Lajme

ShBA’ja mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën, vlerëson punën e Prokurorisë dhe Policisë

Autori: Gazeta inFokus 22:29 | 12 September 2024

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerëson punën e Prokurorisë Speciale e Kosovës, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për organizimin dhe kryerjen e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane deklaroi se ShBA-ja vlerëson përfundimin e hetimeve për rastin Banjska.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për përfundimin e hetimit të sulmit në Banjskë dhe ngritjen e aktakuzës. Gati një vit ka kaluar që nga ky krim brutal që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Telegrafin.

-Advertisement-

Ambasada e ShBA-së gjithashtu inkurajon respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar durim, ndërsa ky rast kompleks të trajtohet në gjykata.

Ata përsëritën mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë.

Edhe Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë kundër disa dhjetëra të dyshuarve për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit vitin e kaluar, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Kryeministri Albin Kurti tha të enjten në Prishtinë se aktakuza ka mundur të ngrihej më herët, por “më mirë vonë se kurrë”.

Ai e përsëriti kërkesën e autoriteteve kosovare që Serbia të bashkëpunojë dhe ta dorëzojë tek ato Radoiçiqin, sepse “krimin e ka kryer në Kosovë, e Banjska është në Zveçan të Kosovës”.

Në fund të vitit të kaluar, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera