Lajme

SHBA, numri i faqeve me lajme të rreme në internet, më shumë se faqet e mediave legjitime

Autori: Gazeta inFokus 07:37 | 21 June 2024

Numri i faqeve me përmbajtje të rreme në internet, të kamufluara si faqe lajmesh, tashmë ua kalon numrit të faqeve legjitime të mediave vendase, ndërsa Rusia po luan rolin e saj për shtimin e tyre, thonë analistët e mediave.

Puna kërkimore e organizatës NewsGuard që mbikëqyr dezinformimin, tregon se ka një rritje të faqeve të njohura për qarkullimin e përmbajtjes me cilësi të ulët ose të dezinformimit.

Këto faqe interneti krijohen zakonisht nga entitete të njëanshme, ose ato që prodhojnë përmbajtje të krijuar me qëllim tërheqjen e lexuesve drejt materialeve të paguara që sjellin fitim, thotë NewsGuard. Sipas kësaj organizate mbikëqyrëse, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ka mundësuar shtimin e faqeve të tilla.

-Advertisement-

Redaktorja në organizatën NewsGuard për çështjet e inteligjencës artificiale dhe influencës së huaj, McKenzie Sadeghi, i tha Zërit të Amerikës se shifrat e rritura janë një zhvillim i zymtë që mund të përbëjë rrezik për lirinë e shtypit dhe për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Kjo kontribuon më tej për rënien e besimit tek mediat në internet, thotë ajo.

“Numri i këtyre faqeve është rritur, po kështu edhe për nga përmasat, gama dhe sofistikimi”, tha zonja Sadeghi. “Numri që regjistrohet tashmë, prej 1265 faqesh, ia tejkalon numrit të gazetave të përditshme në Shtetet e Bashkuara. Kjo është alarmuese”.Sipas një tjetër projekti, Iniciativës Medill për Lajmet Lokale, pjesë e Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit Northwestern, numri i faqeve legjitime të lajmeve lokale në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivelin më të ulët historik, në 1213.

“Kemi një përshpejtim të humbjes së organizatave lokale të lajmeve në mbarë vendin”, tha Tim Franklin, drejtor i këtij projekti. “Mbi gjysma e qarqeve në Shtetet e Bashkuara janë tashmë si shkretëtira pa lajme, ose kanë vetëm qasje të kufizuar tek lajmet vendase”.

Të mbiquajturat “shkretërirat e lajmeve” janë zona të gjera gjeografike ku komunitetet kanë pak ose aspak qasje tek informacioni. Dy ndër faktorët që kontribuojnë për këtë rënie janë pakësimi i fitimeve dhe i audiencave.

“Mendoj se aktorë të tillë cinikë që menaxhojnë këto operacione e kuptojnë se po ndodh kolapsi i modelit të biznesit të mediave lokale të lajmeve në mbarë vendin”, tha zoti Franklin.

“Do të përpiqen të zënë boshllëkun e krijuar nga humbja e faqeve legjitime lokale”, shtoi ai. “Mendoj se do të goditemi nga një cunami keqinformimi dhe dezinformimi”.

Zonja Sadeghi tha se mbi 150 faqe të mbështetura nga Rusia po kontribuojnë për shumëfishimin e lajmeve të rreme.“Këto faqe mbështeten së tepërmi tek inteligjenca artificiale për të prodhuar materialet e tyre”, tha zonja Sadeghi. “Për gjithçka, deri tek teksti, imazhet dhe logot. Ato përhapen gjerësisht në mediat sociale dhe njerëzit janë mashtruar duke menduar se janë publikime normale dhe të besuara vendase”.

Një ndër lojtarët kryesorë për faqet e mbështetura nga Rusia, thotë organizata NewsGuard, është John Mark Dougan, ish-zëvendës sherifi nga Florida që u largua për në Moskë në vitin 2016 për t’i shpëtuar akuzave penale në Shtetet e Bashkuara. Organizata NewsGuard thotë se të 167-të faqet e rrjetit rus, duket se janë të lidhura me zotin Dougan.

Sipas NewsGuard, zoti Dougan jeton nën mbrojtjen e Kremlinit dhe propagandon faqe të rreme lajmesh amerikane, me emra si DC Weekly dhe Boston Times.

Qendra për analizimin e mediave në Universitetin Clemson arriti t’ia atribuojë autorësinë e faqes DCWeekly.org zotit Dougan në Moskë, duke gjurmuar adresën IP të kompjuterit të tij. Kjo qendër gjithashtu thotë se faqja në fjalë me të gjitha gjasat mbështetet nga qeveria ruse.

Organizata NewsGuard thotë se kur e pyeti zotin Dougan për faqet e internetit, ai mohoi të jetë i përfshirë.“Kjo skemë ruse për pastrimin e lajmeve mund të jetë një shembull se si do të zhvillohen në të ardhmen operacionet e influencimit”, shkruhet në një raport të vitit 2023 të Qendrës për mediat e Universitetit Clemson.

“Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera dixhitale u mundësojnë po këtyre aktorëve keqdashës të krijojnë sisteme dhe organizata false, publikime të tëra, të cilat nëse nuk shqyrtohen me imtësi, duket se mund të ofrojnë besueshmëri edhe për versionet më absurde”, thuhet në raport.

Zoti Franklin beson se shtimi i këtyre faqeve me lajme false ka të bëjë me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

“Mund të kemi një përzierje toksike keqinformimi dhe dezinformimi në vjeshtë”, tha ai. “Dhe në një volum që nuk është parë ndonjëherë dhe kjo më jep shqetësim të madh për zgjedhjet këtë vjeshtë”.

Zonja Sadeghi gjithashtu mendon se qëllimi i vetëm i këtyre faqeve të reja është që të influencojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.

“Për herë të fundit që patën rritje, ishte për zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022”, tha zonja Sadeghi. “Shumohen sërish gjatë viteve zgjedhore dhe rriten në përmasa dhe gamë, për të influencuar votuesit dhe për të fuqizuar kandidatë”./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera