Lajme

Shefi britanik i Mbrojtjes: Tetori, muaji me humbjet më të mëdha për Rusinë në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus 10:29 | 10 November 2024

Rusia është përballur me muajin më të rëndë në tetor sa i përket viktimave në fushëbetejë prej se nisi lufta në Ukrainë, tha të dielën shefi i Shtabit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vrarë apo plagosur brenda ditës në Ukrainë gjatë muajit tetor, sipas Radakinit.

Rusia nuk e zbulon numrin e të vrarëve të vet në luftën në Ukrainë, por zyrtarët evropianë të Mbrojtjes kanë thënë se numri i përgjithshëm i viktimave në tetor është më i madhi deri më sot.

-Advertisement-

Radakin tha për BBC se populli rus po e “paguan një çmim shumë të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës që presidenti i tij, Vladimir Putin, e nisi në shkurt 2022.

“Numri i të vrarëve apo plagosur është gati të arrijë në 700.000 për Rusinë. Kjo është dhimbja dhe vuajtja e madhe që kombi rus duhet ta durojë për shkak të ambicieve të Putinit”, tha ai.

Ai tha se, derisa Rusia po shënon përparime dhe po e vë nën trysni Ukrainën, humbjet po i pëson “për kapjen e pjesëve të vogla të territorit”.

Kostoja e luftës, e cila sipas tij është mbi 40 për qind e shpenzimeve publike në mbrojtje dhe siguri, është gjithashtu duke e “shteruar” Rusinë.

Radakin tha se aleatët perëndimorë do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur për mbështetjen amerikane pasi Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në fillim të javës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera