Lajme

SHBA-ja zotohet se do të veprojë nëse Rusia pushton Ukrainën

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 03 January 2022

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ia ka rikonfirmuar Ukrainës mbështetjen amerikane në kohën e prezencës së trupave ushtarake ruse afër kufirit me këtë shtet.

Biden i ka thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate “do të përgjigjen me vendosmëri” nëse Rusia pushton ish-republikën sovjetike.

Të dy presidentët kanë biseduar përmes telefonit më 2 janar.

-Advertisement-

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka thënë se Biden ka “rikonfirmuar” përkushtimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Liderët kanë shprehur mbështetje për përpjekjet diplomatike, duke nisur nga dialogu strategjik për stabilitet, Këshilli NATO-Rusi, si dhe dialogut përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, ka thënë Psaki.

Zelenskyi ka thënë se Ukraina e vlerëson mbështetjen “e palëkundur” nga Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se ai dhe Biden kanë diskutuar për bashkëpunim mes SHBA-së, Ukrainës dhe partnerëve tjerë “për të mbajtur paqe në Evropë dhe për të parandaluar përshkallëzim të mëtejmë”.

Kjo ka qenë thirrja e dytë telefonike mes Bidenit dhe Zelenskyit në tri javët e fundit, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë tenton të deklarohet për pozicionimin e trupave ruse.

Të dhënat e inteligjencës amerikane tregojnë se Rusia ka bërë përgatitje për pushtim potencial në fillim të vitit 2022, dhe autoritetet në Kiev janë të shqetësuara se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në javët në vijim.

Adam Schiff, demokrat dhe udhëheqës i Komitetit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë se frikësohet se presidenti rus, Vladimir Putin ka synim pushtimin e Ukrainës dhe “vetëm një nivel i paparë i sanksioneve ndaj Rusisë do ta ndalë atë”.

Duke folur më 2 janar në transmetuesin amerikan, CBS, Schiff ka thënë se masë parandaluese është fakti “që ata ta kuptojnë se nëse pushtojnë, NATO-ja do të jetë më afër Rusisë, jo më larg”.

Biseda telefonike mes Bidenit dhe Zelenskyit vjen pas asaj mes Bidenit dhe Putinit më 30 dhjetor, në të cilën Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Rusisë, nëse e pushton Ukrainën.

Përgjatë thirrjes, Biden e ka paralajmëruar Putinin kundër pushtimit të Ukrainës, ndërkohë që lideri i Kremlinit, ka thënë se sanksionet kundër Moskës do të përbënin “gabim kolosal”.

Megjithatë, të dy liderët kanë treguar mbështetje për diplomaci në të ardhmen.

Rusia ka kërkuar garanci të menjëhershme për siguri nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, duke përfshirë edhe kërkesën që Ukraina dhe republikat tjera ish-sovjetike të mos bëhen pjesë e NATO-s.

Ky vend ka mbrojtur edhe pozicionimin e trupave, duke thënë se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj atij që shihet agresion i NATO-s në “derë” të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë “që të angazhohet” në bisedimet e ardhshme me qëllim të shtensionimit të situatës që lidhet me Moskën dhe Kievin.

Rundi i parë – nga tre sa janë në total – do të mbahet në Gjenevë më 9-10 janar.

Në të pritet të diskutohet për kontrollin e armëve dhe tensionet e lidhura me Ukrainën.

Ky takim do të përcillet nga një takim tjetër në kuadër të Këshillit Rusi-NATO më 12 janar në Bruksel.

Takimi i tretë do të zhvillohet në Vjenë, në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë, Ukraina dhe Rusia./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera