Lajme

SHBA dëbon dy diplomatë kubanezë

Autori: Gazeta inFokus 14:04 | 10 August 2017

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar dy diplomatë të Kubës, më herët gjatë këtij viti, pasi disa pjesëtarë të stafit të Ambasadës amerikane në Havana, është dashur të largohen nga ky vend, për shkak të simptomave mjekësore të paspecifikuara, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka informuar dje se diplomatëve kubanezë u është kërkuar të largohen nga ambasada në Uashington.

Ajo nuk ka specifikuar numrin e diplomatëve amerikanë, të prekur nga këto simptoma.

-Advertisement-

“Kemi dëgjuar për këto incidente, fillimisht në fund të 2016-tës”, ka thënë Nauert.

“Disa pjesëtarë të personelit qeveritar amerikan kanë qenë duke punuar në ambasadën tonë në Havana, Kubë, më pas janë raportuar disa simptome fizike, me të cilat janë përballur diplomatët tanë. Ne nuk kemi ndonjë përgjigje për burimin apo shkakun e saktë, të asaj se që ne e konsiderojmë si incident”, ka shtuar ajo.

Disa familjarë të stafit, kanë thënë gjatë hetimeve se një numër i diplomatëve amerikanë kanë filluar të kenë probleme me humbje të dëgjimit në vjeshtën e vitit 2016.

Pas disa muajsh hulumtime, hetuesit amerikanë kanë ardhur në përfundim se diplomatët u janë ekspozuar një pajisjeje të sofistikuar, e cila vepron jashtë sferës së tingullit të zërit dhe ka mundësi të ketë qenë e instaluar brenda apo jashtë objektit.

Ende nuk është bërë e qartë nëse kjo pajisje ka qenë armë për ndonjë sulm të qëllimshëm, apo ka pasur synim të përdoret për diçka tjetër, njofton REL.

Qeveria e Kubës ka thënë se është informuar për rastin dhe menjëherë ka nisur një hetim “urgjent, të nivelit më të lartë të qeverisë kubaneze”.

Sidoqoftë, vendimin për dëbimin e dy diplomatëve të Kubës, kjo qeveri e ka cilësuar si të “të pajustifikueshëm dhe të pabazuar”.

Marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe kryeqytetit Havana janë rregulluar gjatë vitit 2015, pas gjysmë shekulli, nga presidenti i mëparshëm i SHBA-së, Barack Obama dhe homologut të tij Raul Castro.

Mirëpo, afrimi është kthyer shumë shpejt mbrapa, pasi pasardhësi i Obamas, Donald Trump, gjatë muajit qershor ka prezantuar rregulla strikte për amerikanët që synojnë të udhëtojnë në Kubë, dhe ka riafirmuar ndalesat ekzistuese amerikane për tregti me këtë vend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera