Lajme

ShBA-ja njofton se Liridon Masurica është i arrestuari në aksionin e sotëm në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 12 December 2024

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast janë zhvilluar kontrolle në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan.

Nga këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB), të hetuara në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI), si dhe me autoritetet e Shqipërisë, janë arrestuar tre persona, raporton Klankosova.tv.

Të arrestuarit dyshohen se kishin qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, të cilët dyshohen se kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite tregun kriminal online “RYDOX” si dhe atë “BlackDB”.

-Advertisement-

E për rastin ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DAD).

Në njoftim thuhet se në mesin e të arrestuarve është Liridon Masurica 33-vjeç nga Gjilani, i njohur gjithashtu si “@blackdb”.

“Prokurori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Roger B. Handberg njofton ngritjen e aktakuzës dhe arrestimin e Liridon Masuricës (33-vjep, Gjilan, Kosovë), një shtetas i Kosovës i njohur gjithashtu si ‘@blackdb’. Masurica është marrë sot në paraburgim nga autoritetet në Kosovë. Autoritetet amerikane po kërkojnë ekstradimin e Masuricës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të traktatit të ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e DAD.

Më 3 dhjetor 2024, një juri e madhe në Distriktin e Mesëm të Floridës ktheu një aktakuzë që akuzonte Masuricën me një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisjen e aksesit dhe pesë akuza thelbësore për përdorimin mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të aksesit të paautorizuar.

“Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burg federal”, u tha në këtë njoftim.

Sipas aktakuzës, Masurica ishte administratori kryesor i “BlackDB.cc” – një treg kriminal në internet që funksionon nga viti 2018 e deri më tani.

“BlackDB.cc ofroi në mënyrë të paligjshme për shitje kredencialet e komprometuara të llogarisë dhe serverit, informacionin e kartës së kreditit dhe informacione të tjera të identifikueshme personalisht të individëve kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata që ndodhen brenda distriktit të mesëm të Floridës. Pasi bliheshin, kriminelët kibernetikë përdornin artikujt e blerë në BlackDB.cc për të lehtësuar një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë mashtrimin tatimor, mashtrimin e kartave të kreditit dhe vjedhjen e identitetit”, tha DOD.

Në njoftim theksohet po ashtu se i pandehuri, në këtë rast Liridon Masurica, prezumohet i pafajshëm në këtë fazë, përveç nëse dhe derisa të provohet fajësia.

Hetimi është udhëhequr nga Byroja Federale e Hetimeve dhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, Hetimi Kriminal (IRS-CI) dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës.

Rasti do të ndiqet penalisht nga Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Carlton C. Gammons.

Një ndihmë e konsiderueshme u ofrua nga Zyra e Atasheut Ligjor të FBI-së në Sofje, Bullgari dhe Zyra për Çështjet Ndërkombëtare e Departamentit të Drejtësisë.

“Po ashtu, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria e Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme në arrestimin e Masuricës”, u tha në njoftimin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë (DAD).

Ndërkaq, në njoftimin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, u dhanë detaje të aksionit.

“Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova.  Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”. Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patentë shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online”, thuhet në njoftimin e policisë dhe prokurorisë.

U tha se tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar.

“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:

-Kriptovaluta;

-Kompjuterë llaptop;

-Shtëpiza kompjuteri;

-Telefona mobil;

-Pajisje memorizuese.

Me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit ndalohen për 48 orë. Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor. Gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera