Lajme

SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad Dodikun

Autori: Gazeta inFokus 18:20 | 18 December 2024

Shtetet e Bashkuara sanksionuan të mërkurën tre individë dhe katër kompani, pjesë e rrjetit të Presidentit të Republikës Serbe Milorad Dodik, që mundësonin përpjekjet e vazhdueshme të familjes së udhëheqësit pro rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.

Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se ky veprim përfshin gjithashtu sanksionimin e Stasha Kosharacit, një politikan nga Bosnja dhe Hercegovina, që shërben si një mbështetës kryesor i korrupsionit dhe agjendës politike destabilizuese të Dodikut.

Qeveria amerikane e ka sanksionuar më parë Dodikun për, ndër të tjera, përfshirje në korrupsion.

-Advertisement-

“Për vite me radhë, Dodiku e ka shfrytëzuar pozicionin e tij zyrtar për të grumbulluar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe djalin e tij, Igor Dodik. Ky korrupsion ka dëmtuar besimin e publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës dhe sundimin e ligjit. Rrjeti Dodik ka vazhduar përpjekjet e tij të qëllimshme për të anashkaluar sanksionet amerikane duke manipuluar strukturat e menaxhimit dhe duke riregjistruar kompanitë e sanksionuara me emra të rinj”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Veprimi i sotëm, thuhet në njoftim, shpalos më tej “përpjekjet flagrante dhe korruptive të familjes Dodik për t’u pasuruar dhe për të anashkaluar sanksionet amerikane”, ndërsa theksohet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vënë në shënjestër ata që lehtësojnë korrupsionin e Dodikut dhe mundësojnë përpjekjet e tij për të cuar përpara veprimtaritë destabilizuese në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kjo është hera e katërt vetëm brenda këtij viti që Shtetet e Bashkuara sanksionojnë individë dhe kompani që sigurojnë pasuri për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës dhe familjen e tij.

Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksione Milorad Dodikut fillimisht me 17 korrik të vitit 2017 për pengim të zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës së përgjakshme të Bosnjës, e cila la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Në përfundim të luftës Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore në Sarajevë.

Milorad Dodiku mbështetet në përkrahjen e Rusisë në qëndrimet e tij për shkëputjen e Republikës Serbe, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit, për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera