Lajme

SHBA dhe Evropa i gëzohen armëpushimit Izrael – Liban

Autori: Gazeta inFokus 23:17 | 26 November 2024

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi para pak kohe se Izraeli dhe Libani janë pajtuar për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur.

Marrëveshja e armëpushimit e miratuar nga kabineti izraelit për t’i dhënë fund luftës në Liban të martën do të krijojë kushte për të rivendosur një “qetësi të qëndrueshme”, thanë ShBA-ja dhe Franca në një deklaratë të përbashkët.

“Njoftimi i sotëm do të ndërpresë luftimet në Liban dhe do ta sigurojë Izraelin nga kërcënimi i Hezbollahut dhe nga organizatat tjera terroriste që veprojnë nga Libani. Ky njoftim do të krijojë kushtet për të rivendosur qetësinë e qëndrueshme dhe do t’i lejojë banorët në të dy vendet të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dy anët e Linjës Blu”, shtohet deklarata, duke iu referuar kufirit de facto midis Libanit dhe Izraelit.

-Advertisement-

Të dy vendet thanë se do të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes. Ata thanë gjithashtu se do të udhëheqin dhe mbështesin “përpjekjet ndërkombëtare për ndërtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Libaneze” dhe “zhvillimin ekonomik në të gjithë Libanin për të çuar përpara stabilitetin dhe prosperitetin”.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, gjithashtu e ka përshëndetur marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit.

“Marrëveshja për një armëpushim në Liban është një lehtësim për situatën shkatërruese në Lindjen e Mesme”.

“Dua të lavdëroj Francën dhe ShBA-në për ndërmjetësimin e tyre”.

“Tani është thelbësore që armëpushimi të mbahet, për të garantuar sigurinë e qytetarëve LEB dhe IL, dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda”.

“Zbatimi i plotë i Rezolutës 1701 është i domosdoshëm. Gjithashtu përsëris thirrjen time për liderët libanezë që të marrin përgjegjësinë e tyre politike duke zgjedhur një President. Libanezët kanë të drejtë të rifitojnë sovranitetin e plotë në punët e vendit, pa ndërhyrje të jashtme”, tha Borrelli në X.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshëndeti armëpushimin e arritur në Liban.

“Armëpushimi i shpallur midis Izraelit dhe Hezbollahut është një lajm shumë inkurajues”, shkroi ajo në X.

“Në radhë të parë për popullin libanez dhe izraelit të prekur nga luftimet. Libani do të ketë një mundësi për të rritur sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm falë ndikimit të reduktuar të Hezbollahut”, tha von der Leyen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera