Opinione

SHBA-ja e nesërme zhvendoset në Paqësor (fund)

Autori: Gazeta inFokus 19:16 | 03 June 2022

Konteksti aktual i Oqeanit Indian

Shkruan: Agron HOTI

Nëpër Oqeanin Indian kalojnë rrugët kryesore në glob të tregtisë globale dhe transportit të energjisë. Pikërisht pse Oqeani Indian kishte dhe e ka këtë rëndësi jetike për ekonominë globale, SHBA ka prezencë të fuqishme ushtarake atje siç është Flota e saj e Pestë Detare. Ruajtja e supremacisë detare në Oqeanin Indian dhe oqeane tjera ia lë rrugën e lirë SHBA-së për të mbikqyrë rrugët kryesore detare të tregtisë dhe transportit në glob.

-Advertisement-

E hapi i parë i SHBA-së për të ruajtur supremacinë detare është zhvendosja e luftërave në tokë, sepse një luftë në detëra e oqeane do t’i nxiste shtetet rivale të investonin në flota detare, të cilat do të mund ta sfidonin supremacinë detare të SHBA-së. Prandaj, të gjitha luftërat në veri të Oqeanit Indian janë bërë në tokë e jo në detëra, interes jetik ky i SHBA-së.

Duke e parë fuqizimin e Iranit të mbështetur nga Rusia e Kina si dhe rritjen e prezencës ushtarake të Kinës në Oqeanin Indian, SHBA së bashku me Indinë si kundërpërgjigje ndaj rritjes së tensioneve në këtë Oqean, në qershor 2021 kishte organizuar manovra ushtarake në shkallë të gjerë në det e ajër për të siguruar aleanca rajonale dhe njëkohësisht dhe supremacinë e saj detare në këtë rajon kyç të globit, që me fjalë tjera, ashtu sikurse në të kaluarën, ashtu edhe sot përbën motorin e ekonomisë globale.

Kur Vasco da Gama kishte kaluar përmes Kepit të Shpresës së Mirë në fund të Afrikës dhe kishte arritur në Oqeanin Indian në vitin 1493, kishte gjetur aty një rrjet të gjallë tregtar ndërkombëtar, shtrirja dhe pasuria e të cilit ishin shumë përtej imagjinatës evropiane. Oqeani Indian ka qenë dhe mbetet pika më jetike në glob për rrugët tregtare dhe transportit të energjisë që lidhin Lindjen e Mesme me Azinë Juglindore dhe Lindore si dhe Evropën dhe Amerikën. Çfarëdo ndërprerje e këtyre rrugëve tregtare shkaton efekte të menjëhershme dërmuese në tregtinë globale duke rrezikuar kështu tërë sigurinë energjetike globale.

Ndërkohë që pasojat e ndonjë avarie në Oqeanin Indian do të ishin shkatërrimtare pikë së pari për Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, të cilat varen nga energjia e importuar kryesisht përmes Ngushticës së Malacca-s.

Nga 7 pikat e rrezikshme të rrugëve të transportit të energjisë në glob, tri prej tyre kalojnë nëpër Oqeanin Indian:
– e para është Ngushtica e Malaca-s që gjendet mes Malejzisë, Singapurit dhe Indonezisë duke lidhur Azinë Juglindore dhe Pacifikun Perëndimor me Oqeanin Indian;
– e dyta është Ngushtica e Hormuzit që ndan Iranin me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin duke lidhur Gjirin Persik me Oqeanin Indian; dhe
– e treta është Ngushtica Bab-el Mandeb që kalon përmes Xhibutit dhe Eritresë në Bririn e Afrikës dhe Jemenit në Gadishullin e Arabisë duke lidhur Detin e Kuq me Oqeanin Indian.

Pikërisht pse Oqeani Indian kishte dhe ka këtë rëndësi strategjike ekonomike globale, BRSS vazhdimisht ishte përpjekur që përmes Azisë Qendore, Lindjes së Mesme dhe Ballkanit të dilte në ujëra të nxehta të këtij Oqeani në jug dhe në Detin Mesdhe në jugperëndim. Të njëjtat qëllime i ka Rusia edhe sot, edhe pse sot kapacitetet i ka shumë më të kufizuara se ç’i kishte BRSS.

Nuk duhet harruar se vetë bashkimi 120 shteteve në Lëvizjen e të Painkuadruarve gjatë Luftës së Ftohtë ofrohej si alternativë mes komunizmit dhe kapitalizmit dhe kjo sigurisht që çonte ujë te SHBA, sepse një pjesë e madhe e shteteve të painkuadruara shtriheshin përreth Oqeanit Indian.

Dhe duke qenë se shtetet e painkuadruara po promovonin paqen në glob dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të tjetrit, kjo qasje po i mundësonte SHBA-së konsolidimin e supremacisë në ujërat e Oqeanit Indian si urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit.

Megjithatë, BRSS me përpjekjet e saj për përvetësimin e vendeve të ndryshme të Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Ballkanit po e bënte këtë pjesë politikisht jostabile, kjo për faktin se ishte SHBA ajo që po pengonte depërtimin e BRSS-së drejt ujërave të ngrohta si në Mesdhe ashtu edhe në Oqeanin Indian.

Prandaj, kjo masë tokësore që nga Azia Qendrore (Afganistani) deri në Ballkan (Jugosllavi) përbënte rripin tokësor më të paqëndrueshëm në glob? Sepse në veri të këtij rripi ishte/është BRSS/Rusia, kurse në jug të këtij rripi ishte dhe vazhdon të jetë SHBA me flotën e saj detare në Oqeanin Indian.

Duke u munduar BRSS dhe Rusia të çanin rripin që nga Afganistani deri në Jugosllavi drejt ujërave të nxehta të Oqeanin Indian dhe Detit Mesdhe shpërthenin luftërat si në Afganistan, Irak-Iran, Kaukaz, ish-Jugosllavi, si dhe lufta e SHBA-së ndaj terrorizmit në tërë Lindjen e Mesme. SHBA vazhdimisht i ka sfiduar të gjitha përpjekjet e BRSS-së dje dhe Rusisë sot. Ky tension vazhdon edhe sot, kur SHBA i ka vënë sanksione Iranit të mbështetur nga Rusia dhe Kina.

Asgjë nuk e shpjegon më mirë dobësimin e Rusisë sesa zmbrapsja e saj nga Afganistani drejt veriut në Kazakistan. Përderisa BRSS mundohej ta përdorte edhe pse pa sukses Afganistanin si pararojë të kufijve të saj, sot Rusia mundohet ta bëjë të njëjtën gjë përmes Kazakistanit meqë s’ka më asnjë ndikim në Afganistan dhe kjo automatikisht përbën lëvizje të SHBA-së drejt kufijve të Rusisë.

Humbja e luftës së Rusisë në Ukrainë automatikisht do të thotë rënie e regjimeve proruse në Kazakistan, Bjellorusi dhe shtete tjera me regjime proruse për t’i dhënë kështu shansin demokracisë.

Prandaj, SHBA e ka jetike fitoren në Ukrainë, sepse përpos që do t’i afrohet kufirit perëndimor rus, do të ketë avantazhe edhe në veri të Oqeanit Indian ngase do të dobësohen nëse edhe bien nga pushteti të gjitha regjimet proruse.

E duke e zhveshur Rusinë në perëndim dhe jug të saj nga regjimet proruse, SHBA siguron krahun e Atlantikut që është jetik për sigurinë nacionale të saj si dhe Oqeanin Indian që përbën motorin e ekonomisë globale sa u përket rrugëve të tregtisë dhe transportit të energjisë globale. Një fuqizim i SHBA-së në Evropë dhe Oqean Indian, i jep avantazhe të mëdha për përqendrim në Oqeanin Paqësor ku rivaliteti me Kinën është në rritje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera