Lajme

SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor

Autori: Gazeta inFokus 10:28 | 21 June 2023

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.

Kjo emergjencë ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001, por Biden, në një deklaratë të lëshuar më 20 qershor, bëri të ditur se ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti shkaku i situatës në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe situata aktuale në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

-Advertisement-

“Për këtë arsye kam përcaktuar se është e nevojshme të vazhdohet emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e Bidenit për Kongresin amerikan.

Më 8 qershor të vitit 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.

Ndërkohë, më 20 qershor, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Jam shumë i shqetësuar. Kjo [situata] ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, në një konfrontim rajonal. Prandaj, ne jemi shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane”, tha Escobar.

“Duhet të jetë një përpjekje evropiane. Këto shtete janë në Evropë, aspiratat e tyre më të mëdha janë të bëhen pjesë e Evropës dhe përderisa ata normalizojnë raportet e tyre, ata po ashtu harmonizojnë sistemet e tyre me Evropën. Po ashtu, si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të dëshironim ta shihnim atë pjesë të NATO-s, BE-së. Ajo që duam është një proces që adresohen shqetësimet e pesë shteteve mosnjohëse [të BE-së] dhe ky duhet të jetë një proces evropian”, shtoi ai.

Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës. /rel/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera