Shëndetësi

SHBA, vaksinat gati për shpërndarje pas disa javësh

Autori: Gazeta inFokus 07:49 | 19 November 2020

Vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna për koronavirusin mund të jenë gati për autorizim dhe shpërndarje në SHBA brenda disa javësh, duke krijuar kushtet që vaksinimi të fillojë sa më shpejt këtë vit, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shëndetësisë Alex Azar.

Shtetet dhe territoret janë gati të fillojnë shpërndarjen e vaksinave brenda 24 orëve nga marrja e autorizimit të entit rregullator, thanë zyrtarët në një telefonatë me gazetarët, duke shtuar se kërkesat komplekse për depozitimin e vaksinës në temperatura të ulta nuk do të jenë pengesë që të gjithë amerikanët të mund ta marrin atë.

“Tani kemi dy vaksina të sigurta dhe shumë efektive që mund të autorizohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe gati për t’u shpërndarë brenda disa javësh,” tha zoti Azar gjatë konferencës së tij mbi programin qeveritar për COVID-in, të quajtur “Operacioni Shpejtësia e Dritës”.

-Advertisement-

Rreth 40 milion doza të të dyja vaksinave, të cilat kërkojnë nga dy injektime katër javë larg njëri-tjetrit do të jenë në dispozicion deri në fund të vitit, thanë zyrtarët.

Çdo muaj pas kësaj, kompanitë do të jenë në gjendje për të prodhuar më shumë se 40 milion doza në muaj për amerikanët, shtuan ata.

Vaksina Moderna ka të ngjarë të autorizohet brenda shtatë deri në 10 ditë pas marrjes së autorizimit për përdorim emergjent të vaksinës Pfizer.

Përveç kësaj, zyrtarët amerikanë thanë se brenda disa javëve të ardhshme do të jenë gati të dhënat e para për dy vaksina të tjera.

Shefi i programit amerikan të vaksinave për COVID-19, Moncef Slaoui, tha se nuk do të ketë asnjë kufizim se kush do ta marrë vaksinën.

Qeveria, zyrtarët dhe kompanitë private janë të gatshëm t’i shpërndajnë vaksinat (që të dyja me rreth 95% efektivitet në provat kryesore) në të gjitha pjesët e vendit, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera