Lajme

Shefi i OKB-së: Mos e përmbytni botën

Autori: Gazeta inFokus 21:29 | 14 September 2022

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje urgjente liderëve botërorë që të veprojnë për të luftuar ndryshimet klimatike, dhe që të mos e “përmbytin” botën.

Ai i ka bërë këto deklarata pas vizitës në Pakistan, shtet që është duke u përballur me vërshimet më të rënda në historinë e tij.

“Sapo jam kthyer nga Pakistani, ku kam shikuar përmes dritares së të ardhmes – një e ardhme me klimë kaotike të shkallës së paimagjinueshme”, ka thënë Guterres në një konferencë për media.

“Çfarë është duke ndodhur në Pakistan demonstron mungesën e përgjigjes adekuate ndaj krizës klimatike dhe padrejtësisë që ekziston në thelb të kësaj çështjeje”.

Gati 1.400 njerëz kanë vdekur si pasojë e vërshimeve në Pakistan, derisa mijëra shtëpi, biznese, rrugë dhe ura janë shkatërruar tërësisht.

Guterres ka thënë nuk ka parë kurrë më parë “masakër klimatike” sikurse ajo në Pakistan, derisa ka fajësuar shtetet e pasura për një shkatërrim të tillë të ambientit.

“Mesazhi im për liderët botërorë është i qartë: Zvogëlojini temperaturat, tani. Mos e vërshoni botën, mos e përmbytni atë nesër”, ka thënë ai të mërkurën.

“Nëse një e treta e grupit të 20 shteteve më të industrializuara (G20) do të ishin nën ujë sot, siç mund të jenë nesër, ndoshta do ta kishin më të lehtë që të pajtoheshin për ulje të emetimeve të gazrave”.

Ai ka kritikuar edhe kompanitë që merren me naftë të papërpunuar, duke i akuzuar për “vrasje të planetit”.

Valët e të nxehtit dhe stuhitë janë bërë më intensive dhe më të shpeshta në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu.

Bota tashmë është ngrohur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale, dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit.

Të tjera