Uncategorized

Shangai arrin momentin kyç të “zero-COVID”, do të kthehet në normalitet me faza

Autori: Gazeta inFokus 11:09 | 19 May 2022

Qendra e tregtisë e Kinës Lindore, Shangai, ka arritur në një moment kyç në luftën e vet kundër pandemisë së COVID-19, duke mos pasur asnjë rast të ri jashtë zonave të karantinuara për tre ditë me radhë.

Pas mbi gjashtë javësh përpjekjesh, Shangai ka realizuar statusin “zero-COVID” në nivel lagjeje në të 16 distriktet, tha Zhao Dandan, zv.drejtori i komisionit bashkiak të shëndetësisë në një konferencë për shtypin.

Ky është një parakusht për lehtësimin gradual të masave kufizuese dhe një pikë kyçe kthese për këtë metropol, i cili ka mbi 24 milionë banorë dhe është “mbyllur” që nga fundi i marsit.

-Advertisement-

Shangai raportoi të hënën 77 raste simptomatike dhe 746 raste asimptomatike. 31 u testuan pozitivë gjatë karantinës, ndërsa 46 të tjerë ishin më parë asimptomatikë. Të 746 rastet asimptomatike u zbuluan gjatë karantinës.

Sipas sistemit të tanishëm të këtij qyteti për kontrollin e sëmundjes me tre nivele, deri të hënën rreth 860 mijë veta ende jetonin në zonat e nivelit më të rreptë të mbylljes, që është karantinimi në shtëpi.

Njëkohësisht, mbi 19 milionë banorë jetojnë në “zonat e parandalimit” dhe lejohen të dalin jashtë lagjeve të tyre sipas rregullave të përcaktuara. 3 milionë të tjerë duhet të qëndrojnë në shtëpi ose në lagjet e tyre.

Shangai përcaktoi një kalendar më të qartë për heqjen e mbylljes, që ka hyrë në javën e shtatë, me qëllim kthimin në normalitet dhe rifillimin e plotë të punës së fabrikave në qershor.

Në një konferencë të rregullt shtypi, zv.kryetarja e Bashkisë së Shangait Zong Ming tha se qyteti do të rihapet me faza, kurse shumica e kufizimeve të lëvizjes do të mbetet deri më 21 maj për të parandaluar një rikthim të infeksioneve.

Sipas saj, supermarketet, ushqimoret dhe farmacitë u rihapën që nga e hëna, teksa do të rinisin gradualisht shërbimet e trenave dhe fluturimet e brendshme. Që prej së dielës së ardhshme, edhe shërbimet e autobusëve do të rifillojnë gradualisht, por udhëtarët duhet të paraqesin një test negativ për COVID-19 brenda 48 orëve për të përdorur mjetet e transportit publik.

“Që nga 1 qershori deri në mes dhe fund të qershorit, me parakushtin e parandalimit të rrezikut të kthimit të pandemisë, ne do ta bëjmë parandalimin dhe kontrollin antipandemik një rutinë dhe do të rivendosim plotësisht prodhimin dhe jetën normale në qytet,” tha zv.kryetarja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera