Lajme

Shefi i Zyrës së BE-së tregon se çka duhet bërë për ndjekjen e krimeve të luftës

Autori: Gazeta inFokus 12:31 | 26 April 2021

Kosova 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë mbrapa me ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe me gjykimin në mungesë të atyre që kanë kryer vepra penale, për çka kërkohen kapacitete shtesë dhe adaptimi sa më shpejt i Kodit të Procedurës Penale.

Kështu u tha në konferencën virtuale të Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), me rastin e prezantimit të raportit vjetor mbi monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë gjatë vitit 2020 “Gjykimet për krimet e luftës – Përparim i ngadaltë”, ku u theksua nevoja për resurse dhe mjete shtesë për ndjekjen dhe gjykimin e këtyre krimeve.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se për dy dekada me radhë ka munguar vullneti politik për adresimin e krimeve të luftës, teksa shtoi se një ndër prioritetet e qeverisë së re është edhe adresimi i këtyre krimeve.

-Advertisement-

Haxhiu tha se është shumë me rëndësi të bëhet fuqizimi i kapaciteteve të Prokurorisë speciale, teksa përmendi faktin se Kosova ka vetëm katër prokurorë specialë.

Ajo theksoi se është e papranueshme se si ende nuk ka një dokumentim institucional për gjithë krimet që kanë ndodhur në Kosovë, teksa bëri të ditur se në maj të këtij viti do të themelohet grupi për hartimin e konceptdokumentit për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“(Që nga lufta) Përgjatë gjithë këtyre viteve ka munguar vullneti politik për adresimi i krimeve të luftës, duket që ai vullnet ka reflektuar edhe tek institucionet e drejtësisë, të cilat nuk është se kanë bërë sa duhur në këtë drejtim… Padyshim që rastet e krimeve të luftës janë më të ndjeshme, nuk janë të lehta, prandaj në këtë drejtim institucionet e drejtësisë kanë nevojë për kapacitete shtesë për adresimin e krimeve të luftës… Pavarësisht që kanë kaluar dy dekada, unë mendoj që kjo është koha e fundit që Kosova t’i trajtojë seriozisht krimet e luftës. Nuk ka shembull si Kosova që ka neglizhuar këto krime, prandaj edhe duhet drejtësi për atë që ka ndodhur gjatë luftës. Kriminelët duhet të dalin para drejtësisë dhe të mos enden lirshëm kudo që ata janë”, tha ajo.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se ndjekja e krimeve të luftës duhet të jetë prioritet i shoqërisë kosovare, për çka shtoi se BE do të ofrojë mbështetjen e saj në këtë proces dhe se mirëpret çdo progres.

Sipas tij, Kodi i Procedurës Penale ka një rëndësi shumë të madhe, dhe si i tillë duhet të adaptohet sa më shpejt.

“Krimet e luftës janë ndër krimet më të shëmtuara dhe më të rënda dhe ndjekja penale e kryerësve të këtyre veprave penale duhet të jenë prioritet për shoqëritë e dala nga lufta dhe konfliktet e armatosura. Vetëm në këtë mënyrë mund të ofrojmë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. BE mbështet këtë proces dhe mirëpret çdo progres… Është me rëndësi që këto procese të udhëhiqen nga ata, të cilët tashmë i kanë kryer këto dhe kanë përvojë të gjerë në ndjekjen penale të krimeve të luftës. Çka është me rëndësi, është që t’i kushtojmë rëndësi vëmendje amendamenteve të Kodit të Procedurës Penale, që do të lejojnë gjykimet në mungesë. Është me rëndësi që t’i kushtojmë vëmendje amendamenteve në zhvillim e sipër dhe Kodit të Procedurës Penale. Mendoj që është me rëndësi të theksohet që këto të dyja duhet të adoptohen me shpejtësi”, tha ai, teksa shtoi se monitorimi i gjykimeve mbetet me rëndësi fondamentale për të siguruar legjitimitetin e vet gjykimeve.

Ambasadori i Britanisë së Bashkuar, Nick Abbott tha se ndjekja dhe gjykimi i krimeve të luftës kanë nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal, teksa shprehi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në këtë proces.

Ai theksoi se Kosova ka ende nevojë për resurse dhe mjete në mënyrë që të bëhet më shumë për të zënë hapin me kohën.

“Kjo çështje është shumë me rëndësi dhe do të luaj rol ndryshues. Në të njëjtën kohë, siç thuhet në raport, kemi nevojë për resurse dhe mjete… Gjithmonë ka shumë më shumë të bëhet në mënyrë që ta zëmë hapin me kohën, ngase nuk kemi arritur ta bëjmë këtë deri më sot. Në të njëjtën kohë, mendoj se kemi nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që të ndihmojë në këtë drejtim. Mendoj se Mbretëria e Bashkuar ka shprehur zotimin e vet dhe do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim”, tha ambasadori britanik.

Kurse, Anka Kurteshi Hajdari, autore e raportit “Gjykimet për krimet e luftës – Përparim i ngadaltë”, tha se pandemia me të cilën po përballet gjithë bota tash e një vit, ka pasur ndikim edhe në punën e institucioneve të gjyqësorit, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në zhvillimin e gjykimit të krimeve të luftës.

Teksa bëri të ditura disa nga të gjeturat tjera të monitorimit, Hajdari tha se kanë arritur në përfundimin që përparimi në procedimin e krimeve të luftës është i ngadalshëm.

“Gjatë vitit 2020 në seanca të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 11 lëndë, kundër 5 serbëve dhe 3 shqiptarëve. Lidhur me akuzat e tjera, të cilat kanë pasur të bëjnë me krimet e luftës ose ka pasur ndonjë prapavijë politike, ose etnike, kanë qenë të përfshirë 23 shqiptarë, 8 serbë dhe një boshnjak… Kemi vlerësuar se përparimi në procedimin e krimeve të luftës, edhe më tutje është i ngadalshëm dhe nuk është në cilësinë në të cilën pritet nga Gjyqësori i Kosovës. Faji për përparimin e ngadalshëm nuk mund të bie vetëm mbi gjyqësorin, një numër i madh i kryerësve potencialë i këtyre veprave penale, nuk është i qasshëm për organet e gjyqësorit në Kosovë”, tha ajo.

Në këtë konferencë foli edhe kryeprokurori Blerim Isufaj, i cili tha se kalimi nga një mision në tjetrin, ka bërë që lëndët të trajtohen secilën herë pothuajse nga fillimi, gjë që sipas tij, ka shkaktuar pengesa të ndryshme.

“Numri i madh i rasteve, vështirësitë në mbledhjen e provave, mungesa e dëshmitarëve, koha e gjatë nga kryerja e krimeve, pengesat ligjore, pengesat në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, sidomos me Serbinë, e të ngjashme na bëjnë të vijmë në përfundim se trajtimi i këtyre rasteve ka qenë sfida më e madhe për PSRK-në. Po ashtu, pengesat ligjore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në mungesë kanë ndikuar në arritjen e rezultateve që do të ishte dashur të jenë më të mira. Shpresojmë që me ndryshimet e fundit ligjore do ët evitohen këto pengesa”, tha ai.

Kompetencën për ndjekjen dhe gjykimin për krimet e luftës e ka pasur fillimisht UNMIK-u, për t’i kaluar më pas misionit të EULEX-it, dhe tek në fund kjo kompetencë i është deleguar institucioneve të Republikës të Kosovës.

FDHK mbetet organizata e vetme që monitoron në mënyrë sistematike gjykimet e këtij profili.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera