm.

Roli i mjekut dhe familjes

Gjatë eksperiencës disavjeçare si mjek kardiolog, në punën e përditshme më ka dalë si nevojë primare funksionimi sa më i mirë i këtyre tri hallkave, përkatësisht mjek, pacient dhe familjar. Sa më mirë të funksionojë ky trekëndësh, aq më mirë do të mjekohet edhe i sëmuri. Pjesëtarët e familjes duhet të sqarohen dhe të jenë të ndërgjegjshëm për sëmundjen e familjarit të tyre. Mjeku duhet të jetë transparent me të sëmurin, duke i shpjeguar me detaje çdo etapë të sëmundjes dhe ekzaminimit që kryen i sëmuri. I sëmuri dhe familjari duhet që të jenë të ndërgjegjshëm për sëmundjen dhe të mirinformuar nga mjeku në mënyrë që të kujdesen për një mjekim efikas.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera