Lajme

SHBA-ja thotë se s’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, nga shoqëria civile kërkojnë zgjidhje alternative

Autori: Gazeta inFokus 23:16 | 07 December 2022

Pas incidenteve të djeshme në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur shqetësuara se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve atje më 18 dhjetor. Institucionet thonë se mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues, por pas vlerësimit të situatës së sigurisë, sipas tyre, do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm. Anëtarë të shoqërisë civile kërkojnë zgjidhje alternative, pasi situata në pjesën veriore vlerësohet e rrezikshme.

Situata e brishtë e sigurisë në veri është bërë sërish shkak që ndërkombëtarët t’i trokasin në derë Qeverisë.

Aleatët e Kosovës kanë nisur të tërheqin vërejtjen për rrezikun që mund të sjellë mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore më 18 dhjetor.

-Advertisement-

Është ambasadori amerikan, Jeff Hovenier i cili pas incidenteve me armë zjarri të martën, ka thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka thënë Jeff Hovenier, Ambasador i SHBA-së.

Për fatin e zgjedhjeve është deklaruar të mërkurën institucioni që i ka shpallur ato.

Presidenca thotë mund të aktivizohet vetëm pas një vlerësimi për gjendjen e sigurisë nga institucionet përkatëse dhe një kërkesë nga KQZ-ja.

“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë Bekim Kupina, Këshilltar për media në Presidencë.

Kurse, Qeveria rithekson se mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues, por thotë se presin raport për gjendjen e sigurisë të vendosur rreth kësaj çështjeje.

“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Gjendja në veri vlerësohet e rrezikshme nga Instituti i Kosovës për Demokraci, i cili tradicionalisht monitoron procese zgjedhore.

Andaj, KDI kërkon që për zgjedhjen e katër kryetarëve të komunave veriore të gjendet një zgjidhje alternative.

“Së bashku me vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të hapin një proces të dialogimit për ricaktimin e një date në një periudhë sa më të afërt dhe përfshirjen e të gjitha partive politike atje. Në të kundërtën përveç se ambienti është i rrezikshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe çfarëdo rezultati i dalur nga një proces i tillë do të cilësohej jodemokratik”, ka thënë Arbër Thaçi, nga KDI.

Zgjedhjet e parakohshme janë pasojë e dorëheqjeve të kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit në fillim të nëntorit./RTV Dukagjini/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera